Lideri i opozitës përsëriti kërkesat për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme si dhe paralajmëroi një protestë të tretë të madhe si marshim drejt “fitores totale”.
Lulzim Basha e quajti “referendum për Republikën e Re” protestën e mbajtur të shtunën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërkohë që mijëra protestues kërkuan largimin e kryeministrit përmes thirrjeve “Rama ik”!
Në fjalimin e tij, kryetari i Partisë Demokratike përsëriti kërkesat për zgjedhje të lira dhe qeveri teknike, ndërsa duke iu referuar qeverisë së Ramës deklaroi se “nga sot nuk do ta njohim më Republikën e Vjetër”.
“Përballë këtij bashkimi kombëtar t’i thërrasin mendjen dhe t’i hapin rrugë zgjidhjes përmes dialogut. Republika e re nuk do të ndalet, nuk do të thyhet, por do të marshojë në fitore totale,” tha Basha.
Protesta masive u zhvillua 85 ditë pas 18 shkurtit-dita kur Partia Demokratike vendosi të radikalizojë aksionin politik përmes instalimit të një çadre përballë godinës së kryeministrisë dhe bojkotit të parlamentit. Me akuzat se paratë e drogës mund të përdoren në favor të qeverisë për procesin zgjedhor, PD ka kërkuar largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike si kusht për hyrje në zgjedhje -një kërkesë e cila është refuzuar.
Në këmbim, Rama ka këmbëngulur se zgjedhjet do të mbahen më 18 qershor, ndërsa ofroi disa poste në qeveri për Partinë Demokratike për monitorimin e zgjedhjeve.
Ndërhyrja e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri shtroi mbi tavolinë disa opsione kompromisi, të cilat u mbyllën pa asnjë rezultat. Gjithashtu, kryeministri Rama dhe lideri i opozitës zhvilluan dy takime, të cilat dështuan në arritjen e një marrëveshjeje.
Vendimi i Partisë Demokratike për të mos marrë pjesën në zgjedhjet e dekretuara më 18 qershor është shoqëruar me kritika të forta nga Bashkimi Europian. Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn e quajti të qëllimshme vendimin për bojkotin dhe deklaroi se zgjedhjet do të njihen edhe pa pjesmarrjen e saj.
Në mbyllje të fjalimit të tij, Basha premtoi se opozita do të vazhdonte betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe paralajmëroi mbajtjen e një proteste të tretë të madhe.
“Kërkoj qëndresë dhe bashkim për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të vetmet që Shqipëria do të ketë. Kështu siç u mblodhët sot në këtë referendum të jeni gati për të tretën të vërtetën e marshimit final”, përfundoi Basha.