Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto dha dorëheqjen me motivin e “angazhimit të mëtejshëm në parti” dhe u zëvendësua nga Sokol Dervishaj.
Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto dha dorëheqjen nga kabineti qeveritar të premten me argumentin e “angazhimit të mëtejshëm në parti”. Haxhinasto, i cili përfaqësonte Lëvizjen Socialiste për Integrim në qeverinë “Rama” është ministri i dytë i partisë së vogël të koalicionit që jep dorëheqjen në harkun kohor të një viti.
Kryeministri Rama konfirmoi përmes zyrës së tij të shtypit dorëheqjen e Haxhinastos, pa dhënë sqarime të mëtejshme. “Kryeministri e ka falenderuar për punën e bërë në krye të dikasterit dhe kontributin e tij aktiv në skuadrën qeveritare dhe bashkëpunimin shumë të mirë me të,” thuhet në njoftim.
Dorëheqja e ministrit të Transporteve dhe Infrastrukturës vjen pas një gushti të mbushur me hamendësime mediatike për kontradikta mes aleatëve Rama dhe Meta apo për riformatim të qeverisë me fillimin e shtatorit. Megjithatë, largimi i Haxhinastos nuk duket të ketë zënë në befasi asnjërin prej drejtuesve të koalicionit qeverisës.
Tre ditë më parë, Rama dhe Meta u fotografuan duke drekuar në një restorant në qendër të Tiranës. Pas drekës, Meta iu përgjigj interesimit të medias me shprehjen “e ardhmja e koalicionit nuk ka pse të diskutohet”.
Ish-kryeministri Berisha-i cili e ka pasur Haxhinaston pjesë të kabinetit të tij gjatë aleancës PD-LSI tha se “Rama kërkon të lajë duart nga dështimi me largimin e tij”.
“Rama kërkon të lajë duart si pilati…por nuk i mbulon dot vjedhjet. Pasi ka shpenzuar 2 miliardë dollarë për investime, ai nuk është në gjendje t’u tregojë shqiptarëve qoftë edhe 1 kilometër rrugë të ndërtuar këto tre vjet,” tha Berisha.
Petrit Vasili, sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha për mediat se vendin e Haxhinastos në qeveri do ta zërë shefi i kabinetit të Metës në Kuvend, Sokol Dervishaj. Ai ka shërbyer si zv.ministër në qeverinë “Berisha” gjatë viteve 2010-2013 si dhe në postin e zv.ministrit të Jashtëm në qeverinë “Rama”.
Haxhinasto nuk është ministri i parë i tërhequr nga LSI prej kabinetit qeveritar të drejtuar nga Rama. Në nëntor 2015, ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço dha dorëheqjen dhe u zëvendësua nga Ylli Manjani.