Bashkia e Dropullit shënoi një rekord në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, kur vetëm 15% e gati 20 mijë votuesve në listat e zgjedhësve u paraqitën në qendrat e votimit. Pjesëmarrja e ulët i dedikohet emigrimit në masë të popullsisë së kësaj bashkie, e cila përbëhet nga ish-komunat Dropull i Poshtëm, Dropull i Sipërm dhe Pogon, por pjesëmarrja e vitit 2021 shënon një nivel edhe më të ulët se za zakonisht. Në zgjedhjet e shkuara pjesëmarrja ka qenë 30-35% dhe në të ka luajtur rol të konsiderueshëm angazhimi i palëve politike për të joshur emigrantët të kthehen për të votuar.
Zgjedhjet e vitit 2021 në nivel bashkie u fituan nga socialistët me 52% të votave ndërsa Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim morën secila nga 20% të votave. Pjesëmarrja e ulët e vitit 2021 dhe rezultati i dobët i LSI në zonë duket se i dedikohet edhe vendimit kontrovers të komitetit të ekspertëve të menaxhimit të pandemisë së COVID-19 për të mbyllur kufirin në javën para zgjedhjeve dhe për të përcaktuar një karantinë dyjavore për të ardhurit nga Greqia. Rrjedhimisht zgjedhjet e atij viti mund të mos jenë tregues. Për më tepër, Dropulli ka surprizuar më parë në zgjedhje, në vitin 2015, kur vendosi të votojë një kandidat të Partisë Demokratike kundër të gjitha pritshmërive.
Në zgjedhjet e 14 majit, kandidati i Partisë Socialiste Dhimitraq Toli kërkon një mandat të dytë përballë kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë Thanas Maneka dhe kandidatit të Nisma Thurrje, Kosta Garo. Garo ka qenë më herët kandidat për deputet i Partisë Socialiste për zgjedhjet e vitit 2021. Ai ishte i katërti në qarkun Gjirokastër, ku zgjidhen katër deputetë dhe ku Partia Socialiste fitoi tre. Garo mori 833 vota pëlqyese, gjë që e bën atë një sfidues jo pa pretendime përballë dy kandidatëve të tjerë.*
Maneka ka mbështetjen e partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, partia historike e minoritetit grek në Shqipëri, e cila është pjesë e koalicionit Bashkë Fitojmë, si dhe mbështetjen e shoqatës Omonia. Ndërkohë, Vangjel Tavo, një politikan me peshë në zonën e Gjirokastrës, dhe në veçanti, në Dropull, duket se deri tani nuk është angazhuar publikisht për të mbështetur ndonjë nga kandidatët kështu që votat e LSI, të cilat në këtë zonë kanë mbështetur Tavon, nuk mund të merren si të mirëqena në koalicionin opozitar.
Minoriteti grek është i ndarë në dy parti të mëdha. Përveç PBDNJ-së, në garë është edhe partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen. Kjo parti nuk garon për kryetar bashkie në Dropull, por ajo ka marrë fushë të lirë nga Partia Socialiste në bashkinë e Finiqit, e cila gjithashtu banohet nga minoriteti grek. Rrjedhimisht sugjerohet se mbështetësit e kësaj partie në Dropull do të votojnë në favor të kandidatit socialist.
Bashkia e Dropullit jeton në përgjithësi falë emigrimit dhe aktivitet ekonomik bujqësor dhe blegtoral të paktë si dhe me industri agroushqimore. Administrata e bashkisë numëron 110 të punësuar.
*Ky shkrim është amenduar për të shtuar në paragrafin e tretë kandidatin Kosta Garo nga Nisma Thurrje, i cili nuk gjendej në fletën tip të votimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve por pritet të shtohet pas një vendimi të Kolegjit Zgjedhor, i cili urdhëroi regjistrimin e tij.