Një nga personat më të luftuar nga opozita në kabinetin qeveritar “Rama 2” dha dorëheqjen nga posti i Ministrit të Brendshëm. Kryeministri Rama deklaroi se e kishte pranuar dorëheqjen pa dhënë shpjegime.
Fatmir Xhafaj, Ministër i Brendshëm që nga shtatori i vitit të kaluar dha dorëheqjen nga posti të shtunën më 27 tetor 2018. Kryeministri Edi Rama deklaroi se ai e kishte pranuar kërkesën dhe se kishte propozuar në vend të Xhafajt, Aleksandër Lleshin, gjeneral ushtrie.
Pas deklaratës së kryeministrit, edhe Xhafaj e konfirmoi dorëheqjen përmes një mesazhi në Facebook, pa dhënë arsye për largimin.
“Pas më shumë se 1 viti në krye të Ministrisë së Brendshme, me vullnetin tim, i kam paraqitur Kryeministrit Edi Rama dorëheqjen time si Ministër i Brendshëm, duke e falënderuar për besimin e dhënë me emërimin në këtë detyrë të rëndësishme,” tha Xhafaj.
“Erdha në këtë detyrë për një mision të vështirë, shërbeva me pasion, me modesti dhe me devotshmëri në shërbim të shtetit, të ligjit dhe të qytetarëve,” shtoi ai, duke falenderuar forcat e policisë së shtetit dhe partnerët vendas dhe ata të huaj.
Xhafaj, 59 vjeç, mori postin e ministrit të Brendshëm në mars 2017 pas dorëheqjes së Saimir Tahirit ndërsa e la këtë post pak javë më vonë pasi një marrëveshje politike mes Ramës dhe Bashës ia kaloi drejtimin e Ministrisë së Brendshme opozitës.
Ai u riemërua ministër në shtator 2017, pasi Partia Socialiste fitoi zgjedhjet parlamentare.
Mandati prej pak më shumë se një vit i Xhafajt si Ministër i Brendshëm u shoqërua me akuza të shumta nga opozita. Në emërimin e tij të parë, opozita rikujtoi se Xhafaj ka qenë hetues në Krujë në kohën e Komunizmit në vitet 1982-84 si dhe drejtues i organizatës së Rinisë së Partisë së Punës. Dy ish të dënuar deklaruan për Partinë Demokratike se ai kishte ushtruar dhunë ndaj tyre kur kishte qenë hetues. Xhafaj mohoi akuzat. “Kurrë nuk kam ushtruar dhunë ndaj dikujt”, tha ai.
Pak muaj më vonë, opozita nisi një sulm frontal kundër Xhafajt duke e akuzuar për lidhje me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.
Në maj 2018, opozita publikoi një vendim të gjykatave italiane në bazë të së cilit, Agron Xhafaj, vëllai i ministrit, ishte i dënuar për trafik droge në Itali. Në zyrat e opozitës u publikua një përgjim që sugjeronte se Agron Xhafaj, i cili prezantohet edhe me emrin Geron, ishte ende aktiv në trafikun e lëndëve narkotike.
Qeveria e deklaroi përgjimin e publikuar nga opozita një montazh. Rama deklaroi se përgjimi ishte i pavërtetë. Por ndërkohë, Agron Xhafaj pranoi vullnetarisht të ikte në Itali për t'iu dorëzuar drejtësisë për të vuajtur dënimin e marrë për një episod trafiku të vitit 2002.
Fatmir Xhafaj mori postin si Ministër i Brendshëm me një program të quajtur “Forca e Ligjit”. I prezantuar me bujë në nëntor 2017, ky ishte operacionit që synonte luftimin e krimit të organizuar në Shqipëri. Një vit më pas, “Forca e Ligjit” raportohet se ka goditur në shumë raste, por të ashtuquajturit “Peshq të Mëdhenj” mbeten ende jashtë rrjetës.
Dorëheqja e Ministrit të Brendshëm erdhi ironikisht një javë pas organizimit të një operacioni masiv policor të koduar Vol-Vo4, në të cilën u arrestuan dy dyzina me të dyshuar.
Xhafaj ka qenë Ministër i Drejtësisë në vitet 2003 – 2005 si dhe deputet i Partisë Socialiste që nga viti 2005.