AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Analiza

Gara pa rivalë e Berishës për drejtimin e PD-së rrezikon ta fundosë politikisht partinë

Partia Demokratike ka përjashtuar të gjithë rivalët e Sali Berishës nga gara për drejtimin e saj këtë javë – duke forcuar kontrollin e tij mbi partinë, por gjithashtu, paralajmërojnë kritikët, duke minuar besueshmërinë e saj.

Fjori SinorukangaFjori Sinoruka
3 weeks më parë
në Analiza
Koha e leximit: 6 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
629763917 1511914657604633 2856722506082357951 n
Sali Berisha gjatë protestës së mbajtur në Tiranë në shkurt, Tiranë. Foto: Nensi Bogdani/BIRN.

Sali Berisha i ka quajtur zgjedhjet e 23 majit për kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Shqipërisë “një proces demokratik dhe modern”.

Megjithatë, në garë është vetëm një kandidat – vetë Berisha, i cili kandidon sërish për t’u rizgjedhur kryetar i partisë.

Edhe pse disa kandidatë potencialë po përgatiteshin të përballeshin me Berishën në votimin e brendshëm, të paktët që shfaqën interes për të kandiduar u skualifikuan shpejt.

Duke shpjeguar këtë zhvillim të pazakontë, Berisha tha se “bashkëpunëtorët e qeverisë dhe krimit nuk pranohen”, duke iu referuar qeverisë së Partisë Socialiste të Edi Rama.

Votimi për drejtimin e partisë erdhi prej humbjes së saj në zgjedhjet e përgjithshme të majit 2025, por është shtyrë për një kohë të gjatë.

Megjithëse partia nisi një proces formal për regjistrimin e kandidaturave për zgjedhjet e brendshme, strukturat e partisë, të kontrolluara nga Berisha, përjashtuan të gjithë kandidatët potencialë, duke pretenduar se ata nuk plotësonin kriteret.

Kandidati potencial më i spikatur ishte ish-deputeti Ervin Salianji, i cili, pasi kaloi rreth një vit në burg për “kallëzim të rremë” ndaj ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ka qenë kritik ndaj partisë që prej dhjetorit të vitit të kaluar, duke bërë thirrje për reforma të brendshme.

Megjithëse dënimi i tij me burg fillimisht u konsiderua politik nga partia, kritikat e tij ndaj Berishës pas lirimit nga burgu nuk janë mirëpritur.

Salianji e quan procesin e përzgjedhjes një “farsë të turpshme”, duke thënë se ai ka minuar besueshmërinë e partisë përballë Partisë Socialiste të Ramës.

“Kjo farsë që po zhvillohet para syve të të gjithë shqiptarëve, duke kulmuar me uzurpimin e turpshëm të Partisë Demokratike, dëmton rëndë besueshmërinë e opozitës, i heq epërsinë morale Partisë Demokratike dhe vë përballë një parti autokratike me një qeveri autokratike,” tha Salianji për BIRN.

Megjithatë, për shkak të dënimit të tij me burg, Salianji është ndaluar të mbajë një post zyrtar për pesë vjet.

Berisha, tashmë 81 vjeç, ish-kryeministër dhe ish-president, ka qenë një figurë dominuese në politikën shqiptare postkomuniste për më shumë se tre dekada.

Rizgjedhja e pritshme e tij në krye të Partisë Demokratike vjen pas humbjes së dukshme të partisë në zgjedhjet e majit 2025, kur ajo fitoi vetëm 50 mandate në parlament kundrejt 83 mandateve të fituara nga Partia Socialiste, e cila siguroi mandatin e katërt qeverisës.

Megjithatë, shumë njerëz vënë në dyshim demokracinë e brendshme të Partisë Demokratike dhe aftësinë e saj për të frymëzuar votues të rinj nëse nuk është e gatshme të dëgjojë zëra kritikë.

Statuti i vetë partisë përcakton që kryetari duhet të japë dorëheqjen nëse humben zgjedhjet e përgjithshme. Kjo nuk ndodhi në rastin e Berishës. I pyetur për këtë, Berisha u përgjigj se zgjedhjet nuk ishin “humbur”, por “vjedhur” nga socialistët në pushtet.

Që atëherë, strategjia e tij ka qenë organizimi i protestave të përmuajshme kundër korrupsionit të pretenduar qeveritar, duke iu referuar disa çështjeve që po hetohen nga SPAK-u.

Megjithatë, vetë Berisha aktualisht është në gjyq për korrupsion. Një pjesë e mirë e retorikës së tij publike përbëhet nga dënimi i Altin Dumani, i cili ishte kreu i SPAK-ut kur nisi hetimi ndaj Berishës.

Luljeta Progni, gazetare me bazë në Tiranë, paralajmëron se “një parti që përjashton anëtarët e saj, qofshin këta kandidatë apo figura të tjera politike, po investon me vetëdije në humbje, jo në fitore.”

“Pas 13 vitesh në opozitë, është e pakuptueshme që një parti ta ngushtojë gjithnjë e më shumë hapësirën politike brenda saj,” tha Progni për BIRN.

“Përjashtimi i kandidatëve u jep legjitimitet atyre që besojnë se beteja për drejtimin e opozitës nuk ka të bëjë me ofrimin e një alternative për elektoratin ndaj qeverisë, por vetëm me ruajtjen e kontrollit mbi partinë,” shtoi ajo.

Një parti e identifikuar plotësisht me liderin e saj?

20251222 184959 scaled e1766426064710 1536x866
Mbështetës të opozitës gjatë një proteste në Tiranë, dhjetor 2025. Foto: BIRN.

Sali Berisha u zgjodh për herë të parë në krye të Partisë Demokratike në vitin 1991 – partia e parë pluraliste e krijuar në Shqipëri pas gati 50 vitesh komunizëm.

Ai kishte marrë pjesë në organizatat studentore dhe protestat që çuan në rrëzimin e regjimit komunist.

Berisha dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë për t’u bërë President i vendit në vitin 1992, por u rikthye në krye të saj në vitin 1997, pasi u largua nga presidenca.

Në vitin 2013, ai dha sërish dorëheqjen si kryetar i partisë pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të atij viti, pasi kishte qeverisur për tetë vite si kryeministër.

Por ai u rikthye përsëri në vitin 2021, kur ish-kryetari i partisë, Lulzim Basha, u distancua prej tij dhe vendosi ta përjashtonte nga partia, pasi Berisha u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Berisha udhëhoqi më pas një lëvizje politike brenda partisë dhe një betejë ligjore që përfundoi me rikthimin e tij në krye të Partisë Demokratike. Megjithatë, që nga ajo kohë, ai nuk ka arritur të fitojë asnjë përballje elektorale kundër socialistëve.

Gentian Gaba, aktivist i partisë dhe kritik i Berishës, thotë se aktualisht Partia Demokratike duket më shumë se kurrë e identifikuar me figurën e Berishës.

“Edhe pse kam qenë pjesë e një përpjekjeje disavjeçare për reformimin e Partisë Demokratike, duhet të them se ajo është një parti sui generis, e cila sot identifikohet më shumë se kurrë me figurën e Berishës, i cili për një pjesë të madhe të periudhës së tranzicionit ka qenë vetë identiteti i saj politik, emocional dhe historik,” tha Gaba për BIRN.

Sipas Gabës, “gara” aktuale për drejtimin e partisë pasqyron një konsensus të brendshëm brenda PD-së.

“Në këto kushte, mendoj se kjo ‘garë’ është vetëm një shfaqje e konsensusit të brendshëm për pranimin e këtij realiteti politik në Partinë Demokratike, ndërsa delegjitimimi i rivalëve, nisur nga qasja dhe retorika e kandidatëve, tregon një dëshirë për të mos e rikthyer partinë në një cikël të ri përplasjesh,” shtoi ai.

Një parti “e kapur” nga kryetari i saj

584452671 1439715724824527 6735276001343451340 n
Sali Berisha gjatë një protestëe të mbajtur në Tiranë. Foto: Nensi Bogdani/BIRN.

Meqenëse rikonfirmimi i Sali Berishës si kryetar i partisë konsiderohet pothuajse i sigurt, pyetja kryesore mbetet nëse ai mund t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme lokale apo parlamentare, duke pasur parasysh se Partia Demokratike ka humbur disa herë përballë socialistëve të Edi Ramës.

Një nga kritikat kryesore ndaj drejtimit të tij është se identifikimi i fortë i partisë me figurën e Berishës ka kontribuar në fitoret e Ramës.

Ergys Mërtiri, sociolog dhe analist politik me bazë në Tiranë, thotë se “zgjedhjet pa garë për drejtimin e Partisë Demokratike tregojnë kapjen e plotë të partisë nga kryetari i saj”.

“Ai është i vendosur të mos lejojë asnjë mendim ndryshe, kritikë apo zë kundërshtues, apo çdo përpjekje për të diskutuar problemet reale të partisë, e cila ndodhet në krizën më të thellë që ka përjetuar ndonjëherë një parti e madhe në këtë vend,” tha Mërtiri për BIRN.

“Kjo do të thotë se Partia Demokratike po shkon drejt një autokracie të plotë, larg hapjes për t’u kthyer në një alternativë qeverisëse,” shtoi ai.

Mërtiri beson se Berisha është, në fakt, arsyeja kryesore pse partia nuk arrin të fitojë zgjedhjet.

“Ai ka frikë se çdo reflektim mbi gjendjen e partisë do të çojë në artikulimin e të vërtetave të pamohueshme, që tregojnë se partia është zhytur në degradim dhe duhet të ndryshojë rrënjësisht për t’u rikthyer në garën për pushtet – çka do të thotë se Berisha duhet të largohet, pasi ai është personi që e mban partinë të paaftë për të konkurruar,” tha Mërtiri.

“Së fundi, ajo do të jetë një parti që përdoret si një ‘bombol oksigjeni’ për ta mbajtur Sali Berishën në politikë, pa asnjë mundësi reale për të sfiduar Partinë Socialiste në marrjen e pushtetit,” përfundoi ai.

Luljeta Progni pajtohet me idenë se një parti që nuk arrin të zhvillojë një garë reale për drejtimin e saj do ta ketë të vështirë të bindë elektoratin se mund të garantojë standarde më të larta demokratike në qeverisjen e vendit.

“Prej 13 vitesh dhe rreth shtatë betejash elektorale të humbura, opozita vazhdon të përjashtojë dhe injorojë garën, përballjen e ideve dhe alternativave brenda saj,” tha ajo.

“Duket se ky lidership është më i interesuar të menaxhojë humbjen sesa të ndërtojë fitoren,” shtoi Progni.

Shënim: Ky shkrim u korrigjua për të saktësuar se Salianji u dënua për kallëzim të rremë ndaj ish-ministri Fatmir Xhafaj.

Etiketa: Edi RamaErgys MërtiriErvin SalianjiGentian GabakryetarLuljeta ProgniPartia DemokratikePartia SocialisteSali Berishazgjedhje
Tjetri
foto keshilli

Konsensusi për rregulloren e Kuvendit: PD fiton minutat, PS ruan komisionet

I akuzuari për kontrabandën e cigareve fiton lirinë me 1 milion euro garanci

Katërmbëdhjetë të akuzuar si pjesë e ISIS dënohen me 112 vjet burg

15:50 | 11/06/2026
640 0 1737360265xkushi 919

Ishulli si magjepsje

15:00 | 11/06/2026
nje meme me simbolin e flamingove ne protesten kunder projektit ne zvernec. foto nensi bogdani

Nga bulevardi në rrjetet sociale: Fuqia e memeve të protestës

07:24 | 11/06/2026
protesta 10 qershor 202t6

Shqipëria përjeton protestën më të madhe në dekada

01:01 | 11/06/2026
veliaj ndreca

Mungesa e avokatëve bëhet shkak për shtyrjen e gjyqit ndaj Erion Veliajt

17:00 | 10/06/2026
rama balluku ne fier

‘Realiteti paralel’ i mitingjeve të Ramës përballë mijëra protestuesve

13:25 | 10/06/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.