Raporti i Progresit i Komisionit Europian për Shqipërinë vlerësoi se vendi ka bërë progres të moderuar në disa fusha të të drejtave të njeriut, por ekspertët në Shqipëri e shohin situatën me të cilën përballen grupet vulnerabël akoma më të keqe.
Të drejtat e njeriut në Shqipëri vazhdojnë të duken bukur në letër, por grupet në nevojë nuk arrijnë të marrin mbrojtjen dhe ndihmën e nevojshme në realitet dhe shpesh përballen me diskriminim – vërejnë Progres Raporti më i fundit i Komisionit Europian dhe ekspertët e aktivistët në vend.
“Shqipëria ka korniza ligjore kryesisht sipas standardeve europiane dhe ka ratifikuar shumicën e konventave të të drejtave të njeriut, por zbatimi i mekanizmave të mbrojtjes së këtyre të drejtave duhet të forcohet”, vëren Raporti i Progresit, i publikuar të mërkurën.
Fëmijët, viktimat e dhunës në familje, gratë pre e dhunës gjinore, personat me aftësi të kufizuara, komuniteti rom dhe egjiptian, minoritetet, si dhe personat LGBTI janë disa prej grupeve shoqërore të cilat diskriminohen më shpesh dhe për të cilët shteti duhet të shtojë përpjekjet e mbrojtjes ligjore.
Liria e shprehjes, zero progres
Raporti i KE vlerësoi se në fushën e lirisë së fjalës, vitin e fundit Shqipëria nuk ka bërë progres dhe se në përgjithësi “vendi ka një nivel të ulët/është në mënyrë të moderuar i përgatitur”. Komisioni e vlerësoi mjedisin e përgjithshëm të lirisë së fjalës si të favorshëm, por nënvijëzoi se legjislacioni duhet zbatuar më mirë.
Ekspertët e të drejtave të njeriut në vend megjithatë e shohin situatën në Shqipëri si pa përmirësime të dukshme dhe në disa raste me përkeqësime.
“E drejta e tubimit është fusha ku ka pasur regres. Kjo mund të shihet në disa raste si në protestat e studentëve të cilët janë ende në gjyq për goditjen me vezë ndaj kryeministrit, në denigrimin e protestuesve të Parkut të Liqenit nga ana e Bashkisë apo në presionin ndaj banorëve të Valbonës,” tha për BIRN Vasilika Laçi nga Civil Rights Defenders.
“Shoqëria civile që ka ngritur zërin kundërshtues është përballur me procese gjyqësore, ndërsa vihet re një përpjekje e qeverisë dhe pushtetit vendor për të diskredituar protestuesit,” tha Laçi, duke shtuar se pozitiv ka qenë ndërgjegjësimi më i madh i shoqërisë për mbrojtjen e të drejtave të tyre përmes protestave.
Raporti rekomandoi që Shqipëria të përmirësojë mbrojtjen për të drejtat e fëmijëve dhe personave të dhunuar për shkak të gjinisë, si dhe të konsolidojë legjislacionin për të miturit.
“Më shumë duhet bërë për të siguruar akses më të lirshëm të vajzave dhe grave në sistemin gjyqësor, për të shtuar ndërgjegjësimin rreth ligjeve ekzistuese dhe për të siguruar zbatimin e urdhrave të gjykatave që lidhen me të drejtat e grave”, shkruhej në të.
Diskriminim, dëbime dhe papunësi për komunitetin rom dhe egjiptian
Raporti e kritikoi Shqipërinë për kushtet e vështira të jetesës dhe diskriminimin e vazhdueshëm të komunitetit rom dhe egjiptian, veçanërisht në aksesin në arsim, punësim, strehim, shëndetësi dhe regjistrimin civil. Komisioni megjithatë vlerësoi miratimin në dhjetor të planit të veprimit 2016-2020 për integrimin e komunitetit rom dhe egjiptian.
“Kushtet e jetesës së komunitetit mbetën të këqija, ku shtëpitë e komunitetit rom patën mungesë të aksesit në ujë të pijshëm… Fëmijët romë, të cilët jetojnë dhe punojnë në rrugë mbeten një shqetësim pavarësisht zbutjes së fenomenit. Martesat në fëmijëri vazhduan të ishin një praktikë shqetësuese, që preku 2.9 për qind e fëmijëve rom nga mosha 15 deri në 18 vjeç”, thuhej në raport.
“Shqipëria duhet të krijojë udhëzime për dëbimet nga shtëpitë sipas standardeve ndërkombëtare dhe të trajnojë institucionet vendore dhe kombëtare për procedurat që duhen ndjekur para, gjatë dhe pas dëbimeve”, rekomandoi raporti i progresit.
Dëbimi i familjeve të varfra nga shtëpitë e tyre në rastet e shembjeve për shkak të zhvillimeve në infrastrukturë ka qenë shqetësim i vazhdueshëm përgjatë vitit të fundit në Shqipëri dhe është kritikuar nga disa organizma ndërkombëtare. Në shkurt, Këshilli i Europës i dërgoi një letër shumë kritike qeverisë shqiptare për disa raste të përzënies së familjeve rome, letër për të cilën nuk mori përgjigje.
Aktivisti i të drejtave të komunitetit rom dhe egjiptian Gentian Serjani tha për BIRN megjithatë se sfidat e komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri mbeten të mëdha.
“Plani i veprimit për ndihmën ligjore, i cili është shumë i nevojshëm për komunitetin, nuk po gjen pasqyrim në ligjin për ndihmën juridike,” tha Serjani.
Duke komentuar për gjendjen e vështirë ekonomike dhe papunësinë, Serjani argumenton se ligji i menaxhimit të integruar të mbetjeve sjell pasoja negative për familjet rome dhe egjiptiane që jetojnë me riciklimin e mbetjeve.
“Nuk kemi parë asnjë program tranzicioni nga bashkitë për personat që mbeten pa punë nga ky ligj,” tha aktivisti duke shtuar se ndryshimet në skemën e ndihmës ekonomike kanë vështirësuar shumë jetën e komunitetit pasi kanë përjashtuar disa familje në nevojë, pa i ofruar programe punësimi për të siguruar mjetet financiare të jetesës.
Një tjetër sfidë e komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri mbeten paqartësitë që vijnë nga ligji i ri i arsimit të lartë, i cili ia kalon universiteteve në dorë përcaktimin e kuotave për këtë komunitet. Dikur një kompetencë e qeverisë, sot mundësitë për arsimin e lartë të këtij komuniteti janë shumë të turbullta, u shpreh Serjani.
Ndonëse diskriminimi ndaj komunitetit rom dhe egjiptian ka marrë forma më të fshehura, sipas aktivistëve ai vazhdon të jetë i pranishëm dhe shqetësues.
Sipas Komisionit Shqipëria duhet të krijojë udhëzime për dëbimet nga shtëpitë sipas standardeve ndërkombëtare dhe të trajnojë institucionet vendore dhe kombëtare për procedurat që duhen ndjekur para, gjatë dhe pas dëbimeve.
Raporti vlerësoi dialogun e Bashkisë së Tiranës me komunitetin e zhvendosur nga Bregu i Lumit dhe e konsideroi atë progres krahasuar me dëbimet e një viti më parë nga Liqeni Artificial.
Jetë e dyfishtë dhe ndërgjegjësim i ulët për LGBTI
Në sferën e të drejtave të personave LGBTI në Shqipëri, Raport Progresi vlerësoi planin e veprimit për vitin 2016-2020 të miratuar në maj, ndërsa nxiti qeverinë të gjejë mënyrat për të shqyrtuar seriozisht më shumë çështje të diskriminimit të komunitetit.
“Mbledhja e të dhënave mbi krimet e urrejtjes vazhdon të mungojë. Komisioneri për Mbrojtjen Kundër Diskriminimit u mor me rastet e gjuhës së urrejtjes kundër komunitetit LGBTI dhe në dy raste vendosi të gjobisë të akuzuarit. Ligji anti-diskriminim duhet të zhvillohet edhe më shumë dhe zbatimi i tij duhet të përmirësohet gjithashtu,” thuhej në raport.
“Ndërgjegjësimi publik dhe pranimi social mbetet i ulët, veçanërisht në zonat rurale. Ndryshimet në kodin e familjes për bashkëjetesën mes çifteve të të njëjtit seks nuk janë miratuar ende”, vërejti raporti.
Duke e konsideruar Raportin e Progresit të KE, si një mjet të rëndësishëm të lobimit për të drejtat e LGBTI, kryetarja e Aleancës LGBT në Shqipëri, Xheni Karaj tha për BIRN se sfidat e komunitetit vazhdojnë të jenë shumë të mëdha.
“Ekziston një kontrast i madh midis zhvillimeve ligjore, ku Shqipëria identifikohet si një nga vendet me legjislacion më të zhvilluar në lidhje me respektimin e të drejtave LGBT dhe realitetit ku ky legjislacion nuk zbatohet dhe nuk përkthehet në rezultate konkrete,” tha Karaj.
“Duhet një vullnet më i madh politik për zbatimin e parashikimeve ligjore që do të përmirësonin situatën e komunitetit LGBTI në Shqipëri,” shtoi ajo.
Sipas Karaj, pavarësisht se nga viti në vit ekziston një thyerje pozitive në perceptime, përparimet nuk janë aq domethënëse sa të ndryshojnë jetën e komunitetit ku shumë persona vazhdojnë të bëjnë një jetë të dyfishtë dhe të mbajnë të fshehur orientimin e tyre seksual.
“Ata që guxojnë të dalin hapur, paguajnë një kosto të lartë që shpesh shoqërohet me dëbim nga shtëpia, braktisje nga familja, dhunë fizike dhe psikologjike dhe paragjykime shoqërore”, argumentoi ajo.
“Diskriminimi dhe bullizmi janë fenomene shumë shqetësuese të cilat nxisin të rinjtë LGBT të braktisin shkollat kur zbulojnë orientimin e tyre seksual, diçka që ndodh veçanërisht në qytete të vogla”, përfundoi Karaj.
Pak vëmendje për personat me aftësi të kufizuara
Raporti vlerësoi se në përgjithësi personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri vazhduan të përballen me vështirësi në aksesin në arsim, punësim, kujdes shëndetësor dhe vendimmarrje përfshirë pengesat nga ushtrimi i të drejtës për të votuar.
“Monitorimi i zbatimit të masave për këtë grup ka mungesë të të dhënave të disponueshme. Shkollat nuk kanë mësues të mjaftueshëm për të ndihmuar fëmijët me aftësi të kufizuara”, thuhej në raport.
Të drejtat e personave me aftësi të kufizuara mbulohen nga legjislacioni ekzistues, i cili është pjesërisht në përputhje me Konventën e OKB për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Megjithatë, disa nene, veçanërisht ai 12 i Konventës nuk janë përkthyer në legjislacionin kombëtar – vlerësoi Progres Raporti i Komisionit Europian.
Bashkitë dhe ministritë duhet të caktojnë një zyrtar për t’u përqendruar te çështjet e personave me nevoja të veçanta, siç e thotë ligji – sugjeroi Komisioni.
Gratë mes dhunës gjinore dhe ‘kuotave’
Raporti theksoi se Shqipëria duhet të përmirësojë mbrojtjen për të drejtat e fëmijëve dhe personave të dhunuar për shkak të gjinisë.
Për sa i përket barazisë mes grave dhe burrave, një strategji kombëtare mbi barazinë gjinore është përgatitur por mbetet për t’u zbatuar.
Më shumë duhet bërë për të siguruar akses më të lirshëm të vajzave dhe grave në sistemin gjyqësor, për të shtuar ndërgjegjësimin rreth ligjeve ekzistuese dhe për të siguruar zbatimin e urdhrave të gjykatave që lidhen me të drejtat e grave.
Në lidhje me respektimin dhe mbrojtjen e minoriteteve, raporti vlerëson ndërmarrjen e disa hapave për përmirësimin e kornizës ligjore dhe vlerëson krijimin e një grupi pune nga Ministria e Jashtme për hartimin e një ligji të mbrojtjes së minoriteteve.
Raporti mbuloi periudhën nga tetori 2015 deri në shtator 2016 dhe bazohet në burime të ndryshme që përfshijnë kontributin nga qeveria shqiptare, shtetet anëtare në BE, raporte të Parlamentit Europian dhe informacione nga organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe jo-qeveritare.