Me një vendim të ndërmjetëm, Gjykata vendosi pezullimin e zbatimit të masave të ashpra ndëshkimore për evazorët e vegjël fiskalë deri në përfundim të gjykimit të çështjes në themel.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë urdhëroi sot qeverinë të mos e zbatojë ndryshimet e shumëdebatuara në ligjin për Procedurat Tatimore, të cilat synonin të ashpërsonin në ekstrem masat ndëshkimore për evazorët e vegjël të tatimeve dhe taksave dhe që parashikonin masa ndëshkimore disproporcionale me dëmin e shkaktuar nga evazorët e vegjël. Duke iu përgjigjur kërkesës së Shoqatës për Mbrojtjen e Tregut dhe Tregtarëve, gjykata vendosi si masë e ndërmjetme pezullimin e ndryshimeve ligjore të miratuara në Kuvendin e Shqipërisë në shtator, deri sa kjo gjykatë të japë një vendim përfundimtar mbi kushtetutshmërinë e këtyre masave.
Duke synuar të luftojë evazionin fiskal, qeveria propozoi shumëfishimin e gjobave për shkelje të vogla, si psh, gjobë 500 mijë lekë të rinj për shitje pa kupon tatimor, pavarësisht kundërshtimeve të grupeve të biznesit dhe ekspertëve, të cilët argumentojnë se masa të tilla ndëshkimore janë të pazbatueshme në kushtet aktuale të Shqipërisë për shkak se një gjobë e tillë mjafton të falimentojë pjesën dërrmuese të bizneseve të vogla.
“Urdhërohet pezullimi i zbatimit të ligjit nr.99/2015 “Për disa ndryshime në ligjin nr.9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar””, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të publikuar sot.
BIRN pati argumentuar më herët se masat ndëshkimore ekstreme të kësaj natyre mund të jenë në kundërshtim me parimet e së drejtës Europiane, veçanërisht parimit të proporcionalitetit.
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka diskutuar përgjatë historisë së vet shumë raste të gjobave tatimore dhe, ndonëse pranon se qeveritë kanë të drejtë të ndërmarrin masa të ashpra për llogari të efikasitetit të mbledhjes së detyrimeve fiskale, ka argumentuar gjithashtu se këto masa konsiderohen si joproporcionale dhe në shkelje të ligjit europian në rast se e vendosin tatimpaguesin në gjendje tepër të vështirë.
Gjykata e Strazburgut ka diskutuar çështje të ngjashme në kuadër të nenit 1 të konventës. Neni 1 garanton të drejtën e gëzimit në paqe të pronës, e drejtë kjo që është e balancuar me interesin publik apo të drejtën e shtetit për të mbledhur taksa, kontribute apo penalitete. Në vitin 2007 psh, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut cilësoi Greqinë fajtore për dhunim të nenit 1, të drejtës së pronës, për shkak se gjoba që ky shtet i kishte vënë kompanisë Mamidakis të shpallur fajtore për kontrabandë me mallrat e akcizës e kishte vendosur këtë kompani në gjendje falimenti.