Aktivistët mjedisorë të Parkut Kombëtar të Valbonës triumfuan të enjten në Gjykatën e Tiranës, kur gjykata vendosi të rrëzojë padinë e koncensionarit të HEC-eve, i cili pretendonte një dëmshpërblim prej 20 milionë lekësh për dëmtim të imazhit.
Gjykata e Tiranës vendosi të enjten të rrëzojë padinë e ngritur nga kompanitë koncensionare të HEC-eve në Valbonë, Gener 2 dhe Dragobia Energy kundër aktivistes Catherine Bohne dhe Shoqatës mjedisore Toka. Gjyqtarja Eneida Civici hodhi poshtë pretendimet e kompanive për shkaktim të dëmtimit të imazhit nga aktivistët.
Në janar të këtij viti, kompanitë iu drejtuan Gjykatës së Tiranës duke kërkuar shumën prej 20 milionë lekësh dëmshpërblim nga aktivistët dhe tërheqjen e deklaratave kritikuese të tyre në media ndaj kompanive të HEC-eve në Valbonë. Sipas paditësve, aktivistët e kishin kaluar kufirin e lirisë së fjalës dhe kishin tashmë për qëllim dëmtimin e kompanive dhe jo mbrojtjen e mjedisit.
Të paditurit nga ana e tyre e quajtën gjyqin një fushatë intimiduese ndaj aktivistëve dhe u mbrojtën para gjykatës duke thënë se Kushtetuta e Shqipërisë i garantonte atyre lirinë e fjalës dhe se kompanitë nuk kishin arritur të provonin ekzistencën e një dëmi real dhe të justifikonin proporcionin e dëmshpërblimit.
“Është një lajm i shkëlqyer,” tha për BIRN e entuziastmuar aktivistja e Valbonës, Catherine Bohne duke komentuar vendimin e gjykatës.
“Ky është fillimi i ndryshimit për Shqipërinë,” shtoi ajo, ndërsa tha se angazhimi i tyre në mbrojtje të mjedisit kishte në qendër natyrën, por kishte rezultuar edhe një test fuqizimi për drejtësinë në vend.
Sipas Bohne vendimi gjithashtu do t’i jepte frymëzim aktivistëve mjedisorë ta bëjnë zërin e tyre të dëgjohet dhe të mos i frikësohen kompanive.
“Kompanitë mendojnë se mund të punojnë pa u kontrolluar dhe se të gjithë njerëzit që kanë opinion kundër duhet të vuajnë,” tha ajo, duke shtuar se kjo rezultoi e pavërtetë.
Përplasjet mes koncensionarëve të HEC-eve në Valbonë dhe aktivistëve që kërkojnë një Park Kombëtar pa hidrocentrale kanë qenë të vazhdueshme në dy vitet e fundit, kur u zbuluan koncensionet dhe lejet e dhëna nga qeveria shqiptare prej vitit 2009. Aktivistët pretendojnë se hidrocentralet nuk kanë vend në një park kombëtar që duhet të fokusohet te ruajtja e mjedisit dhe turizmi, ndërsa kompanitë fituese të koncensioneve thonë se projektet e tyre janë dhënë nga shteti dhe se nuk dëmtojnë natyrën.
Kompanitë Gener 2 dhe Dragobia Energy, të ngarkuara me pagimin e shpenzimeve gjyqësore i thanë BIRN se do ta apelojnë vendimin e Gjykatës së Tiranës.