
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë rrëzoi të premten më 5 qershor kërkesat e gazetarëve dhe të ish-Presidentit Ilir Meta e ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi për të transmetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në televizion gjithë seancat e çështjes penale në ngarkim të tyre, që po shqyrtohet me procedurë të zakonshme. Po ashtu, u rrëzua edhe kërkesa për qëndrimin jashtë kabinës së xhamit gjatë seancave gjyqësore.
Rrëzimi i kërkesës ngjalli revoltë tek mbrojtësi i Metës, avokati Kujtim Cakrani, i cili e cilësoi gjykatën si cinike. Cakrani deklaroi se Meta po krahasohej me rastet e një terroristi rus e një ukrainasi.
Kryesuesi i trupit gjykues, Erjon Bani i hoqi vërejtje dhe e paralajmëroi se do të urdhëronte nxjerrjen jashtë nëse vijonte të përdorte fjalor pa etikë dhe nëse nuk do respektonte procedurën.
I pandehuri Ilir Meta e gjeti të drejtë vërejtjen ndaj avokatit të tij, ndërkohë që deklaroi se nuk ishte i rëndësishëm për të qëndrimi brenda ose jashtë kabinës së xhamit. Ai nënvizoi se vlerëson të rëndësishëm transmetimin live, me qëllim që të gjithë të mund të ndjekin procesin drejtpërdrejtë. Edhe e pandehura Kryemadhi vërejti se për atë, është shumë i rëndësishëm transmetimi live i seancës, që të mos shtrembërohen ato çfarë deklarohen në sallë.
Ndërkohë, gjykata pranoi kërkesën për vendosjen në dispozicion të akteve lidhur me përgjigje të kryera nga prokuroria, si dhe u mundësua hapja e një USB-je, për të cilën nga sa shpjegoi prokurori ishte dhënë gabim një numër i kodit.
Pasi u përmbyll shqyrtimi i gjithë kërkesave paraprake, gjykata deklaroi të çelur shqyrtimin gjyqësor dhe i dha fjalën prokurorëve të SPAK, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi që të parashtronin faktet e akuzës dhe kërkesat për provat.
Gjatë seancës të premten që zgjati katër orë e gjysmë, prokurori Kllapi parashtroi faktet për katër prej çështjeve të ngritura ndaj të pandehurve, atë të aferës së CEZ-DIA, për futjen në tregun e fibrave optike dhe marrëveshjen e interkonjeksionit, për shpenzimet e padeklaruara të kryera prej kryemadhit nëpërmjet kartave të kreditit të disponuara nga administratori një shoqërie, si dhe për lobimet në SHBA.
Kllapi renditi provat dhe dëshmitë e siguruara në çështjen e CEZ, duke pretenduar se provonin influencën dhe përfitimet e Metës. Këto marrëdhënie, sipas SPAK, kanë ndikuar në procesin e përzgjedhjes së DIA-s për të kryer shërbimet e mbledhjes së borxheve të CEZ-it, megjithëse nuk përmbushte kriteret.
Po ashtu, Kllapi pretendoi se Meta dhe Kryemadhi, duke përdorur funksionet që kishin në vitin 2014, kanë ndikuar me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit në favor të kompanisë së Adrian Shatkut. Kllapi vërejti se është vërtetuar i pandehuri Pirro Xhixho, në cilësinë e kryetarit të AKEP, ka ndikuar atëherë për filnalizimin e marrëveshjes në favor të Shatkut.
Sipas Kllapit, Meta dhe Kryemadhi kanë përfituar nga fitimi kompanisë, si dhe janë pajisur me karta krediti. Prokurori deklaroi se nga provat e siguruara rezulton se Kryemadhi ka kryer blerje me kartën e kreditit të Shatkut, ku vetëm në një dyqan ka rezultuar të jenë shpenzuar 12 mijë USD.
Lidhur me çështjet e lobimit në SHBA, prokurori Kllapi vërejti se për kontratën me grupin McKeon Inc nuk është ngritur ndonjë akuzë ndaj Metës, pasi nuk janë ngritur dyshime për vlerën 15 mijë euro të paguar nga ana e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërkohë, ai shtoi se për kontratën e lobimit të lidhur me kompaninë Global Security and Inovative Solution LLC, rezulton për në funksion të kësaj kontrate të ligjshme, janë kryer edhe pagesa në mënyrë të kundërligjshme përmes një shoqërie të Shatkut. Sipas prokurorëve, kundrejt këtyre pagesave është përfituar shërbim në favor të Metës.
Ndërkohë, për shkak se u tejkalua orari zyrtar, u dakordësua që parashtrimet për çështjet e tjera, blerjen e një apartamenti duplex në zonën e njohur si “ish bllok” dhe shpenzimet mjekësore, të trajtohen në seancën e ardhshme.
Ish-presidenti Ilir Meta mori fjalën për të bërë deklarime rreth parashtrimeve të prokurorisë. Ai vërejti se vetë prokurori deklaroi se në përfundim të hetimit të çështjes së lobimit, ka dalë se për kontratën me kompaninë McKeon Inc, kishte vetëm një faturë në vlerën 15 mijë dollarë. “Jam i revoltuar se kur jam pyetur për këtë çështje e kam bërë të qartë se ka pasur vetëm një pagese prej 15 mijë dollarë, me vendim të kryesisë së LSI-ë dhe që është kryer më bankë”. Sipas Metës, SPAK ka marrë në shtator 2024 letër-porosi sikur janë kryer takime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pagesa të kundërligjshme. Ai theksoi se pasi u arrestua në tetor, në muajin nëntor nga ardhur përgjigje tjetër nga SHBA lidhur me këtë çështje, duke u bërë saktësimi se ishe vetëm një pagesë.
Meta i akuzoi prokurorët se jo vetëm nuk ia kishin komunikuar letër-porosinë e dytë, por e kishin pyetur sërish në janar për marrëveshjen me McKeon Inc.
Lidhur me kontratën e lobimit me shoqërinë Global Security and Inovative Solution LLC, Meta deklaroi se nuk kishte nënshkruar prej tij. sipas Metës, marrëveshja është kryer mes LSI-së dhe kësaj shoqërie dhe se pak kohë më vonë ai ishte larguar nga kjo parti pasi po kryhej procedura për zgjedhjen si president.
Për një takim të pretenduar nga prokuroria se Meta e kishte kryer si drejtues i LSI-së, ai shpjegoi se nuk kishte asgjë të kundërligjshme që kur në një takim si Kryetar i Kuvendit ë prezantoheshe dhe si përfaqësues i një partie politike.
Lidhur me pagesat e kryera nga Shatku shoqërisë Global Security and Inovative Solution LLC, Meta deklaroi se ato ai i kishte kryer për arsyet e kompanisë së tij dhe jo për LSI-në. Sipas Metës, kjo gjë ishte e provuar se ato pagesa nuk kanë lidhje me LSI-në.
“Unë nuk jam faturist dhe s’kam dijeni per pagesat e Shatkut”, tha Meta dhe shtoi se askush nuk i ka penguar prokurorët që të drejtojnë pyetje tek autoritetet e SHBA-së dhe të verifikojnë. “Mbaj përgjegjësi të plotë për pjesën e kontratës kur isha kryetar i LSI-së”, deklaroi ai.
Lidhur me ndikimin tek kreu i AKEP, Piro Xhixho, Meta argumentoi propozimi bëhej nga kryeministri që në atë kohë ishte Rama dhe se nuk qëndronte konstatimi i SPAK se e kishte emëruar ai në atë pozicion. Meta pretendoi se prokuroria po e politizon çështjen e tij, megjithëse nuk dëshiron që të ndodhi diçka e tillë.
Për akuzat e ngritura për çështjen CEZ-DIA, i pandehuri Meta pretendoi se prokuroria kishte bërë gabim që kishte fshehur dëshminë e drejtorit të CEZ, Josef Hajsek të dhënë para prokurorit Ndini Tavani. Sipas Metës, Hajsek ka deklaruar se nuk e di kush i ka bërë propozimet për kompaninë fituese.
Në vijim, Meta theksoi se mban përgjegjësi vetëm për veprimet e tij individuale. Ai theksoi se ashtu si Kryemadhi nuk ka lidhje me çështjen e CEZ-DIA, ashtu dhe ai nuk ka pasur asnjë dijeni për kartat e kreditit dhe shpenzimet e kryera nëpërmjet tyre.
Seanca e radhës u shty për më datë 18 qershor, në orën 10:00 kur pritet që prokuroria të përmbyllë parashtrimet dhe të paraqesë kërkesat për provat.
Prej tetorit të vitit 2024, ish-presidenti Ilir Meta, i cili aktualisht mban dhe pozicionin e kryetarit të Partisë së Lirisë, gjendet në burg, pasi gjykata pranoi kërkesën e SPAK për caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” ndaj tij. Kërkesat e njëpasnjeshme për caktimin e një mase më të butë, janë rrëzuar nga gjykatat. Meta dhe të pandehurit e tjerë i kanë kundërshtuar publikisht akuzat e ngritura si të montuara politikisht.






