Dy artistë Belgë ekspozojnë në Tiranë pikëvështrimin e tyre për botën, të parë nga fotografitë e shkrepura nga kompania Google, nëpërmjet makinave me aparatë fotografikë të montuar.
Ekspozita e organizuar nga Tirana Art Lab, që nisi me projektin “Le të fillojmë nga mesi,” prezanton dy artistë nga Brukseli, Effi dhe Amir. Arti i tyre bashkëkohor konsiston në kërkimin vizual në botën e “Google Street View”. Ata trajtojnë shumëllojshmërinë e qasjeve filmike ndaj një fotografie ekzistuese.
‘Google Street View’ ofron një realitet paralel tashmë të dokumentuar. Brenda pafundësisë së kësaj pamjeje të botës, rikornizimi i saj është e vetmja mënyrë me anë të së cilës mund të operojnë artistët.
Artistët kanë zgjedhur këtë titull “Le të fillojmë nga mesi” ku mesi për ta nënkupton një realitet të tretë midis asaj që paraqitet dhe asaj që është në të vërtetë, fokusuar në Bruksel dhe Tiranë, për sa i përket adresimit të çështjeve që i shqetësojnë të dyja vendet njëherësh.
Të ftuar në këtë ekspozitë të kuruar nga Adela Demetja ishin dhe artistë të tjerë shqiptarë si Matilda Odobashi, Era Tula, Driton Selmani, Pleurad Xhafa dhe Ergin Zaloshnja.
“Në Shqipëri kemi ardhur për herë të parë para 10 vjetësh,” pohon Amir. “Pasi jemi takuar me Adelën dhe më pas me artistë të tjerë, na pëlqeu ideja që një ditë këtë projekt ta realizonim këtu,” shtoi ai.
Tirana Art Lab është themeluar në vitin 2010 me qëllim për të promovuar artistë nga Shqipëria si dhe nga Europa.
Qendra mbështet prodhime të reja nga artistë të ndryshëm. Tirana Art Lab përfshin një spektër të madh të ngjarjeve kulturore në sferën e artit bashkëkohor, si ekspozita, festivale filmi, seminare, koncerte dhe botime të artit.