
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi të hënën më 18 maj të pranojë kërkesën e SPAK për zgjatjen e afatit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi” me tre muaj për ish-drejtorin e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe ish-administratorin e KESH, Erald Elezi, lidhur me çështjen penale për shkelje të barazisë në procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Për këtë çështje, është nën hetim edhe ish-zv.kryeministrja dhe ish-ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila është nën hetim edhe lidhur me tenderat për lotet e Unazës së Madhe.
Gjyqtari Erjon Çela, e ka gjetur të drejtë kërkimin e SPAK, që zgjatja e afatit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, të fillojë nga e nesërmja e ditës që përfundon afati ligjor i masës së mëparshme.
Elezi dhe Gjyli janë marrë të pandehur për shkelje të barazisë në tendera edhe në një çështje tjetër, që ka si objekt gjykimi fakte penale në shtatë procedura prokurimi, të zhvilluara në vitet 2020-2022, në Agjencinë për Eficencën e Energjisë dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar, gjatë kohës kur titullar i autoritetit kontraktor ka qenë i pandehuri Evis Berberi. Erald Elezi ka qenë atëherë drejtor i Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH, ndërsa Gentian Gjyli ka qenë drejtor i atij institucioni, ashtu si edhe Berberi. Lidhur me kwtw çwshtje, prokurori Dritan Prençi kërkoi një muaj më parë deklarimin fajtor të Elezit dhe Gjylit për shkelje të barazisë në tendera dhe dënimin e tyre me nga një vit burg.







