Në gjurmët e traditës së misionarëve katolikë, At Serxhio po ndihmon me ushqime familjet e varfra dhe të izoluara nga epidemia e koronavirusit në njësinë Ungrej në Lezhë –një zonë e varfër që sipas banorëve është e braktisur nga shteti.
Njësia administrative e Ungrejt në veri të Bashkisë së Lezhës u mbulua nga dëbora në fillim të prillit, por moti i keq nuk e pengoi At Serxhon që të ngjitet në mal dhe të trokasë në dyert e njerëzve në nevojë, të izoluar prej javësh nga kriza e koronavirusit në Shqipëri.
Në gjurmët e traditës së misionarëve katolikë, prifti argjentinas shërben prej vitesh në famullinë e Kalivaçit. Por gjatë javëve të izolimit nga COVID-19, At Serxhio po përpiqet të shpërndajë jo vetëm ushqim shpirtëror, por edhe ndihma për banorët e varfër.
“Kjo periudhë izolimi e ka vështirësuar më shumë jetesën e shumë familjeve në zonën e Ungrejt, për shkak se janë në kushte të vështira ekonomike dhe kanë mungesë të ardhurash. Unë i kontaktoj në vazhdimësi për t’i pyetur për problemet që kanë. Kam mundur të siguroj ndihma për shumë familje nëpërmjet Caritasit përgjatë kësaj periudhe dhe po ua dërgoj familjeve në nevojë,” thotë At Serxhio.
Njësia administrative e Ungrejt numëron rreth 1 mijë banorë të shpërndarë nëpër fshatra në një zonë të thellë malore. Shumica e banorëve përpiqen ta sigurojnë jetesën nëpërmjet bujqësisë dhe blegtorisë, por kriza e koronavirusit e ka vështirësuar gjendjen e tyre.
Përgjatë javëve të fundit, Bashkia e Lezhës ka shpërndarë paketa ushqimore për rreth 150 familje të kësaj zone, por nevojat konsiderohen shumë herë më të mëdha. At Serxhio po përpiqet ta mbushë këtë boshllëk falë bashkëpunimit me disa shoqata bamirësie me në krye Caritas-in.
“U bënë vite që unë jam në atë zonë dhe trokas në çdo derë. Më duket vetja sikur të jem në vendlindjen time. Këtu është një komunitet i varfër, por shumë dashamirës dhe bujar. Ndjehem shumë mirë këtu dhe me besimin në Zot shpresojmë t’i kalojmë sa më shpejt këto ditë të vështira të krijuara nga koronavirusi,” thotë At Serxhio, ndërsa shton se do të vazhdojë të kontribuojë sa të mundet.
Ndue Paluca, kryeplak i fshatit Kashnjet në njësinë administrative Ungrej lavdëron përpjekjet maksimale të At Serxhios, ndërsa shton se konsultohet me të për çdo problem të fshatit.
“Është një njeri i mrekullueshëm që po bën shumë për zonën time. Çdo problem që ia kam prezantuar ka bërë të pamundurën, për t’i dhënë zgjidhje edhe jashtë mundësive të tij. Zona këtu është e varfër dhe në këto ditë izolimi, kërkesat e banorëve për ndihmë janë të shumta. At Serxhio po bën të pamundurën për të ndihmuar çdo familje në vështirësi me qëllim që t’i kalojnë sa më lehtë këto ditë të vështira në izolim,” thotë kryeplaku Paluca.
Apeli i tij në këto kohë të vështira shkon në adresën e institucioneve shtetërore.
“Shpresoj që edhe shteti t’i kthejë sytë nga kjo zonë e braktisur,” shton Paluca.
Banorët e njësisë administrative me të cilët BIRN arriti të bisedonte përmes telefonit thanë se prifti u ka qëndruar pranë për çdo nevojë të tyre.
“Po bëhet një muaj që nuk kemi lëvizur nga shtëpia. Të them të drejtën, prifti ka qëndruar shumë afër, na ka sjellë në vazhdimësi ushqime për t’i kaluar këto kohë të vështira,” thotë një i moshuar që jeton vetëm me bashkëshorten.
“Po na gjendet afër sikur të jetë një njeri i joni. Ky fakt na gëzon shumë, sepse nuk jemi të braktisur,” përfundon ai.