
Komisionerja për Zgjerim e Komisionit Europian, Marta Kos deklaroi të hënën se kishte marrë garanci nga qeveria shqiptare se projekti turistik i planifikuar në Zvërnec do t’u nënshtrohej rregulloreve mjedisore dhe se një vlerësim i ndikimit në mjedis ishte në proces.
I pyetur nga BIRN se kush ishin konkretisht garancitë e dhëna nga qeveria shqiptare për këtë projekt, Komisioni Europian referoi komentet e zëdhënësit Markus Lammert në një dalje për mediat të martën, ku ai ripërsëriste qëndrimin e komisioneres Kos.
“Komisioni Evropian është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare dhe, në rastin e projektit në zonën e Pishë Poro-Nartë (si dhe për të gjitha projektet në vazhdim në Shqipëri), ai duhet të jetë në përputhje me standardet e përcaktuara në kapitullin e mjedisit të procesit të anëtarësimit, pra Kapitullin 27,” deklaroi Lammert.
Ai shtoi se roli I Komisionit do të jetë verifikimi nëse standardet përkatëse janë përmbushur realisht.
Projekti i ndërtimit të një resorti masiv në një habitat të mbrojtur, i prezantuar fillimisht nga dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner shërbeu si shkëndijë për protesta masive në Tiranë. Prej dy javësh, dhjetramijëra protestues kërkojnë jo vetëm anulimin e projektit, por edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Qëndrimi i Komisionit Europian është pritur me zhgënjim nga organizatat mjedisore në Shqipëri, të cilat e konsideruan deklaratën e Kos “të papranueshme dhe thellësisht shqetësuese”.
Ata i bënë thirrje të martën Komisionit Europian që të mos pranojë ‘garanci politike’ nga qeveria shqiptare, por të verifikojë faktet në terren që tregojnë se po dëmtohet pa kthim zona e mbrojtur e Zvërnecit.
“Në vend që të denoncojë ndërhyrjet e paligjshme që tashmë e kanë dëmtuar Vjosë–Nartën, Komisioni zgjedh të mbështetet në “garanci” politike dhe të zhvendosë vëmendjen drejt procedurave të ardhshme,” tha në një deklaratë publike PPNEA, Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri .
Sipas organizatës ,‘çdo qasje që injoron dëmin e shkaktuar dhe paligjshmërinë në terren minon besueshmërinë e vetë standardeve të Bashkimit Europian.”
PPNEA i kërkoi gjithashtu Komisionit Europian që të dënojë urgjentisht zhvillimet e paligjshme të ndodhura dhe t’i bëjë thirrje Qeverisë shqiptare për vendosjen e një moratoriumi të menjëhershëm mbi të gjitha aktivitetet dhe punimet, deri në shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura.
Në qëndrimin e kësaj organizate përfshihet dhe një deklaratë e Anouk Puymartin, Drejtuese e Politikave në BirdLife Europe and Central Asia, që e quan ‘tronditëse’ qëndrimin e Komisionit Europian.
“Nëse Komisioni nuk sheh shkatërrimin që po ndodh në Vjosë–Nartë, të paktën duhet të dëgjojë zërin e qindra mijëra shqiptarëve që kërkojnë ndalimin e tij. Kjo nuk është vetëm çështje e mbrojtjes së natyrës, por edhe e besueshmërisë së Bashkimit Europian. Ligjet e BE-së duhet të zbatohen në praktikë,” deklaroi Puymartin.
Edhe organizata Eco Albania shpreh zhgënjim për deklaratën e Kos, që sipas saj, “redukton një problem serioz të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së natyrës në një çështje garancish të dhëna nga vetë autoritetet që kanë lejuar shkeljet”.
“Faktet tregojnë se garancitë e përmendura nga Komisionerja janë minuar nga vetë mënyra se si është zhvilluar projekti”- thuhet në deklaratë, duke risjellë në vëmendje se punimet në terren, përfshirë rrethimet, ndërtimin e kantierit të punës dhe rrugëve të aksesit nisën përpara se autoriteti mjedisor të vendoste që projekti duhet t’i nënshtrohej një Vlerësimi të Thelluar të Ndikimit në Mjedis.
Sipas organizatës, ky qëndrim i Brukselit trondit dhe besimin e shqiptarëve tek vlerat e Bashkimit Europian.
“Qytetarët nuk presin nga BE të mbështesë qëndrimet politike; ata presin që BE të mbrojë standardet. Dhe kur standardet relativizohen përballë fakteve të qarta të shkeljeve procedurale dhe dëmtimit të natyrës, nuk vihet në pikëpyetje vetëm fati i Pishë Poro-Nartës, por edhe besueshmëria e vetë projektit evropian në sytë e qytetarëve shqiptarë,” përfundoi Eco Albania.







