
Prokurorët e SPAK, Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi paraqitën të martën parashtrimet e tyre lidhur me detyrën e lënë nga gjykata rreth një muaj më parë, për të përgatitur me shkrim argumentet lidhur me akuzat e vjedhjes përmes shpërdorimit të detyrës dhe grupit të strukturuar kriminal ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj në çështjen e njohur si afera e strerilizimit.
Parashtrimet u lexuan nga prokurori Nakuçi, i cili paraqiti një historik të procedurës së ndjekur që nga përfundimi i hetimit dhe dërgimi i çështjes për gjykim vetëm për veprën penale “shpërdorim detyre”. Gjatë seancës paraprake, gjykata sigjeroi se akuzat duhej të ishin “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” në bashkëpunim dhe “grup i strukturuar kriminal”.
Nakuçi tha në seancë se ata e kishin pranuar formulimin e akuzave nga ana e gykatës për shkak të momentit procedurial. Ai shtoi se nuk kanë argumente të tjera, veç atyre të paraqitur nga gjykata në vendimin për kalimin e çështjes për gjykim.
“Thatë se u qëndronit akuzave, por pa dhënë argumente,” konstatoi kryesuesja e trupës gjyqësore, Rudina Palloj.
Ish-ministri Ilir Beqaj e kundërshtoi qëndrimin e SPAK, duke pohuar se nuk gjendej asnjë fakt për akuzën e vjedhjes si dhe veprimin apo mosveprimin e tij. Beqaj pretendoi se prokuroria nuk e kishte përmbushur detyrën e lënë, ndërsa avokati i tij, Ermal Yzeiraj i kërkoi gjykatës të vlerësonte nëse ishte përfunduar detyra.
Edhe pse u qëndruan akuzave të reja, prokurori Edvin Kondili tha në seancë se sipas bindjes së tyre, ishte e provuar vetëm akuza e shpërdorimit të detyrës dhe jo akuzat e tjera. Ai sqaroi më tej se nëse nuk do të kishin pranuar akuzat e gjykatës, do të ishin kthyer aktet, duke sjellë përsëritjen e procedurës në pafundësi.
“Pajtimi me këto rrethana procedurale jo detyrimisht prokurorin do ta çonte në argumentimin e një akuze që në bindjen e tij nuk ishte,” tha Kondili, duke e konsideruar të ezauruar këtë moment procedurial.
Beqaj pretendoi më tej se gjykata nuk ishte e paanshme, pasi kishte ngritur akuzën në kundërshtim me ligjin.
“Vetë prokurori e pranon se nuk ka vepruar i pavarur,” tha më tej ai, duke i falenderuar prokurorët për koherencën.
Pasi u tërhoq për pak kohë, trupi gjykues vlerësoi se parashtrimi i prokurorisë nuk përmbante argumente për akuzat, por vlerësoi se kishte përmbushur garantimin e procesit të rregullt ligjor.
“Është atribut i prokurorisë që të argumentojë akuzën dhe se në këtë moment të procesit, gjykata nuk mund të çmojë mbi veprat penale për të cilat akuzohet i pandehuri,” tha gjyqtarja Palloj.
Në përfundim, gjykata u kërkoi palëve të përgatiten për të paraqitur kërkesat paraprake në seancën e ardhshme që u caktua të zhvillohet më datë 28 prill, në orën 12:00.
Dy prokurorët e SPAK e morën të pandehur Beqajn vetëm për “shpërdorim detyre”, por akuza u ndryshua nga gjyqtarja e seancës paraprake, e cila çmoi se provat e administruara tregonin një përgjegjësi më të rëndë. Megjithëse Kondili dhe Nakuçi i qëndruan versionit të tyre, kërkuan që të vijohej gjykimi në themel me akuzat e sugjeruara nga gjykata.







