Reformatorja progresiste Zuzana Čaputová fitoi zgjedhjet presidenciale në Sllovaki dhe kjo sugjeron se forca më e madhe e populizmit qëndron te opozita e dobët. Nëse formula e saj e fitores kopjohet gjetkë, avancimi i populistëve në demokracitë perëndimore mund të sprapset.
Kurrë më parë nuk ka pasur më shumë qeveri populiste nëpër botë se sa sot. Deri tani, populistët nuk kanë rrëzuar nga pushteti në asnjë vend perëndimor. Edhe pse presidenti në Sllovaki ka vetëm pushtet simbolik, fitorja masive e aktivistes antikorrupsion Zuzana Čaputová përballë një kandidati populist këtë fundjavë mund të sinjalizojë një ndryshim në aftësinë e populistëve për të shkaktuar trazira në klimën politike të Europës. Në të njëjtën kohë, fitorja e pritshme e Volodymyr Zelensky, një komediani televiziv dhe rioshi politik në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, sugjeron se dallga populiste mundet të mos ketë mbërritur ende në pikën kulmore.
Populistët janë të aftë të mposhten, por vetëm me një kusht: nevojitet një opozitë e unifikuar. Për fat të keq, ndasitë politike më shpesh gjenden mes partive opozitare – në përfitim të forcave populiste. Ky ishte rasti i Polonisë për aq kohë sa vendi nuk ishte në gjendje të shmangte tendencën e përgjithshme dhe mbetet i tillë në të gjitha vendet e BE-së të qeverisura nga populistët: Hungaria, Republika Çeke, Sllovakia dhe Italia.
Për shembull në Hungari, socialistët post-komunistë dhe post-fashistët e Jobbik kanë treguar prej kohësh më shumë neveri ndaj njëri-tjetrit se sa ndaj kryeministrit Viktor Orbán. Kur ata më në fund filluan të bashkëpunojnë pas shumë vitesh disfatash shpartalluese, ky bashkëpunim ishte shumë pak dhe tepër vonë. Media e pavarur e vendit është shtyrë tashmë drejt heshtjes dhe kontrolli i arkës së shtetit nga Orbán i ka dhënë atij një avantazh të tillë për partinë Fidesz sa zgjedhjet e vendit nuk konsiderohen më të ndershme nga vëzhguesit e pavarur.
Megjithatë, ia vlen të rikujtohemi se më 25 shkurt 2018, një kandidat i pavarur me mbështetje të gjerë nga të gjitha forcat opozitare fitoi postin e kryebashkiakut në Hodmezovasarheli, një qytet që njihej si bazë e fortë e Fidesz. Nëse partitë e opozitës nuk do të hynin në sherre të brendshme para zgjedhjeve parlamentare të prillit të kaluar, Fidesz mund të mos kishte marrë 50% të votave dhe Orbán mund të mos kishte mjetet për të konsoliduar pushtetin.
Në Itali ka aktualisht ndasi në krahun e majtë si brenda koalicionit qeverisës ashtu edhe mes atyre në opozitë. Për të krijuar një qeveri vitin e kaluar, lëvizja populiste Pesë Yjet pati nevojë të bëjë marrëveshje me nacionalistët e Lidhjes së Veriut. Sëbashku ata fituan rreth 50% të votave, në krahasim me 20% që mori Partia Demokratike dhe 15% që mori Forza Italia e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi.
Për rrjedhojë, siç qëndrojnë punët, populistët e Italisë nuk kanë kundërshtar që mund t’i mposhtë. Por ndërsa Pesë Yjet fituan pjesën më të madhe të votave në zgjedhjet e marsit të kaluar, Lidhja që nga ajo kohë e ka kapërcyer atë në sondazhe dhe në zgjedhjet vendore.
Sa i përket Slovakisë, partia populiste e krahut të majtë Smer-SD dhe udhëheqësi i saj, ish-kryeministri Robert Fico, janë mposhtur më në fund pas gati dy dekadash në pushtet. Por me mbi 20% të vitave, Smer-SD mbetet partia më e fortë në vend. Ndërkohë, ka së paku dhjetë parti opozitare me vota të mjaftueshme për të hyrë në parlament në zgjedhjet e ardhshme, përfshirë edhe partinë e Čaputová, Progresistët e Sllovakisë, një parti relativisht e vogël që gëzon vetëm 3% të votave.
Kryesimi i një partie politike në Sllovaki nuk është arritje e madhe në vetvete. Partia konservatore Ne Jemi Familja, e cila udhëhiqet nga një burrë që ka nëntë fëmijë me tetë gra, fitoi 6.6% të votave në zgjedhjet e fundit parlamentare. Për më tepër, rreth 25% e elektoratit vazhdimisht mbështet ekstremin e djathtë, e cila në vetvete është e ndarë mes Marian Kotleva (Sllovakia Jonë) dhe lëvizja përreth juristit të ekstremit të djathtë Štefan Harabin.
Megjithatë, fitorja e Čaputová ka krijuar një klimë të mirë për kundërshtarët e populizmit në vende të tjera, para së gjithash në Çeki, ku fushata e saj u mbështet nga Tomáš Halík, një prift i njohur katolik dhe filozof dhe Karel Schëarzenberg, një ish-ministër i jashtëm i Çekisë. Në tetor 2017 në zgjedhje të përgjithshme, votuesit çekë duket se vendosën që vendi i tyre i lumtur dhe paqësor mund të përballojë pak çmenduri kështu që i dhanë votë popullore Andrej Babiš, një miliarder i goditur nga skandalet me origjinë sllovake, të cilin shumë e kanë cilësuar si “Trump i Çekisë”.
Presidenca çeke zihet aktualisht nga Miloš Zeman, një Social-Demokrat i kthyer nacionalist që pëlqen presidentin e Rusisë Vladimir Putin. Zeman dhe Babiš janë aktualisht në konkurrencë për titullin e politikanit më turpërues në Europë. Për shembull, Zeman së fundmi organizoi djegien me ceremoni të një pale brekësh gjigande të kuqe të cilat grupi artistik Ztohoven i kishte përdorur për ta tallur atë. Nga ana e tij, Babiš aludohet se ka rrëmbyer djalin e vet është përpjekur ta fusë atë në një spital psikiatrik në Krimenë e pushtuar nga Rusia me synimin e ndalimit të dhënies së një dëshmie prej tij mbi marrëveshjet korruptive të biznesit të të atit.
Pra, nëse politika polake aktualisht po imiton kinemanë e ankthit moral të viteve 1970, fqinjët tanë jugorë janë në mes të një komedie absurde. Tani për tani, gjithsesi, opozita e përçarë – që përbëhet si nga Partia Demokratike Civile e qendrës së djathtë, ashtu edhe nga partia tekno-liberale Pirate apo nga ekstremi i djathtë anti-emigrantë, Partia e Lirisë (udhëhequr nga biznesmeni gjysmëjaponez Tomio Okamura), apo partia komuniste e Bohemisë dhe Moravisë – kanë dështuar të marrin mjaftueshëm vota kundër kryeministrit.
Në fund, në Poloni, partitë opozitare janë bashkuar kundër populistes Ligj dhe Drejtësi (PiS). Kjo është një arritje e madhe, nëse marrim parasysh se opozita polake është e ndarë mes Platformës Civile, Partisë Popullore Polake (Agrarët) dhe Aleanca Demokratike e të Majtës (post-komunistët), apo neoliberalja Partia Moderne e e majta Iniciativa Polake, plus të Gjelbërit. Sipas sondazheve më të fundit, ky i ashtuquajturi Koalicion Europian ka rreth 38-42% të votave, gjë që do të thotë se mund ta mposhtë PiS në zgjedhjet parlamentare të tetorit.
Shumë gjëra do të varen nga çfarë ndodh në zgjedhjet parlamentare europiane të muajit të ardhshëm. Por bashkimi ka rezultuar më i lehtë për polakët se sa për çdokënd tjetër në Europë. Kjo do të thotë se Polonia mund të bëhet vendi i parë i BE-së që rrëzon një qeveri populiste – në tridhjetëvjetorin e rënies së komunizmit. Mund të jetë shumë gjë e mirë që polakët të shënjojnë fillimin e një ringjalljeje demokratike nëpër të gjithë Europën Lindore, njësoj siç e bënë në vitin 1989.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. How to Beat a Populist