Lajm10 Jan 2018

Buxheti i bashkisë Bulqizë miratohet mes akuzave për shit-blerje vote

Kryebashkiaku i Bulqizës siguroi shumicë dërrmuese për të miratuar buxhetin në Këshillin Bashkiak, vetëm tre muaj pasi i ishte rrëzuar një projekt-buxhet afatmesëm. Opozita akuzoi Damzin për shit-blerje të këshilltarëve, ndërsa buxheti që parashikon fryrje të administratës dhe më pak investime  është kaluar pa konsultime publike.

Autor: Sami Curri BIRN Bulqize
Printo

Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Melaim Damzi. Foto: Facebook

Ndërsa pati dështuar në Shtator për shkak se nuk kishte shumicën në Këshillin Bashkiak të miratonte një projekt buxhet afatmesëm,  Bashkia Bulqizë miratoi në fund të dhjetorit  me 17 vota pro buxhetin e vitit 2018. Votimi unanim i pjesëmarrësve në mbledhjen e këshillit, ndërsa katër këshilltarë të tjerë munguan, ka bërë që drejtues lokalë të opozitës të akuzojnë kreun e bashkisë, Melaim Damzi për blerje të votës së këshilltarëve, fryrje të administratës dhe diskriminim të zonave që nuk kanë votuar për të. BIRN mësoi po ashtu se ndryshe nga detyrimet ligjore,  buxheti u miratua pa konsultime publike.

“Imagjino se çfarë mund të bëjnë në Bulqizë vetëm e vetëm për një vend pune,” tha duke iu referuar shitjes së votës nga këshilltarët Dëfrim Fiku, kreu i PD-së në Bulqizë. “Kjo është shitje,” përsëriti ai.

Kryebashkiaku Melaim Damzi refuzoi të komentonte akuzat dhe t’u përgjigjej pyetjeve për buxhetin. Ndërkohë Mentor Lala, kreu i këshilltarëve të PD tha se e kishte votuar buxhetin pasi bashkia e kishte bindur se administrata shtesë do të paguhej nga buxheti i shtetit dhe se investimet në disa zona ishin të pamundura pasi “mungonin fondet”.

Tabela e detajuar e investimeve në buxhetin e Bashkisë Bulqizë për vitin 2018, ku shënohet asfaltimi i rrugës në Lagjen Minatori, e inaguruar ndërkohë në vitin 2017.

Buxheti i ri  parashikon një rritje me 15 milionë lekë të të ardhurave të bashkisë, por kjo e fundit ka parashikuar rreth 35 milionë lekë më pak investime.  BIRN gjeti se në tabelat e detajuara shumica e investimeve janë përsëritje të projekteve të vitit të kaluar dhe në të paktën një rast përmendet asfaltimi i rrugës së Lagjes Minatori,  që sipas faqes zyrtare të bashkisë është inaguruar vitin që shkoi.

Ndërkohë, 44 për qind e buxhetit është parashikuar vetëm për paga dhe sigurime shoqërore, ndërsa administrata e bashkisë rritet nga 365 të punësuar që kishte në 2017-ën në 395 persona. Fryrja e administratës dhe dyshimet se emërimet ishin partiake ishte një prej arsyeve pse këshilltarët e PD dhe PS refuzuan të votonin një projekt buxhet afatmesëm në shtator. Shtimi i numrit të punonjësve të administratës ishte debatuar edhe më herët në Bulqizë. 

Halil Jakimi, këshilltar i djathtë i cili nuk votoi për buxhetin, tha se megjithë kërkesat e herëpashershme, bashkia nuk kishte bërë trasparencë dhe nuk kishte dhënë informacion për punësimet dhe fryrjen e administratës.

Ndërkohë kolegu i tij dhe kreu i këshilltarëve të djathtë, Mentor Lala tha se kishte ndryshuar mendje dhe vendosur të votonte pro pasi kreu i bashkisë kishte premtuar se shtimi i administratës së bashkisë nuk do të paguhej me fondet e saj, por nga ato të buxhetit të shtetit. “Edhe ne kemi ngritur shumë shqetësime, por nga përfaqësuesit e bashkisë u deklarua se nuk kishte mundësi financiare dhe prandaj i dhashë votën pro buxhetit,” tha ai.

Jakimi i tha BIRN se buxheti, i cili parashikon për vitin e dytë rradhazi rikonstruksionin e bashkisë, ishte diskriminues për disa zona dhe nuk duhej votuar.  “Por më e keqja e këtij buxheti është se njësitë administrative janë lënë totalisht jashtë investimeve, këtu vlen të përmend tre njësi; Fushë-Bulqizë, Zerqan dhe Martanesh, që prej tre vitesh që bashkia drejtohet nga Z. Damzi nuk është bërë qoftë edhe investimi më i vogël,” tha ai.

Nga ana tjetër, sipas Jakinit buxheti ka kaluar pa konsultime publike, ndryshe nga sa pretendohet në relacionin shoqërues të cilin BIRN e disponon.

Edhe kryetari i Këshillit Bashkiak, Gazmend Kënga, i cili votoi në favor të buxhetit, la të kuptohej se nuk kishte dijeni për konsultimet publike. “E gjithë përgjegjësia për dëgjesa apo diskutime me grupet e interesit bie mbi administratën e bashkisë”, deklaroi Kënga për BIRN.

Prefekti i Dibrës Nexhbedin Shehu që ka miratuar buxhetin i tha BIRN se nuk ka pasur dijeni për mungesën e konsultimeve publike dhe se po të dinte do ta  kishte kthyer vendimin për diskutime.  “Nëse ne do të kishim dijeni më herët për një shkelje të tillë proceduriale nga bashkia Bulqizë, ne ashtu siç e përcakton edhe ligji do t’i kërkonim që t’i reflektonin përpara se ta miratonim,” tha Shehu.