Ministri i Shëndetësisë shkarkoi drejtorin e Spitalit Rajonal të Beratit Ildir Frashëri i cili bashkë me deputetin e LSI Gledion Rehovica janë proceduar penalisht për blerje vote dhe pjesëmarrje të paligjshme në fushatë të funksionarëve publikë. Rehovica dhe Frashëri mohuan akuzat
Një ditë pasi u njoftua ndjekja penale nga policia për korrupsion zgjedhor për Drejtorin e Spitalit Rajonal të Beratit, ministri i Shëndetësisë Arben Beqiri shkarkoi nga detyra Ildir Frashërin, gjatë një vizite në këtë spital. Për Frashërin dhe deputeti i LSI Gledion Rehovica policia filloi procedimin penal të hënën për blerje të votës dhe përfshirje të paligjshme në fushatë të një funksionari publik. Të dy i kanë mohuar akuzat.
Ministri Arben Beqiri tha për mediat lokale se vizitoi personalisht spitalin, ku njoftoi edhe emërimin e drejtorit të ri, për të komunikuar shkarkimin “për të demostruar dhe një herë se gjëja më e rëndësishme në këtë periudhë para elektorale….(është) mospërfshirja e administratës publike në fushatë”. Frashëri tha se nuk i komentonte akuzat pasi nuk i kishte mësuar ato zyrtarisht, ndërsa deputeti Rehovica i cilësoi akuzat si “shpifje për të prishur imazhin e LSI-së”, dhe tha se ishte i hapur “për çdo lloj hetimi institucional”.
Ndërkohë disa funskionarë të tjerë të LSI, përfshi drejtorë të burgjeve apo zyrave të hipotekës, janë shkarkuar gjatë këtyre ditëve pas marrëveshjes mes PS dhe PD për krijimin e një taskforce me ministra që monitorojnë përdorimin e administratës publike në fushatë.
Frashëri dhe deputeti i LSI Gledion Rehovica janë të parët që po procedohen penalisht për akuzën e blerjes së votës gjatë kësaj fushate. Ndërkohë drejtori i spitalit akuzohet edhe për përfshirjes të paligjshme të funksionarit publik në fushatë elektorale. “Ky duke qenë në funksion publik të Drejtorit Rajonal të Spitalit Berat, në bashkëpunim me disa punonjës të këtij spitali dhe deputetin e zonës G.R, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit aktive në zgjedhje” dhe “Përdorimi i funksionit publik në veprimtari politike ose zgjedhore”, vepra penale të parashikuara nga nenet 328 dhe 328/a të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për fillimin e procedimit penal. Çështja sipas policisë i është referuar Prokurorisë së Përgjithshme.
I pyetur në lidhje me akuzat e ngritura Gledion Rehovica u shpreh i kontaktuar nga BIRN në telefon se gjithçka e ka mësuar nga media dhe askush nuk i ka komunikuar akuzat në rrugë zyrtare. “Gjithçka është shpifje sepse takimet elektorale që unë kam bërë dhe po vazhdoj të bëjë bëhen të hapura dhe çdo gjë është lehtësisht e verifikueshme”, tha ai. Ndërkohë ish-drejtor i spitalit Frashëri tha po ashtu se dinte vetëm atë që kishte parë në media. “Askush nuk më ka komunikuar asgjë, asnjë prokuror nuk më ka marë në pyetje apo të më ketë komunikuar asnjë akuzë, gjithçka e kam mësuar pasditen e djeshme (të hënën) nëpërmjet medias, por nuk kam asnjë koment deri në momentin që do të komunikohet zyrtarisht akuza për të cilën është përfolur”, tha Frashëri. Idlir Frashëri e drejtonte spitalin e Beratit prej një viti pas largimit të ish drejtoreshës Valbona Papa.
Ky është rasti i parë që prej fillimit të kësaj fushate që policia kallëzon zyrtar të lartë dhe kandidatë për deputetë për blerje vote. Vepra, është shtuar në Kodin Penal në nenin 328, para zgjedhjeve të vitit 2013, ndërsa me ndryshimet që u bënë në maj pas marrëveshjes politike mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD Lulzim Basha, dënimi për të u rrit dhe nëse gjenden fajtorë Rehovica e Frashëri rrezikojnë deri në 5 vjet burgim. Ndryshimet e fundit i shtuan kodit edhe dënimin në rast se një funksionar publik bën fushatë gjatë orarit zyrtar. Taskforcë me ministra të PS dhe PD e ngritur për të monitoruar përdorimin e administratës në zgjedhje dhe ka bërë deri tani një sërë shkarkimesh dhe kallëzimesh.
Frashëri është drejtori i dytë i një institucioni publik në Berat që shkarkohet për përfshirje në mënyrë të paligjshme në fushatën elektorale. Më herët u shkarkua Drejtoresha e Postës Shqiptare në Berat Haris Ngjeqari, e cila u akuzua se u kishte shpërndarë formularë dhe bërë presion punonjësve të saj në favor të LSI. Ngjeqari mohoi akuzat.
Shkarkimet për shkelje të Kodit Zgjedhor apo për krime që kanë të bëjnë me zgjedhjet filluan menjëherë pasi marrëveshja politike mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha filloi të zbatohej. Pjesa më e madhe e të shkarkuarve i përkasin Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila edhe ka protestuar për shkarkimit me një letër publike drejtuar krerëve të shtetit dhe ambasadorëve ku i quan shkarkimet “antiligjore të ngjashme me ato të një junte”, ndërsa konteston edhe një vendim qeverie që i mundëson ato si të pakonsultuar.