Ambasada e SHBA-ve në Tiranë deklaroi se e “mirëpret” vendimin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për të përjashtuar Tom Doshin: Prokurori i Përgjithshëm të hetojë!
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë përshëndeti përmes një njoftimi për shtyp të paprecedent largimin nga radhët e partisë Socialiste të deputetit Tom Doshi. Doshi u përjashtua sot pasi hodhi akuza të rënda ndaj qeverisë dhe kryetarit të Kuvendit Ilir Meta. Doshi deklaroi se Ilir Meta ka porositur vrasjen e tij ndërsa deklaroi se ka njoftuar për këtë çështje, mes të tjerash edhe Senatin Amerikan.
Por ambasada e SHBA-së në Tiranë tha: Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar Z. Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale”.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë rrallë herë shprehet në mënyrë kaq të prerë kundër një politikani shqiptar.
“Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht kanosjen e krimit dhe korrupsionit ndaj shoqërive të lira dhe demokratike. Nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive”, vijon më tej deklarata e ambasadës.
Tom Doshi ka qenë një nga gjashtë politikanët e cilësuar nga ish ambasadori John L. Ëithers si kriminelë në kuvend. Kabllograma me kod TIRANA552 me titull: “Kriminelët që bëjnë ligjin në parlamentin shqiptar” e datës 9 gusht 2009, e rendit Doshin të parin në listën me gjashtë deputetë, ku përfshihen edhe Lefter Koka, Sokol Olldashi, Lulzim Basha, Paulin Sterkaj dhe Gramoz Ruçi.
“Ai është i njohur si deputeti më i pasur në kuvend me pasuri të deklaruar prej më shumë se 15 milionë dollarësh dhe dyshohet gjithashtu për trafik lëndësh narkotike,” thuhet në kabllogramën e firmosur nga ambasadori John L. Withers. Kabllograma u publikuan në vitin 2011 nga organizata Ëikileaks. Si rregull, Departamenti i Shtetit nuk konfirmon dhe as nuk përgënjeshtron vërtetësinë e kabllogrameve të publikuara.
Ndërkohë, në deklaratën e sotme për shtyp, Ambasada e SHBA-së në Tiranë deklaroi se mbështet me forcë përpjekjet aktuale për të zbatuar Rezolutën e 24 dhjetorit 2014 të Kuvendit të Shqipërisë, rezolutë që kërkon dekriminalizimin e parlamentit dhe që qe iniciuar nga Partia Demokratike në Opozitë.
“I bëjmë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë të hetojë dhe ndjekë penalisht kriminelë dhe zyrtarë të korruptuar në të gjitha nivelet,” vijon më tej deklarata e Ambasadës.