Lajm11 Jun 2018

Banorët e Dragobisë protestojnë pas shpërthimeve të kompanisë së HEC-eve në zonë

Të shqetësuar pas një "shiu gurësh" që ranë drejt shtëpive të tyre mesditën e të dielës, banorët e Dragobisë kanë bllokuar sot rrugën kombëtare të Valbonës dhe kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve për të garantuar sigurinë e tyre përballë punimeve që po kryen nga një kompani për ndërtimin e një hidrocentrali në zonë

Autor: Ivana Dervishi BIRN Tiranë
Printo

Protesta e banorëve të Dragobisë kundër shpërthimeve të kompanisë Gener 2. Foto: Shoqata Toka

Mëngjesin e të hënës, banorë të Dragobisë bllokuan rrugën kombëtare të Valbonës në shenjë proteste pas dy shpërthimeve pasditen e djeshme të ardhura si pasojë e punimeve për ndërtimin e dy HEC-eve në zonë nga kompania Gener 2.

Banorët thonë se në dy lagjet Metalliaj dhe Ismalaj shpërthimet kanë shkaktuar rënie të gurëve ndaj shtëpive atje, ndërsa ka pasur dhe shkëputje të energjisë elektrike.

“Isha t’u punu tokën kur nigjova shpërthimet. Tani fëmitë tuten me dalë nga shpitë,” tregoi për BIRN një banor i zonës, i cili kërkoi të mos identifikohej.

“Do ta bllokojmë rrugën derisa t’vij dikush t’na japi zgjidhje se ktu kemi dal për të drejtat tona,” shtoi ai.

Aktivistja e Valbonës, Catherine Bohne i tha BIRN se në shtëpitë ku kishin rënë gurët, ato ishin të një madhësie që mund të dëmtonin seriozisht dikë.

Ajo gjithashtu tha se banorët ishin detyruar të bllokonin rrugën, pasi policia i kishte liruar dy punëtorët e kompanisë të shoqëruar dje dhe se banorët nuk ndiheshin të sigurt.

“Thonë se kompania do të na paguajë dëmet e shkaktuara shtëpive, po dëmin psikologjik te ne apo atë mjedisor te natyra kush e shlyen?,” tha Bohne.

“Nuk mund të jetohet më kështu! Boll më me këto çrregullime dhe mosfunksionime të shtetit dhe këto gjyqe për shpifje të kompanisë!,” tha ajo, duke shtuar se të gjithë banorët janë ngritur në këmbë kundër HEC-eve.

 

E kontaktuar nga BIRN kompania Gener 2 u shpreh se shpërthimet në tunelin e Dragobisë kanë qenë pjesë rutinë e punimeve dhe se për këtë janë bërë lajmërime zyrtare në Bashkinë e Tropojës dhe në polici.

“Është detyrë e kësaj të parës të lajmërojë banorët për shpërthimet, ndërsa ne kemi marrë të gjitha masat për rrethimin e zonës,” tha zëdhënësja e kompanisë.

“Kemi çuar një ekip specialistësh që në bashkëpunim me autoritetet do të vlerësojnë dëmin dhe nëse ka dëmtim të shtëpive, do të marrim masa,” përfundoi ajo.

BIRN kontaktoi Bashkinë Tropojë, por nuk mori përgjigje deri në kohën e publikimit.

Komisariati i Policisë Tropojë lajmëroi se më 11 qershor referoi materialet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për shtetasit L.M., dhe P.F., vjeç 29 e 58, banues në Tiranë e Lezhë, inxhinieri i firmës ndërtuese të HEC-it dhe zjarrmëtari, pasi dyshohet se gjatë kryerjes së punimeve për ndërtimin e HEC-it në Valbonë, në vendin e quajtur dalja e Dragobisë, kanë kryer një shpërthim me lëndë plasëse, si pasojë janë këputur dy përcjellës të tensionit 10.000 KV si dhe në parcelat e fshatarëve kanë rënë një sasi gurësh.

Tensionet te banorët e luginës së Valbonës datojnë në vitin 2016, kur Parku Kombëtar u kthye nga një mrekulli turistike, në një kantier ndërtimi makinerish të rënda për të ndërtuar 14 hidrocentrale, lejet e të cilave u dhanë nga qeveria nga viti 2009 e në vazhdim.

Banorët nisën protestat kundër ndërtimit të  HEC-eve, duke pretenduar se ata nuk ishin konsultuar dhe se lista e konsultimit përmbante firma të personave të vdekur dhe përbëhej kryesisht nga punëtorë të fabrikës. Banorët gjithashtu këmbëngulën se HEC-et do të dëmtonin natyrën dhe se do të shkatërronin jetesën e tyre të ngritur mbi turizëm.

Kompanitë koncensionare nga ana e tyre hodhën poshtë pretendimet e banorëve, ndërsa thanë se HEC-et do të ndërtoheshin me standarde të larta dhe se lejet ishin dhënë komform ligjit.

Tre HEC-e janë aktualisht në ndërtim në Parkun Kombëtar të Valbonës.

 

Ky lajm u përditësua më 12 qershor për të shtuar lajmërimin e policisë.