
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë shpalli të martën, më 28 prill, vendimin për çështjen penale në ngarkim të tre funksionarëve të Policisë Rrugore Tiranë, të akuzuar për korrupsion pasiv gjatë kryerjes së procedurave për një aksident automobilistik të ndodhur më 16 prill të vitit 2025, si dhe ndaj dy të pandehurve të tjerë të akuzuar për korrupsion aktiv.
Vendimi u shpall nga kryesuesja e trupit gjykues, Irena Gjoka, e cila deklaroi të pafajshëm ish-shefin e Komisariatit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Roven Zeka, i akuzuar për korrupsion pasiv. Po ashtu, u deklarua shuarja e masës së sigurimit personal “arrest shtëpie” e caktuar ndaj tij. Sipas gjykatës, nuk provohet që Zeka të ketë kryer veprën penale për të cilën u akuzua nga SPAK.
Ndërkohë, gjykata gjeti fajtorë dy vartësit e Zekës. Shefi i seksionit për hetimin e aksidenteve rrugore, Sokol Novaku, u dënua me 3 vjet burg, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 2 vjet. Po ashtu, gjykata vendosi konvertimin e dënimit në shërbim prove për një periudhë 4-vjeçare. Edhe për specialistin e këtij seksioni të Policisë Rrugore, Edison Tabaku, u vendos dënimi me 3 vjet burg dhe, në aplikim të gjykimit të shkurtuar, 2 vjet heqje lirie. Për Tabakun nuk u aplikua shërbimi i provës.
Për të pandehurin Ergest Vrioni, të akuzuar për korrupsion aktiv, u vendos masa e dënimit me 1 vit e 6 muaj burg, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 1 vit. Gjykata e pezulloi vendimin dhe e vendosi Vrionin në shërbim prove për 2 vjet.
Gjykata vendosi gjithashtu konfiskimin e vlerës 200 mijë lekë, që sipas SPAK është shuma e dhënë si ryshfet.
Sipas SPAK, pas aksidentit të një viti më parë, specialisti i Policisë Rrugore, Edison Tabaku, ka kërkuar dhe ka marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga i pandehuri, Ergest Vrioni, shumën prej 200 mijë lekësh. Prokuroria pretendoi se Tabaku ka vepruar në bashkëpunim me dy eprorët e tij, Novaku dhe Zeka, të cilët kanë kërkuar shumën e parave në këmbim të mosarrestimit të një shtetaseje që drejtonte një prej mjeteve.
SPAK parashtroi në gjykatë se Belba ka ndërhyrë te Roven Zeka dhe e ka ndihmuar Ergestin me shumën prej 1000 eurosh për t’ia kaluar të pandehurve, me qëllim mosarrestimin e bashkëshortes së tij. Megjithatë, gjykata vlerësoi se Zeka është i pafajshëm.







