Në qytezën e Gevrelijës në jug, pranë kufirit me Greqinë, një numër gjithnjë e më i madh emigrantësh të rraskapitur vijojnë udhëtimin e tyre drejt veriut përmes Maqedonisë drejt Europës Perëndimore.
Në fillim të shtatorit, Maqedonia mund të përballet me një krizë të rëndë refugjatës e cila mund të rigjallërojë kujtimet e katastrofës humanitare të vitit 1999, kur 300 mijë njerëz ikën nga Kosova dhe u strehuan në kampin e refugjatëve në Stenkovec pranë kufirit.
Sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut, së paku 10 mijë emigrantë pritet të kalojnë kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë në ditët e para të shtatorit, duke shtuar një problem që po rritet në vendin ku autoritetet sakaq po përballen me vështirësi me të.
Në vetëm 30 ditë pas 19 qershorit, rreth 21 mijë njerëz aplikuan për statusin e refugjatit në Maqedoni. Shumica e tyre – rreth 15 mijë vetë – qenë nga Siria. Situata mund të bëhet edhe më kritike për shkak se, sipas medias së Greqisë, Athina nuk e di se çfarë duhet të bëjë me 36 mijë emigrantë në kampin më të madh të refugjatëve në vend dhe shumë prej tyre mund t’i drejtohen Maqedonisë.
Hungaria po ndërton një gardh në kufirin e vet me Serbinë në përpjekje për të ndaluar emigrantët që vijnë nga jugu, por Maqedonia ka ndjekur një taktikë të ndryshme.
Qeveria e Maqedonisë e ndryshoi ligjin për të lejuar në mënyrë të ligjshme emigrantët të udhëtojnë përmes këtij vendi për 72 orë pasi u përball me kritika se po i vendoste ata në rrezik të grabitjeve, rrëmbimeve dhe vrasjeve ndërsa ata përpiqeshin të fshiheshin nga autoritetet.
Zyrtarët premtuan gjithashtu të ndërtojnë një kamp refugjatësh në kufirin jugor pranë qytezës Gevgelija për të organizuar kujdes shëndetësor dhe për t’i transportuar ata në kufirin verior me Serbinë.
Por deri tani, këto premtime nuk janë përmbushur. Informacioni i fundit është që autoritetet vendore në Gevgelija kanë në plan të themelojnë një kamp refugjatësh të sajuar në magazinat e ish kompanisë bujqësore Vinojug.
Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë frikë se autoritetet mund të vendosin të ndërmarrin masa kufizuese ose të mbyllin kufirin jugor të Maqedonisë në mënyrë që të shmangin përmbytjen me emigrantë në rast se Serbia fillon të dërgojë emigrantët pas drejt Maqedonisë dhe Greqia vijon t’i lërë ata të ikin në veri.
Ndërkohë emigrantët vijojnë të mblidhen në stacionin hekurudhor Gevgelija që të vijojnë udhëtimin e tyre të gjatë drejt Europës Perëndimore, të lodhur dhe të rraskapitur e shpesh të sëmurë e të uritur.
“Unë nuk do të kthehem kurrë në Siri. Kurrë më!” tha njëra prej tyre, një grua e quajtur Rola për BIRN ndërsa po priste për një tren nate për të shkuar me familjen e saj në kufirin me Serbinë.
“Bashkëshorti im qe në ushtrinë e Sirisë. Ai humbi një sy në betejë. Ne deshëm të ikim më herët, por nuk kishim para,” shpjegon ajo.
“Na u deshën katër vjet për të mbledhur paratë për këtë udhëtim. Një udhëtim drejt një jete më të mirë, shpresoj. Ne shitëm gjithçka që kishim, tashmë nuk kemi asgjë. Ne duam vetëm të mbërrijmë në Gjermani,” shtoi ajo.
David, 23 vjeç, tha se gjëja më e vështirë për të qe të linte bashkëshorten dhe fëmijët e tij në Siri.
“Plani im është të shkoj në Belgjikë dhe pastaj të siguroj dokumentet që duhen për të sjellë familjen time. Pastaj dua të shkoj në SHBA sepse kam kushërinj atje,” shpjegoi ai.
“Nuk kam frikë të jem i ndryshëm në Amerikë. Të gjithë nëpër botë thonë se problemi është për religjonin. Por në fakt nuk është kështu. Miqtë e mi janë myslimanë, unë jam kristian, ne kalonim mirë bashkë. Unë nuk kam frikë se do të trajtohem ndryshe në Amerikë sepse atje ka demokraci. Unë besoj në demokraci,” tha ai.