Blog29 Jan 2018

As koncesion as tender, Gjiknuri dhe Ahmetaj do të negociojnë aeroportin me turqit

Qeveria dërgoi në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj që i jep të drejtë të negociojë me një konsorcium kompanish turke ndërtimin e Aeroportit të Vlorës me një kontratë që pritet të jetë as koncesion dhe as tender, por që, sipas Gjiknurit, "do të mbartë rrezik fiskal minimal" për buxhetin e shtetit.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri duke folur gjatë një mbledhjeje të Komisionit Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, për koncesionin e Aeroportit të Vlorës më 29 janar 2018. Foto: Malton Dibra/LSA

Qeveritë e ndryshme shqiptare kanë ndjekur rrugë të ndryshme për të porositur punime publike. Tender, në rast se puna publike paguhet nga paratë e taksapaguesve, ku kandidatët e mundshëm konkurrojnë për të ofruar çmimin më të ulët, ose koncesion, në rastet kur qeveria synon t’i paguajë kostot gjatë viteve apo dekadave të ardhshme duke lënë borxh të paregjistruar te pasardhësit. Por për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, qeveria ka zgjedhur një rrugë të tretë: një ligj i posaçëm parlamentar që ngarkon dy ministra për të negociuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa garë me konsorciumin e kompanive turke që kanë shprehur interes për ndërtimin e aeroportit. Projektligji që u publikua në faqen në internet në Kuvendit të Shqipërisë mban titullin: “Për Përcaktimin e Procedurës së Veçantë për Negociimin dhe Lidhjen e Kontratës ndërmjet Shtetit Shqiptar dhe Shoqërive “Cengiz Construction & Kalyon & Colin Construction”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e aeroportit të qytetit të Vlorës”. Projektligji nuk thotë ndonjë gjë më shumë se sa faktin që ministrat Gjiknuri i Transporteve dhe Ahmetaj i Ekonomisë e Financave, do të kenë 90 ditë kohë për të hartuar dhe negociuar kontratën, e cila do të duhet të miratohet në Këshillin e Ministrave dhe në Kuvendin e Shqipërisë para se të hyjë në fuqi. Se çfarë kontrate do të jetë kjo, se kush do t’i paguajë paratë dhe me çfarë kushtesh, kjo, sipas Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, “përbën sekret tregtar” dhe nuk mund të bëhet publik.

“Oferta ka karakter konfidencial tregtar dhe deri sa të përfundojë negocimi me autoritetin shqiptar, ato nuk mund të bëhen publike sepse dëmtojnë mënyrën dhe seriozitetin e negocimit”, deklaroi Gjiknuri në komisionin parlamentar të veprimtarive prodhuese. Por pavarësisht se në projektligj nuk përmendet asgjëkundi fjala “koncesion”, Gjiknuri nuk e fshehu dot se kemi të bëjmë sërish me një koncesion, i cili nuk po miratohet me procedurat e rregullta koncesionare të imponuara nga ligji Për Partneritetin Publik – Privat. Dhënia e koncesionit me këtë ligj natyrisht që kërkon së paku një farë gare, një procedurë konkurruese që në themel synon të sigurojë ofertën më të leverdisshme për tatimpaguesit. Dhe sa i përket tatimpaguesve, pavarësisht se sipas Gjiknurit, “kushtet janë sekret”, ai vetë pranoi se tatimpaguesit do të marrin përsipër kosto, apo, siç e quajti ai, “rrezik”.

“Ne në këtë projekt do të marrim përsipër një risk minimal fiskal si çdo projekt tjetër koncesionar”, tha Gjiknuri.

Këtu krijohen dy probleme të tjera. E para, përdorimi i këtyre ligjeve speciale për kontrata koncesionare bien ndesh me parimet e Bashkimit Europian mbi menaxhimin e partneriteteve publike dhe private, të cilat janë kritikuar edhe në raportet e fundit të progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Kur qeveria aktuale miratoi një projektligj të ngjashëm për të dhënë me koncesion ndërtimin e rrugës së Arbrit në vitin 2015, nisma u kritikua nga Komisioni Europian. Në raportin e progresit të vitit 2016, (i fundit i publikuar deri tani) shkruhet: “Përjashtimi i infrastrukturës rrugore me rëndësi kombëtare nga mbikëqyrja e ligjit mbetet për t’u përafruar me Acquis“.

Problemi i dytë, ai që Gjiknuri e quajti “risk minimal fiskal”, lidhet si me vërejtjet e Komisionit Europian ashtu edhe me vërejtjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Raporti i Progresit thekson nevojën që qeveria shqiptare “të vlerësojë dhe kuantifikojë rreziqet fiskale që rrjedhin nga të gjitha partneritetet publike dhe private aktive si dhe nga kontratat koncesionare”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e vet vjetor për Shqipërinë, ndërsa thekson nevojën për të përforcuar mbikëqyrjen publike, përfshirë transparencën mbi kontratat e partneritetit publik-privat. Duke e vlerësuar Mbikëqyrjen e Projekteve të Partneritetit Publik Privat me notën “i pamjaftueshëm”, FMN kërkoi njëkohësisht transparencë dhe vlerësim të pavarur të rreziqeve fiskale që rrjedhin nga kontrata të tilla si dhe kërkoi gjithashtu që Instituti i Statistikave të llogarisë vlerën e këtyre kontratave si borxh publik. Por për momentin, qeveria thotë se ky rrezik fiskal që shqetëson FMN-në, është njëkohësisht “minimal” dhe “sekret tregtar”.