Analize27 Jun 2017

Beteja për Kukësin, PD ruan fitoren me rezultat të ngushtë

Qarku i Kukësit i dha dy mandate Partisë Demokratike në zgjedhjet e së dielës duke ruajtur rezultatin e vitit 2013, por diferenca mes socialistëve dhe demokratëve është shumë më e ngushtë se sa në zgjedhjet e kaluara. Rreth 10 mijë kuksianë bojkotuan kutitë e votimit.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Harta e Qarkut Kukës

Pasi i dhanë Partisë Socialiste gati 7 mijë vota më shumë se sa më 2013 dhe demokratëve rreth 2,500 vota më pak, Kukësi, qarku më i vogël në Shqipëri për nga numri i deputetëve vendosi të dërgojë dy deputetë nga PD dhe një nga PS në Kuvendin e Shqipërisë.

Ish-ministri demokrat Flamur Noka [CV link] dhe ish sekretari i brendshëm i Ministrisë së Brendshme Isuf Celaj [CV Link] do të jenë përfaqësuesit e Kukësit për Partinë Demokratike. Nga ana e socialistëve Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli [CV Link] mori mandatin. Në rast se Partia Socialiste do ta vijojë praktikën e dorëheqjes së ministrave nga posti i deputetit dhe në rast se Kodheli do të vijojë të jetë ministre, atëherë përfaqësuesi i Partisë Socialiste për Kukësin në kuvend do të jetë biznesmeni Safet Gjici. [CV link].

Në qarkun e Kukësit të dielën kishin të drejtën e votës 81 mijë shtetas, 5 mijë më shumë se sa në zgjedhjet e vitit 2013, ndërsa në kutitë e votimit u hodhën më pak se 43 mijë vota, 5 mijë më pak se sa më 2013, duke sugjeruar se rreth 8-10 mijë vetë vendosën të shprehen me mospjesëmarrje në zgjedhje. Nga votat e hedhura, 853 qenë vota të pavlefshme, shifra më e lartë e votave të pavlefshme e regjistruar në krahasim me dy zgjedhjet e kaluara.

Partia Demokratike pati siguruar gati 58 për qind të votave të Qarkut Kukës në zgjedhjet e vitit 2009, kur Kukësi shijoi për herë të parë lidhjen rrugore të shpejtë me Tiranën. Entuziazmi ndaj PD-së në Kukës duket se u zvenit me kalimin e viteve. Në zgjedhjet e vitit 2013, PD arriti të fitojë Kukësin me 50 për qind të votave ndërsa të dielën fitoi vetëm 47 për qind. Në total, votat e munguara në Kukës anojnë nga Partia Demokratike, pasi PS e përmirësoi dukshëm rezultatin e saj. PS pati marrë vetëm 24 për qind të votave më 2013 dhe arriti të marrë gati 44 për qind të dielën.

Partia Lëvizja Socialiste për Integrim mori 2900 vota në Kukës, gjysma e atyre që kishte marrë më 2013 kur pati garuar në koalicionin e majtë.

Për të lexuar rregullisht Reporter.al, ju ftojmë të abonoheni me email. Ne dërgojmë një email në ditë me lajmet, analizat dhe investigimet e fundit.

Të dhëna të përgjithshme për zgjedhjet në Qarkun Kukës. Grafika: Jurgena Tahiri/BIRN

Mandate të fituara nga partitë 2009-2013, qarku Kukës. Grafika: Jurgena Tahiri/BIRN

Vota të fituara nga partitë 2009-2013, qarku Kukës. Grafika: Jurgena Tahiri/BIRN

Përqindja e votave të fituara nga partitë 2009-2013, qarku Kukës. Grafika: Jurgena Tahiri/BIRN