Një tjetër kërkesë e firmosur nga 15 deputetë të Partisë Demokratike iu paraqit të premten Këshillit të Mandateve, Rregullores dhe Imuniteteve, për heqjen e mandatit të deputetit për ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, ku po shqyrtohet prej 3 javësh një mocion me objekt të njëjtë.
Të dyja kërkesat e PD-së pretendojnë se Xhaçka ka shkelur Kushtetutën duke përfituar nga pasuritë publike, pasi bashkëshorti i saj, ish deputeti Artan Gaçi, fitoi statusin “investitor strategjik” dhe të drejtën për përdorimin e bregdetit para hotelit që do të ndërtojë në jug të vendit.
Në emër të grupit firmëtar, deputeti Agron Shehaj tha se kërkesa kishte të njëjtin objekt me atë të kolegëve të tjerë të PD-së, por sipas tij, sillte prova të reja për shkeljen e Kushtetutës nga ana e deputetes socialiste.
Me “prova të reja”, Shehaj pretendoi se ministrja me qëllim kishte krijuar një skemë fiktive me familjarët e saj për të përfituar nga pasuria publike. Ai iu referua marrëveshjes mes bashkëshortit dhe partneres së vëllait të Xhaçkës për statusin “investitor strategjik”.
“Kemi faktuar që zj. Xhaçka, jo vetëm ka shkelur Kushtetutën, por ajo e ka ditur shumë mirë që ka bërë një shkelje të tillë, dhe me veprime fiktive të simuluara, është munduar ta fshehë këtë fakt, duke bërë një marrëveshje fiktive me kunatën e saj,” tha Shehaj.
Sipas tij, veprimet e e kryera prej saj cënonin rëndë besimin e publikut, duke e cilësuar rastin si nëj tentativë për të “institucionalizuar korrupsionin”.
Ai e quajti të “paimagjinueshëm” shpalljen investitor strategjik të bashkëshortin e ministres me firmë të kryeministrit. “Por më skandaloze” shtoi Shehaj, “është përshtatja e vendimit të qeverisë për të ndihmuar ministren Xhaçka të fshehë përfitimet dhe shkeljen e Kushtetutës duke përdorur fiktivisht një familjar”.
Avokati i ministres, Genci Çifligu, i pranishëm në sallë kërkoi të bënte oponencën ndaj pretendimeve të Shehajt, por kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i sugjeroi të merrte një javë kohë për t’u përgatitur dhe njohur me mocionin e ri.
Ajo e mbylli mbledhjen, pavarësisht kundërshtimit të opozitës që të ezaurohej brenda seancës përgjigjia e avokatit.
“Ju e keni ftuar sot, kjo do të thotë që ai e ka marrë mocionin dhe ka pasur kohë të përgatitet,” tha Gazmend Bardhi, i cili akuzoi mazhorancën se po kërkonte të zvarriste pa fund procedurat për këtë çështje.
Anëtarët e PD-së në Këshill, po ashtu, shprehën rezerva për moslejimin e pyetjeve në seancën e shkuar, ku avokati i Xhaçkës parashtroi argumentet mbrojtëse. “Ky është një organ kolegjial, nuk mund të vendosni ju sipas kokës tuaj dhe të mohoni të drejtën e pyetjeve,” i tha Bardhi Nikollës. Kryetarja e Kuvendit tha se kishte zbatuar rregulloren për seancën dëgjimore.