Lajm21 May 2020

Aktivistët protestojnë në Durrës për ruajtjen e trashëgimisë kulturore

Dy aktivistë u shoqëruan të mërkurën nga policia në Durrës pas një proteste kundër prishjes së Teatrit Kombëtar dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

Autor: Geri Emiri BIRN Durrës
Printo

Të rinjtë në Durrës duke protestuar kundër prishjes së Godinës së Teatrit Kombëtar, dëmtimit të arkeologjisë dhe dhunës policore të ushtruar ndaj protestuesve. Foto Geri Emiri

Dhjetëra të rinj protestuan të mërkurën në Durrës kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe dëmtimit të vazhdueshëm të arkeologjisë në qytetin bregdetar.

Të mbledhur përpara godinës së Teatrit Aleksandër Moisiu ata bënë thirrje për më shumë vëmendje ndaj trashëgimisë kulturore dhe respektimin e të drejtave të njeriut, shprehur përmes pankartave “Mos hesht!” apo “Të mbrojmë arkeologjinë nga betonizimi”.

“Teatri ishte shtysa kryesore që ne të ringjallnim shpirtin që na kishte zënë pluhur ndoshta dhe për të kuptuar se ka ende shumë gjëra për të ndryshuar”, tha S.D, një aktiviste 23-vjeçare, e cila dha vetëm inicialet.

“Ne ruajtëm edhe distancën midis njëri-tjetrit dhe besoj arritëm të përcjellim mesazhin se kultura dhe historia nuk vdesin lehtë, me rrënime muresh”, shtoi ajo.

Shembja e godinës së Teatrit Kombëtar mëngjesin e së dielës që lamë pas polarizoi shoqërinë në qëndrime pro dhe kundër shembjes së godinës. Në Tiranë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka thirrur disa protesta kundër vendimit të shembjes së godinës, teksa nisma është ndjekur edhe në qytete të tjera të vendit.

Të rinjtë në qytetin e Durrësit vendosën fokusin edhe tek mbrojtja e arkeologjisë që sipas tyre është dëmtuar nga zhvillimi i projekteve publike dhe private.

“Shembja e teatrit la pas një dëm psikologjik në të gjithë popullatën shqiptare”, tregon Romeo. “Do të ketë edhe protesta të tjera për të rritur ndërgjegjësimin për mendimin qytetar në radhë të parë sepse qytetarët e Durrësit nuk po pyeten më mbi të gjitha”, përfundoi i riu që studion për mjekësi.

Protesta paqësore dhe pa ngjyrime politike përfundoi me shoqërimin në polici të dy prej organizatorëve, të cilët u liruan pasi u kryen veprimet procedurale në polici.