Investigim29 Nov 2018

Bandat e druvarëve: Plaçkitja e pyjeve të lashta të Shqipërisë

Prerja masive e pemëve në parkun më të madh kombëtar të Shqipërisë po shkatërron pyllin natyror të mbrojtur nga UNESCO, zbulon një investigim i BIRN.

Autor: Arlis Alikaj BIRN Rrajcë, Librazhd, Elbasan dhe Strugë
Printo

Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicëështë shtëpi e pyjeve të hershme të ahut dhe kafshëve të rralla, përfshirë shqiponjat e arta dhe rrëqebullin e rrezikuar. Foto nga EuroNatur – Gabriel Schwaderer

Shoferi futi kamionin prodhim sovjetik me marsh të parë kur hyri në rrugën malore. Duke ecur mbi një shkëmb të madh, kamioni u anua rrezikshëm pranë humnerës. Poshtë, një det me re shtrihej në horizont.

“Dashtë Allahu, o do t’ia dalim ose do të vdesim” tha shoferi.

Fatalizmi i tij nuk solli shumë qetësi.

Kamioni u fik, u tund dhe më pas u rikthye në punë. Duke shkelur butë gazin, ai ia doli të kapërcejë shkëmbin për të hyrë në një shteg balte.

Kjo ishte vetëm një nga ditët e zakonshme të tregut të zi të drurit në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë në Shqipërinë lindore.

Pavarësisht ndalimit strikt të prerjes së pyjeve dhe regjistrimit të një pjese të Shebenik-Jabllanicës si vend i trashëgimisë botërore të mbrojtur nga UNESCO, rrjetet kriminale po shkatërrojnë pyjet natyrore për të furnizuar me dru zjarri tregun e vendit, zbuloi një investigim nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative.

Më shumë se 2 mijë metra mbi nivelin e detit, pyjet e virgjëra të ahut në parkun më të madh kombëtar të Shqipërisë rriten të larta dhe të gjera, duke i bërë ato plaçkë të rëndësishme në një vend që ka humbur shumicën e pyjeve të veta përgjatë pesëdhjetë viteve të fundit.

Nga ryshfeti te lejet e falsifikuara apo te flotat e kamionëve të pajisur me mjete gjurmimi satelitore, investigimi i BIRN zbulon përmasat në të cilat druvarët ilegalë shfrytëzojnë zonat e mbrojtura.

Ai thekson gjithashtu kulturën e pandëshkueshmërisë në një vend kandidat për anëtarësim në BE që po vuan të vendosë sundim ligji në fushën e mbrojtjes së natyrës.

Në lojëështë shëndeti i një ekosistemi që shërben si mushkëri e Shqipërisë. Pyjet e larta ndihmojnë për të stabilizuar klimën e zonës, duke rregulluar rreshtjet dhe duke ndihmuar qarkullimin e ajrit, thonë mjedisorët.

I gjendur në kufi me Maqedoninë, parku është gjithashtu një nga zonat e fundit të mëdha të egra në Europën juglindore, ku tufa ujqish të hirtë konkurrojnë me sharrat elektrike.

Bashkë me pyjet e virgjëra të ahut, sharra rrezikon bimë dhe kafshë të rralla, përfshirë zambakun shqiptar, ariun e murrmë, shqiponjat e arta dhe rrëqebullin në rrezik zhdukje të njohur ndryshe si ‘’tigri i Ballkanit’’.

“Parku Shebenik-Jabllanicëështë një nga parqet më të bukura në Ballkan por në anën juglindore të tij është dëmtuar shumë,” thotë Ahmet Mehmeti, udhëheqës i një grupi mjedisorësh të quajtur Klubi Ekologjik i Elbasanit dhe një konsulent në prokurorinë e shtetit për krimet kundër mjedisit.

“Ata përgjegjës për tregtinë e paligjshme të drurit të zjarrit po thyejnë ligjin dhe po përdorin parkun për të bërë miliona për vete”.

‘Masakra mjedisore’

Më 2016, Shqipëria vendosi një moratorium 10 vjeçar në shfrytëzimin e të gjitha pyjeve të veta dhe ndaloi eksportin e drurit. Ndalimi erdhi pas dekadash shfrytëzimi të egër që zhveshi shpatet dikur të gjelbra të vendit dhe shkaktoi erozion.

Autoritetet mund të vijojnë të lëshojnë leje për prerje pemësh në zona specifike për të plotësuar nevojat për dru zjarri për popullsinëvendase – por parqet kombëtare janë rreptësisht të ndaluara.

Sipas kodit penal shqiptar, shkelësit mund të dënohen me deri tetë vjet burg për dëmtimin e zonave të mbrojtura.

Të dhënat më të fundit nga Global Forest Watch, një shërbim me bazë në SHBA që monitoron pyjet në të gjithë botën, tregojnë se pyjet mbulonin 17% të Shqipërisë më 2010.

Mes viteve 2001 dhe 2017, humbja e mbulesës me pyje në vend ka sjellëçlirimin e pothuajse tre megatonëve dioksid karboni, thotëGlobal Forest Watch.

Një pjesë e pyjeve të mbetura është në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, i cili përbën 70% të biodiversitetit të Shqipërisë, sipas Klubit Ekologjik Shqiptar, një grup mjedisorësh.

Parku me sipërfaqe 340 kilometra është pjesë e Brezit të Gjelbërt të Europës, një rrjet zonash ekologjike me rëndësi për Komunitetin Europian. Pyjet e lashta të ahut përreth fshatit të thellë të Rrajcës në cepin jug-lindor të parkut morën mbrojtje nga UNESCO më 2017.

Pelumb Gjini, ish-kryekomunar në fshatin Steblevë në veri të Shebenik-Jabllanicës, ndihmoi në organizimin e pleqësisë për krijimin e parkut kombëtar më 2008 pasi druvarët shkaktuan dëme “të stërmëdha” për shumë vite me radhë.

“Por ironikisht situata nuk u përmirësua dhe masakra mjedisore vijon,” i tha ai BIRN. “Biznesi prej miliona dollarësh e bën të lehtë injorimin e asaj që po ndodh duke e lënë zonën pa një plan menaxhimi.”

Rreth 80 për qind e banorëve të zonës mbështeten te drutë e zjarrit për ngrohje gjatë muajve të gjatë të dimrit, shtoi Gjini.

‘Biznesi prej miliona dollarësh e bën të lehtë injorimin e asaj që po ndodh’

Pëlumb Gjini, ish-kryekomunar i Steblevës

Ministria e Mjedisit nuk iu përgjigj kërkesës për intervistë apo pyetjeve me shkrim mbi prerjen e paligjshme të pyjeve.

Por Enver Shkurti, drejtor i Inspektoratit të Mjedisit për Qarkun Elbasani, institucioni përgjegjës për zbatimin e ligjit në park, mohoi se këtu kishte një problem gjatë një interviste në një kafene në Librazhd, qyteti më i afërt me parkun.

“Nuk është e vërtetë se ka prerje të paligjshme të pyjeve në park,” tha Shkurti, i cili ka qenë zëvendëskryetar bashkie në Librazhd nga viti 2015 deri në fillim të vitit 2018. “Institucioni jonë nuk ka informacion mbi asnjë prerje të paligjshme në park, megjithëse mund të ketë raste të izoluara.”

Investigimi i BIRN zbuloi një pamje tjetër.

Në një udhëtim njëditor të fshehtë me prerësit në zonën e mbrojtur nga UNESCO pranë Rrajcës, BIRN pa parcela pyjesh të virgjëra ahu që po pastroheshin. Në shpatet e larta mbi retë gjendeshin pirgje me drurë të sapoprerë në pritje për t’u ngarkuar. Zhurma e sharrave dëgjohej kudo.

Ajo që pa BIRN nga bota e tregut të zi të drurëve të zjarrit filloi në mëngjes vere në një kafene pranë rrugës në fshatin Hotolisht, pak kilometra jashtë anës jugperëndimore të Shebenik-Jabllanicës.

Pesë shoferë që punonin për “bosët” e druvarëve po pinin duhan dhe kafe. Theksi i tyre tregonte se vinin nga pjesë të ndryshme të Shqipërisë. Targat e kamionëve të parkuar aty pranë tregonin për mjete të regjistruara në rrethe të largëta: Durrës, Fier, Korçë dhe Berat.

Degë të prera nga pemët për dru zjarri në shpatet e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Foto: Arlis Alikaj

Secili shofer punonte për një “kompani” të ndryshme. Detyra e tyre ishte që të lidheshin me skuadrat e druvarëve në malet e Shebenik-Jabllanicës dhe të ngarkonin lëndën drusore.

Shoferët filluan të debatonin se kush do të merrte ngarkesën më të mirë nga lartësitë më të mëdha në park. Sa më e mirë të ishte lënda drusore, aq më i madh ishte fitimi i tyre.

Në tavolinë ata kishin të dhëna mbi lëvizjet e oficerëve të policisë vendore – të vlefshme për planifikimin e rrugës dhe shmangien e patrullave.

Pak më vonë, një njeri tjetër mbërriti në kafene: plaku i njërit prej disa dhjetëra fshatrat që gjenden pranë parkut.

Grupi filloi të grindej mbi atë se në cilin kamion do të hipte kryeplaku. Në fund, ai zgjodhi një shofer dhe të gjithë të tjerët i hipën kamionëve për të krijuar një karvan. BIRN shoqëroi njërin prej shoferëve, një njeri i bëshëm në të dyzetat.

“Ai zgjodhi kamionin dhe shoqërinë e atij që do t’i japë ryshfetin më të madh,” tha shoferi ndërsa ndezi makinën, duke shpjeguar se pasja e kryeplakut në kamion do të thoshte më pak probleme me autoritetet apo banorët vendës.

Kryeplaku përcakton gjithashtu vendet ku priten pemët, tha ai. Shoferët e dinë se çfarë shtigjesh të ndjekin në park sipas shenjave të vendosura me bojë në shkëmbinj apo degë pemësh në degëzimet e rrugëve të pashtruara. Secila kompani ka ngjyrën e vet të përcaktuar. Sa më i madh të jetë ryshfeti, aq më e pasur është parcela për t’u prerë.

Armë dhe sharra

Ndërsa ai përparoi në park, shoferi mori telefonata nga bosët, përmes tre telefonëve të ndryshëm celular, secili me një bateri të jashtme. Ai tha se kamioni kishte pajisje të gjurmimit satelitor për të ndihmuar punëdhënësit që të ndiqnin vendndodhjen e tij.

Në një degëzim rruge, kamionët u ndanë.

Duke dalluar ngjyrën e kompanisë së tij në një trung, shoferi mori një shteg të pjerrët që gradualisht u bë edhe me baltë dhe me gurë. Për 45 minutat që pasuan, kamioni çau ngadalë përpara duke u tërhequr herë pas here pas. Në një pikë, ai ndali kamionin, zbriti, vendosi shkopinj e gurë nën rrota në mënyrë që të mund tëçante nëpër baltë.

Herë pas here burra me syze dielli shfaqeshin mes pemëve për t’u siguruar se kamioni do të ndiqte shtegun e duhur, i cili duhej se ishte hapur nga një buldozer që gjendej i parkuar aty pranë.

Një zinxhir sharre shihet në një trung ahu në Parkun Kombëtar Shebenik – Jabllanicë. Foto: Arlis Alikaj

Një i ri trupmadh përshëndeti shoferin dhe i dha atij dy apo tre dokumente që shoferi tha se ishin lejet për të prerë dru në Dardhë, rreth 30 kilometra në jug të parkut.

“Këto letra do të më shpëtojnë,” tha shoferi.

Kur kamioni në fund mbërriti në destinacion në kreshtën e malit pranë fshatit të vogël Rrajca-Skënderbej, më shumë se 2 mijë metra mbi nivelin e detit, dhjetë banorë vendës filluan të ngarkonin trungje ahu gjigant në kamion. Burra të tjerë me sharrë në duar ishin të zënë duke prerë pemët. Stivat e druve gjendeshin gjithkund.

Disa njerëz me armë në brez mbikëqyrnin punën. Njëri rrotullonte pistoletën në dorë.

“Është për kafshët,” tha ai.

‘Më vjen turp për çfarë po bëj, por nuk kam zgjedhje tjetër.

Druvar anonim

Një nga punëtorët që po ngarkonte trungjet në kamion ishte një djalë rreth të njëzetave nga një fshat pranë parkut. Larg veshëve të njerëzve me armë, ai tha se e vetmja mënyrë për të mbajtur familjen ishte puna e rëndë në prerjen dhe ngarkimin e pemëve, në disa raste duke punuar natën.

“Mua nuk më pëlqen të pres pyjet,” tha ai. “Më vjen turp për çfarë po bëjmë, por çfarë mund të bëj tjetër?”

Si të gjithë njerëzit e përfshirë në prerjen ilegale që folën për BIRN, ai refuzoi të identifikohet.

Në një udhëtim të vështirë pas duke zbritur nga mali, ndërsa trungjet përplaseshin në anët e kamionit të ngarkuar rëndë, shoferi bëri telefonata te bosët për t’u informuar më saktë mbi patrullat e policisë atë ditë – që të sigurohej se nuk do të kishte ndalesa të padëshiruara.

Kërkesat e BIRN për komente nga policia e zonës mbetën pa përgjigje ndërsa Policia e Shtetit në Elbasan nuk iu përgjigj një kërkese për të drejtë informimi mbi zbatimin e ligjeve kundër prerjes së pyjeve.

Shoferi tha se ai gjithmonë përpiqej të ngarkonte më shumë dru nga sa lejonte leja e tij false për shkak se çdo rrugë paguhej pak. Nëse dokumenti specifikonte pesë metra kub, ai merrte 15.

“Njerëzit e thjeshtë si unë janë poshtë fare,” tha ai, duke shpjeguar se bosët ishin biznesmenë me lidhje me “njerëz të fuqishëm” që lejojnë prerjen e pyjeve.

Ai tha se gjysma e parave të bëra nga shitja e druve të zjarrit shkon te bosët dhe punëtorët e tyre. Pjesa tjetër mbulon ryshfetet për zyrtarët e qeverisë.

Shpatet e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Foto nga Viktor Bogdani

Ryshfet dhe korrupsion

Leksione nga Maqedonia
Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë shtrihet në të dyja anët e kufirit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Mjedisorët thonë se autoritetet e të dy vendeve e luftojnë shumë ndryshe prerjen ilegale të pyjeve.
“Në kulturën e tyre [Maqedonase], ata e mbrojnë pyllin si trashëgiminë e tyre,” thotë Armando Braho, një jurist mjedisor në Universitetin Ndërkombëtar të Strukës në Maqedoninë perëndimore. “Ka ligje të forta dhe patrulla 24 orë në ditë. Stafi është i trajnuar dhe ka një forcë speciale rojesh për të zbatuar ligjet.”
Nga ana tjetër, Shqipëria “ka ligje që nuk zbatohen,” tha ai.
Prerjet ndodhin [në Maqedoni] por ka edhe ripyllëzime. [Shqiptarët] kanë një kulturë të shkatërrimit të asaj që kanë.
Bajram Kullolli, një roje e vjetër në Shebenik-Jabllanicë, tha se ana maqedonase e parkut menaxhohet shumë më mirë.
“Maqedonasit kanë më shumë kulturë ligjore dhe komunikim më të mirë,” tha ai.
“Ne kemi bërë shumë shkëmbime dhe bashkëpunime me ta dhe ata duken shumë më tepër profesionistë në skuadra, materiale dhe organizim. Ne na vjen turp, aktualisht, por ne kemi shumë për të mësuar prej tyre. Ne kemi nevojë për mbështetje nga shteti për të fuqizuar shërbimin e rojeve.”
Ahmet Mehmeti, kreu i Klubit Ekologjik të Elbasanit në Shqipërinë lindore, tha Maqedonia ka ruajtur trashëgiminë e kujdesit për pyjet që shkon pas që nga koha kur vendi ishte pjesë e Jugosllavisë. Sot, ajo përdor teknologjinë për t’u kujdesur.
“Maqedonasit kanë kapacitetet dhe teknologjinë për të mbrojtur pyjet,” tha ai. “Ata kanë zhvilluar teknologji me monitorim GPS dhe vrojtim me kamera. Por puna është gjithashtu edhe në zbatim dhe ne nuk kemi kapacitetet cilësore në staf.”
Xhek Nezha, drejtor i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Elbasan në Shqipëri, tha: “Ka fusha ku duhen përmirësime, por ne kemi inxhinierët e pyjeve që janë profesionistë të trajnuar.”
Ministria e mjedisit në Maqedoni ka një Departament për Natyrën të dedikuar për mbrojtjen e burimeve natyrore të vendit. Detyrat e departamentit përfshijnë zbatimin e planeve për sigurimin e shëndetit afatgjatë të zonave të mbrojtura.
Nëse shohim edhe dënimet për prerje ilegale, Maqedonia duket se e merr zbatimin e ligjit më seriozisht.
Në gjashtë muajt e parë të vitit 2015, media raportoi (në italisht) se gjykatat maqedonase dhanë 1,227 dënime për prerje ilegale, përfshirë 1.7 milionë euro gjoba. Në kontrast nga kjo, gjykatat në Shqipëri dhanë një gjobë të vetme prej 650 eurosh mes viteve 2015 dhe 2017, zbuloi një investigim i BIRN më 2017.
BIRN nuk ishte në gjendje të merrte komente nga ministria e mjedisit e Maqedonisë apo autoritetet e zonës pranë parkut.

Delegacioni i BE-së në Shqipëri, i cili financon një projekt për të ndihmuar në menaxhimin dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të pyjeve të mbrojtura, përmendi qeverisjen e dobët dhe korrupsionin si pengesa në mbrojtjen e pyjeve.

“Zonat e mbrojtura janë të prekura nga shpyllëzimi ilegal, fragmentimi i habitateve dhe degradimi i ekosistemeve për shkak të kapaciteteve të dobëta administrative, mungesës së aftësive teknike, financimit të paktë dhe korrupsionit në administratë,” i tha delegacioni BIRN në një deklaratë me shkrim.

Armando Braho, jurist mjedisor në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës pak përtej kufirit me Maqedoninë, tha se problemi ishte “më shumë politik se sa ligjor”.

“Ka interesa politikë të lidhura me fitimet, gjë që mundëson këtë aktivitet,” tha ai.

Ndërsa shumica e Shebenik-Jabllanicës administrohet nga autoritetet në qytetin e Librazhdit, pjesa jugore e parkut – përfshirë zonat e mbrojtura nga UNESCO përreth Rrajcës – gjendet në bashkinë e Prrenjasit.

“Mendimi jonëështë që shteti nuk ka ndërhyrë mjaftueshëm për të bllokuar prerjet ilegale,” tha kryebashkiakja e Prrenjasit Miranda Rira në një intervistë për BIRN. “Moratoriumi i vitit 2016 nuk është zbatuar dhe popullsia nuk ka alternativa për ngrohje në dimër, gjë që e bën shumë të vështirë ndalimin e prerjeve ilegale.”

Ajo tha se bashkia bleu 3,260 metra kub dru zjarri nga burime të tjera për banorët dimrin e kaluar, por me një popullsi prej 25 mijë vetësh sipas censusit 2011, furnizimi shtesë nuk mjaftoi.

“Nëse shteti nuk merr seriozisht nevojën për një alternativë për t’i mbajtur njerëzit ngrohtë, në të ardhmen e afërt pylli unë do të humbasë statusin UNESCO,” tha Rira.

‘Pylli ynë mund të humbasë statusin UNESCO’

Kryebashkiakja e Prrenjasit Miranda Rira

Rojet e parkut që punojnë për Administratën e Zonave të Mbrojtura në Librazhd, APA Librazhd, janë përgjegjës për patrullimin e parkut.

Bajram Kullolli, i cili së fundmi u bë i dyti në komandën e APA Librazhd, pas 25 vjetësh pune si roje pylli, tha personeli prej 15 personazh ishte i mbingarkuar dhe pa burimet e nevojshme.

“Shteti duhet… të rrisë pagat, të japë tollona nafte [për automjetet e patrullimit] dhe të rrisë burimet njerëzore,” i tha ai BIRN.

Delegacioni i BE-së në Shqipëri lavdëroi APA Librazhd për përpjekjet e saj për të kontrolluar prerjet e paligjshme por ta se problemi vijonte për shkak të “kapaciteteve të kufizuara” të administratës dhe “mungesës së angazhimit serioz nga Inspektorati i Mjedisit”.

Kullolli tha se zyra e tij kishte dërguar së fundmi katër raste në polici dhe prokurori por asnjëra prej tyre nuk kishte rezultuar në dënime. Krahas vonesave burokratike, investigimet u penguan nga vështirësia për të provuar se nga vinte druri i prerë pasi ai ishte tharë, shtoi ai.

Kërkesat për Prokurorinë e Elbasanit për të dhëna të kohëve të fundit për dënime mbetën pa përgjigje si pasojë e ndryshimeve në prokurorinë rajonale të shkaktuara nga reforma në drejtësi, e cila ka lënë pjesë të mëdha të sistemit të drejtësisë në Shqipëri pezull.

Por njëinvestigim i BIRN i vitit 2017 (teksti është në Shqip) tregoi se nga 26 rastet e prerjes së paligjshme që i janë referuar prokurorëve përgjatë dy viteve të fundit, 23 prej tyre përfunduan me ngritje akuzash por vetëm një person u dënua – një burrë nga Rrajca, i cili mori një gjobë prej 650 eurosh për prerje pemësh pa leje.

‘Lotët e pemëve’

Pamje nga Parku Kombëtar Shebenik – Jabllanicë, zona e prerjeve të paligjshme të pyjeve. Foto: Arlis Alikaj

Mjedisorët thonë se trungjet nga parku përfundojnë në tregjet e druve të zjarrit në të gjithë vendin, ku kanëçmim më të lartë për shkak të trashësisë, për shkak se janë të tharë dhe për shkak se vlerësohet se digjen më gjatë në sobë.

Përgjatë pak orëve, BIRN pa kamionë të rëndë që ecnin në një copë rrugë mes qyteteve të Librazhdit dhe Prrenjasit në qarkun Elbasan, të gjitha të mbingarkuara me trungje gati për t’u nxjerrë në treg.

Tregtarët e druve të zjarrit në qytetet juglindore të Pogradecit dhe Korçës dhe në zonën përreth Librazhdit refuzuan të thonë se cili ishte burimi i druve të tyre, por menaxheri i një tregu në Elbasan që kërkoi të mbetej anonim, tha se druri më i mirë vinte nga Shebenik-Jabllanica.

Ai tha se furnizuesit përdornin dokumente false për të treguar se druri ishte prerë në Dardhë, një zonë jashtë parkut ku autoritetet mund të lëshojnë leje për plotësimin e nevojave të zonës për dru zjarri. Gjatë verës, druri që me të vërtetë vjen nga Dardha shitet për rreth 24 euro (3 mijë lekë) për metër kub ndërsa druri më i mirë nga Shebenik-Jabllanicë shitet për 32-35 euro (4,000-4,500 lekë), tha ai. Në dimër, druri nga parku shitet për 55 euro (7,000 lek).

Pyetur mbi aludimet se druri nga parku shitet sikur vjen nga zona të tjera ku prerja lejohet, Shkurti nga Inspektorati i Mjedisit në Elbasan tha: “Kjo nuk është e vërtetë. Këto janë probleme të së shkuarës.”

Por ai tha se ka pak konfuzion mbi ligjshmërinë e prerjeve jashtë parkut për shkak të koncesioneve të dhëna para moratoriumit të vitit 2016.

“Disa koncesione u dhanë në vitin 2003 dhe vijojnë deri më 2022,” tha ai. “Kjo na jep ne imazh të keq. Por këto lloj koncesionesh nuk janë përgjegjësia jonë.”

Mehmeti, kreu i Klubit Ekologjik të Elbasanit, tha: “Koncesionet kanë abuzuar duke prerë më shumë pemë nga sa janë lejuar, duke prerë në zona pa leje dhe duke ndryshuar letrat për të fshehur origjinën.”

Kastriot Gurra, kryebashkiak i Librazhdit, u pyet së fundmi mbi hapësirat në interpretimin e moratoriumit në një intervistë televizive (në shqip).

“Ne nuk kemi aftësinë për të pezulluar apo anuluar kontratat për shkak se ato u nënshkruan nga Ministria e Mjedisit në vitin 2012,” tha ai.

‘Këto pemë janë rritur me mua… duket sikur [druvarët] më kanë prerë mua’

Banor i zonës së prerjeve ilegale në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë

Braho nga Universiteti Ndërkombëtar i Strugës e hodhi poshtë idenë se koncesionet e vjetra mund të shkaktojnë konfuzion ligjor ose të pengojnë zbatimin e ligjit.

“Edhe nëse ka një kontratë [para moratoriumit] qeveria mund të gjejë zgjidhje,” i tha ai BIRN.

Fermerët vendës përreth fshatrave të Steblevës dhe Dragostunjës – në anë të ndryshme të parkut – thotë se shpyllëzimi po shkatërron tokat e tyre duke shkaktuar erozion. Fshatarët që mbajnë lopë, dele apo dhi në malet shkëmbore thonë se po humbasin kullotat.

Ndërkohë, njerëzit përreth Rrajcës ankohen se po humbet pylli i virgjër i ahut për të cilin thonë se kanë lidhje shpirtërore.

“Këto pemë u rritën bashkë me mua,” tha një tregtar 35 vjeçar që kërkoi të mbetet anonim nga frika e hakmarrjes nga prerësit e pyjeve. “Unë gdhenda emrin tim në një nga këto pemë dhe shkoja për piknik atje me familjen. Sot, kur u ktheva pas gjeta se pema nuk ishte më. Ata e kishin prerë. Ishte sikur të më kishin prerë mua.”

Në një lëndinë pranë fshatit Rrajca-Skënderbej ku druvarët ishin të zënë duke prerë pemët, një grua në të shtatëdhjetat po ecte me një gomar për të sjellë drekën për djalin e saj, një prej druvarëve.

“A e sheh këtë pikën që rrjedh nga trungu?” tha ajo duke bërë me shenjë nga një ah i madh. “Ne e quajmë atë loti i pemës, për shkak se pemët qajnë kur priten.”

Arlis Alikaj është gazetari lirë në Shqipëri. Redaktimi u krye nga Timothy Large. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacionet për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative.