Pas dokumentimit të rreth 100 ushtarëve serbë në Hollandë që vdiqën gjatë Luftës së Parë Botërore, holandezi Fabian Vendrig ka ndërmarrë në një tjetër sfidë – gjetjen e familjeve të tyre.
Kur ai pa herë të parë një monument për ushtarët serbë në fshatin holandez të Garderenit, Fabian Vendrig u intrigua dhe nga kurioziteti i madh, filloi hulumtimin se kush ishin ata dhe pse vdiqën atje.
“Ne bëmë kërkime në arkivat e komunave holandezë dhe arkivat provinciale, dhe nëpërmjet ambasadës serbe në Holandë siguruam të drejtë aksesi në arkivat jugosllave dhe serbe,” shpjegoi Vendrig, i cili punon në një kompani IT dhe filloi kërkimin si një hobi me gruan e tij serbe Tanjën dhe një mik holandez John Stienen.
Për të mos bërë gabime në lidhje me identitetet e ushtarëve, Vendrig dhe ekipi i tij i vogël krahasuan dokumentet holandeze dhe ato jugosllave. Si rezultat, ata morën emrat e të gjithë ushtarëve serbë që vdiqën në Holandë gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore – një total prej 92 personash.
Fillimisht ata u varrosën në disa varreza në Hollandë, tha Vendrig.
“Më vonë ata u zhvarrosën dhe zbuluam në arkivat jugosllave se ata ishin transportuar në Jindrichovice , mauzoleumi serb në Republikën Çeke.”
Informacioni i marrë deri më tani është publikuar në një faqe interneti të quajtur www.secanje.nl në holandisht, serbisht dhe anglisht.
“Kjo është shumë e rëndësishme sepse kjo është historia jonë përbashkët,” shpjegoi Vendrig.
Holanda ishte një shtet neutral në Luftën e Parë Botërore dhe çdo i burgosur i arratisur lufte ose refugjatë që arritën të hynin në vend, u strehuan aty. Në vitin 1917, Gjermania dhe Britania nënshkruan një marrëveshje për të sistemuar 17,000 të burgosur lufte në territorin holandez.
Kur lufta më në fund mbaroi, sipas artikujve të gazetave nga viti 1919, një total prej 222,347 burgosurish kishin ardhur nga kampet e burgimit në Gjermani dhe 4,316 prej tyre ishin serbë.
Tetëdhjetë e shtatë të burgosur serbë vdiqën gjatë shpërthimit të një gripi spanjoll në janar të vitit 1919, ndërsa pesë të tjerët vdiqën nga shkaqe të ndryshme të tjera më parë.
Megjithatë, gërmimi në të kaluarën për të gjetur familjet e ushtarëve të vdekur nuk ishte diçka e lehtë. Vendrig, gruaja e tij Tanja dhe kolegu i tij vendosën se duhet të shkonin në atdheun e ushtarëve nëse donin të dinin historinë e plotë të ngjarjeve.
“Plani ishte të merrnim një makinë dhe të udhëtonim nëpër Serbi në kërkim të monumenteve të Luftës së Parë Botërore. Nëse kishte ende një monument të Luftës së Parë Botërore, atëherë mund të shikonim nëse të kishte ndonjë emër. Kjo do të mund të na jepte ndonjë të dhënë,” tha Vendrig me optimizëm.
“Ishte një mister i madh. Ne donim të dinim nëse mund të gjenim pasardhës. Dhe gjetëm katër familje. Donim të zbulonim më shumë,” shtoi ai.
Një nga katër familjet që ata arritën të gjenin në udhëtimet e tyre në të gjithë vendin ishte ajo e ushtarit Milosh Gavrovic, në fshatin Milocaj pranë Kraljevos në Serbinë qendrore.
Gavrovic në fakt ishte nga i njëjti fshat si Tanja, gjë e cila e bëri më të lehtë kontaktin me pasardhësit e tij.
“Vjehrri im shkoi të pyeste një prej fshatarëve rreth ushtarit. Ai i tha se ishte xhaxhai i tij, por ishte i sigurt se kishte vdekur në Gjermani dhe jo në Hollandë,” kujton Vendrig.
Më vonë ata i bënë atij një vizitë, i dhanë fotografi, dokumente dhe certifikatën e vdekjes. “Ai është shumë mirënjohës sepse tani ai e di fatin e xhaxhait të tij,” tha Vendrig.
Disa njerëz në Serbi kanë dëgjuar për atë që Vendrig e quan projektin e tij të përbashkët të historisë, edhe pse në vendin e tij është shumë pak i njohur.
“Në Holandë kjo gjë nuk merr shumë vëmendje,” tha ai. “Por në Serbi, kur gjejmë një familje, ky është tashmë një sukses i madh. Nuk ka të bëjë me ne, por me ata, me ushtarët e rënë.”
Përveç mbajtjes gjallë të kujtimit të atyre ushtarëve, Vendrig shpjegoi se ai ka gjithashtu edhe një tjetër arsye pse i kushton kohën e tij të lirë gjetjes së familjeve të viktimave serbe të Luftës së Parë Botërore.
“Jo vetëm ne në Hollandë duhet të fokusohemi në luftërat e viteve 1990 në të cilat Serbia ishte e përfshirë, por duhet gjithashtu të ndërmarrim një perspektivë më të gjerë,” tha ai.
“Dua të tregoj se Serbia nuk është vetëm ajo e luftërave të viteve 1990 dhe se ka më shumë gjëra të mira sesa anë të këqija.”