Policia e Lezhës sekuestroi 8 mijë kubikë kanabis, katër armë pa leje dhe arrestoi pesë persona për kultivim narkotikësh në zonën e Fushë Kuqes në Laç, dy persona u shpallën në kërkim.
Tetë mijë kubikë të porsa mbjellë me fara kanabisi janë sekuestruar nga policia në fshatin Godull në Fushë Kuqe pranë Laçit, ndërsa 5 përsona u arrestuan dhe 2 u shpallën në kërkim. Policia njoftoi se operacioni i koduar “Godull 2019” ishte ndërmarrë nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, Forcat e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe FNSH-ja.
“Gjatë kontrolleve në territor në Godull Adriatik, në Njësinë Administrative Fushë Kuqe në Kurbin, u evidentuan kubikë të porsa mbjellë me fara kanabisi, si dhe sende të tjera që do të shërbenin për kultivim të bimëve narkotike”, njoftoi Policia e Shtetit. Ajo bëri të ditur se ka arrestuar pesë persona B. Sh., 39 vjeç, banues në Mamurras, K. K., 59 vjeç, banues në Fushë Krujë, K. Sh., 34 vjeç, banues në Mamurras, Gj. N., 34 vjeç, banues në Lezhë dhe V. Z., 41 vjeçe, banuese në Kurbin. Dy persona të tjerë sipas policisë u shpallën në kërkim.
Policia po ashtu bëri me dije se veç kubikëve me kanabis të sapombjellë ishin gjetur edhe 5 doza kokainë dhe 2 pistoleta, 1 automatik, 1 armë gjahu, 680 fishekë dhe dylbi e thika. Ndërkohë po të martën policia sekuestroi 150 kilogramë kanabis në Shkodër, ndërsa arrestoi dy persona.
Gjetja e kubikëve dhe rastet e fundit të kapura të trafikimit tregojnë se megjithë pretendimin e qeverisë për “zhdukje të fenomenit”, kanabis vijon të mbetet një problem.
Qeveria është në akuzë prej disa vitesh nga opozita për përhapjen e kultivimit të kanabisit kryesisht në vitin 2016 dhe për përdorimin e parave të përfituara prej tij në fushatë zgjedhore. Saimir Tahiri, një prej ish-ministrave të qeverisë së Edi Ramës u mor i pandehur nga Gjykata e Krimeve të Rënda ndër të tjera edhe për bashkëpunim me një grup të trafikut të narkotikëve.