Çdo fotografi synon të ngjallë emocione te audienca dhe për të krijuar këtë efekt, fotoreporterët ndonjëherë duhet të tregojnë ndjeshmëri shikimi përtej lajmeve të ditës dhe t’i kthejnë sytë nga personazhet e thjeshta të jetës së përditshme në rrugë.
Fotoreporterët hidhen çdo ditë nga një protestë në një konferencë, në ndjekje të lajmit të ditës. Është detyra e tyre të tregojnë me imazhe, ngjarjen më të rëndësishme të orës së fundit. Dhe ata shpesh kthehen në redaksi me qindra foto, por ndonjëherë pa një histori ku do të gjejnë veten mijëra apo miliona njerëz.
Ky është një fat që reporterët nuk e presin çdo ditë.
Megjithatë, ndërsa shkrepjet më të shumta bëhen në ato vende ku lajmi ka ndodhur ose po ndodh, ndonjëherë fotolajmi (në formën e tij të pazakontë) dhe fotoreporteri hasen në rrugicën më të pagjasë, në formën më natyrore të një pamjeje të thjeshtë të jetës së përditshme.
Këto imazhe universale nuk lidhen me temën e ditës, ato nuk përbëjnë ngjarje që tërheqin klikime të papara dhe janë plotësisht në dorë të rastësisë.
Në tetor të vitit 2014, kur po përgatitesha t’i vija kapakun objektivit të aparatit tim fotografik dhe ta quaja ditën e punës të mbyllur, një imazh sa i thjeshtë, aq edhe i ngrohtë më bëri të ndërroj mendje.
Në bulevardin Bajram Curri, u shkëmbeva përballë me një çift të moshuarish që ecte ngadalë në rrugë me gishtat të ndërthurur.
Tërheqja mes tyre vuri një buzëqeshje në fytyrat e të gjithë kalimtarëve. Me po të njëjtën buzëqeshje në fytyrë, unë eca disa hapa dhe pastaj vendosa të kthehem për t’i shkrepur një foto.
Në foton që më pas u pëlqye nga qindra njerëz, nuk shfaqeshin persona publikë, por dy të dashuruar që i rrezatonin njëri-tjetrit respekt dhe përkushtim dhe që përcollën atë ditë një mesazh më të fuqishëm e më të ëmbël se çdo lloj lajmi tjetër.
Dy vite kanë kaluar që nga ajo ditë dhe raste të tjera të çifteve të të moshuarve të kapur për dore janë fanitur para objektivit tim, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, si Kruja apo Pogradeci.
Sytë tanë shohin mijëra imazhe çdo ditë dhe ndonjëherë e humbin ndjeshmërinë ndaj të përditshmes që në pamje të parë nuk ofron asnjë ‘lajm bombastik’.
Megjithatë, në duart e të moshuarve që i kanë premtuar njëri-tjetrit dashuri të përjetshme dhe që po e mbajnë premtimin, të gjithë ne mund të gjejmë shpresë për frikën e vetmisë në të ardhmen apo lëndimet e të tashmes.
Këta të moshuar parakalojnë çdo ditë përpara nesh. Ata nuk japim deklarata dhe nuk mbahen më të madhe, përkundrazi kalojnë pa u vënë re, të lumtur dhe në paqe me jetën e tyre.
Në imazhin e dy njerëzve që kanë sfiduar vitet dhe kanë kapërcyer çdo vështirësi politike, sociale, ekonomike – ne mund të shohim atë që ka vërtetë rëndësi: personat tanë më të dashur dhe pohimin, se gjërat do të bëhen mirë, se jeta vazhdon, se koha i shëron gjërat dhe se në fund gjithçka do të shkojë aty ku ka vendin.
Është dhembshuria e përkujdesi njerëzor, ato që ne nuk i mendojmë çdo ditë ndërsa të verbër për të ardhmen mendojmë vetëm për të sotmen, për ngjarjen e ditës, apo lajmin e orës.
Për këtë arsye, është po aq e rëndësishme sa raporti më i fundit mbi korrupsionin në Shqipëri, që media e shkruar dhe vizuale t’i kushtojë rëndësi historive njerëzore që vënë një buzëqeshje në fytyrat e njerëzve dhe që i pasqyrojnë atyre shembujt e përkryer të shpresës që nuk vdes…
Këto janë disa prej fotove të çifteve të të moshuarve të shkrepura gjatë dy viteve të fundit në rrugët e Shqipërisë.