
Gjykata Themelore e Prishtinës të premten dënoi tre serbë të Kosovës për terrorizëm dhe “vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës” për pjesëmarrje në sulmin e kryer nga një grup i armatosur i mbështetur nga Serbia në fshatin Banjskë të Kosovës në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës.
Blagoje Spasojeviç, 33 vjeç, dhe Vladimir Toliç, 40 vjeç, të cilët u arrestuan me uniforma ushtarake në vendngjarje, u dënuan me burgim të përjetshëm. Një burrë i tretë, Dusan Maksimoviç, 29 vjeç, i cili u arrestua të nesërmen, u dënua me 30 vjet burg.
Ndërsa shpallte vendimin, kryetari i trupit gjykues Ngadhnjim Arrni tha se në orën 1 të mëngjesit të 24 shtatorit 2023, tre të pandehurit ishin pjesë e një grupi serbësh “të trajnuar mirë”, të cilët “në mënyrë të organizuar hynë ilegalisht në Republikën e Kosovës nga Republika e Serbisë me dhjetëra automjete, disa prej tyre të blinduara”.
Ata sollën një arsenal armësh, kamuflazh ushtarak dhe pajisje të tjera, vazhdoi gjyqtari.
“Qëllimi ishte destabilizimi dhe shkatërrimi i strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe shoqërore të Republikës së Kosovës, përmes një plani të mirëorganizuar. Ata tentuan të shkëpusnin pjesë të territorit në veri të Kosovës, të cilat kanë shumicë serbe, dhe t’i bashkonin me Serbinë,” tha ai.
Të tre burrat ishin vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat. Megjithatë, gjatë deklaratave përfundimtare të hënën, Spasojeviçi e quajti pjesëmarrjen e tij në ngjarjet e 24 shtatorit 2023 “gabimin më të madh të jetës sime”.
Ditën e sulmit, dhjetëra serbë të armatosur, përfshirë Spasojeviçin, i zunë pritë një patrulle policore në veri të Kosovës me atë që prokurorët thonë se ishte synimi për të nxitur një konflikt që do të shkëpuste qytetet dhe fshatrat me shumicë serbe dhe do t’i bashkonte ato me Serbinë.
Polici shqiptar i Kosovës, Afrim Bunjaku, 50 vjeç, u vra dhe një tjetër polic, Çlirim Shaqiri, u plagos. Dy nga agresorët u konfirmuan të vrarë, por raportet thonë se të tjerë u plagosën dhe u trajtuan në Serbi, ndërsa fati i tyre mbetet i panjohur.
Aktakuza thoshte se agresorët kishin kryer stërvitje në poligonin ushtarak Pasuljanske Livade në Serbinë qendrore, pak më shumë se 100 kilometra në veri të kufirit me Kosovën, vetëm disa ditë më parë, duke iu referuar pamjeve me dron të sekuestruara në Banjskë. Sipas saj, Serbia kishte vënë në dispozicion të grupit “të gjithë” infrastrukturën e nevojshme ushtarake dhe pajisjet logjistike “për të kryer sulmin terrorist”.
Në total, 44 individë dhe një person juridik u përmendën në aktakuzë. Dyzet e tre prej tyre, përfshirë Spasojeviçin, Toliçin dhe Maksimoviçin, u akuzuan për terrorizëm dhe vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës. Një person juridik, RAD d.o.o., dhe pronari i saj, Radule Steviç, u akuzuan për pastrim parash, ashtu si edhe një nga 43 të tjerët – i dyshuari si organizatori kryesor, biznesmeni dhe politikani lokal serb Milan Radoiçiq.
Radoiçiqi, ish-nënkryetar i partisë politike serbe të Kosovës, Lista Serbe, e mbështetur nga qeveria serbe, ndodhet në Serbi. Ai ka pranuar përgjegjësinë për sulmin e armatosur, por Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk ka gjasa ta dorëzojë për gjykim.
Sipas aktakuzës, Radoiçiqi kishte financuar një “grup terrorist të strukturuar” që nga viti 2017, me qëllim “ndarjen” e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës “për t’i bashkuar me Republikën e Serbisë”.
Radoiçiqi pretendoi se Serbia nuk kishte dijeni për planet e tij, por Kosova thotë se ai nuk do të kishte qenë kurrë në gjendje të grumbullonte një arsenal të tillë armësh dhe të ndërmerrte një sulm kaq të guximshëm pa, të paktën, miratimin e heshtur të Serbisë.
Në tetor 2023, BIRN raportoi se disa nga granatat dhe raketahedhësit kundërtank të përdorura nga sulmuesit serbë kishin kaluar përmes qendrave shtetërore të mirëmbajtjes në Serbi në vitet 2018 dhe 2021, ndërsa municionet përfshinin fishekë për pushkë automatike që përputheshin me ato të prodhuara në vitin 2022 nga fabrika Belom, një prodhues shtetëror serb i armëve.
Pas vendimit të së premtes, avokati i familjes së policit të vrarë Bunjaku, Arianit Koçi, u tha mediave se ishte i kënaqur me vendimin, por se “derisa kokat apo organizatorët e planit të sulmit të mos sillen para drejtësisë, kjo është drejtësi e përgjysmuar”.







