Mungesat e avokatëve lënë pezull procesin në Apel të Emiljano Shullazit dhe anëtarëve të grupit të tij. Avokatja e caktuar nga Gjykata tha se mungoi në seancë për shkaqe shëndetësore.
Ka dështuar për të pestën herë në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda shqyrtimi gjyqësor ndaj Emiljano Shullazit dhe të akuzuarve të tjerë si anëtarë të organizatës së drejtuar prej tij, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi. Seancën e të premtes u paraqitën në sallën e gjyqit vetëm të pandehurit Endrit Qyqja dhe Gilamando Dani, ndërsa të akuzuarit e tjerë paraqitën deklaratë se do të përfaqësoheshin nga avokatët e tyre mbrojtës. Megjithatë,
mungesa e avokates Eralda Brahimasi, e caktuar kryesisht nga gjykata për të mbrojtur interesat e Gilmando Danit gjatë seancës paraardhëse u bë shkak për shtyrjen e seancës. Gjithashtu, gjykata vendosi edhe gjobitjen e avokates kryesisht të Gilmando Danit në shumën e 10 mijë lekëve për mungesë të pajustifikuar nga ana e saj.
Ndëshkimi me gjobë u bë me kërkesë të përfaqësuesit të akuzës, i cili kërkoi marrje masash për avokatët që me munhesat e tyre kanë sjellë shtyrje të seancave.
E kontaktuar nga BIRN, avokatja Eralda Brahimasi u shpreh se nuk ishte paraqitur në seancën gjyqësore së të premtes për shkaqe shëndetësore.
“Për arsye shëndetësore nuk kam mundur që të jem prezente në seancën gjyqësore të zhvilluar sot pranë Gjykatës së Apelit. Nuk kam patur mundësi fizike që dikush ta dërgonte raportin në gjykatë dhe nuk kam kam asnjë komunikim elektronik të gjykatës që ta vendosja në dijeni,” u shpreh ajo nëpërmjet email-it, ku dërgoi edhe një kopje të raportit të paaftësisë për punë për ditën e premte, datë 15 mars.
Në seancën paraardhëse të 5 marsit, gjykata vendosi të shtyjë seancën pas tërheqjes së avokatit mbrojtës të Gilmando Danit, Sokol Kepi, edhe ky i caktuar kryesisht. Avokatët Sokol Kepi dhe Eralda Brahimasi u vendosën kryesisht nga gjykata nga pasi avokati mbrojtës i zgjedhur nga i pandehuri Gilmando Dani, Denion Bogdani nuk ishte paraqitur disa herë duke sjellë për pasojë shtyrjen e njëpasnjëshme të seancave në Gjykatën e Apelit Për Krime të Rënda. Seanca e radhës u vendos të zhvillohet më datë 25 mars.
Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi, akuzohen për shtrëngim për dhënie pasurie; shkatërrim të pronës me lëndë plasëse e kanosje ndaj biznesmenëve Ylvi Beqja, Jani Zaka dhe Adriatik Këçuku, si edhe kërcënimin për t’u tërhequr nga gara për rektor të dekanit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Mynyr Koni, e kanosjen e rektorit Dhori Kule.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimeve të Rënda vendosi të dënojë Emiljano Shullazin me 14 vjet burg, bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Gilmando Dani me 12 vjet burg, Endrit Qyqjan dhe Endrit Zelën me nga 10 vjet dhe Blerim Shullazin me 9 vjet burg. Grupi u shpall i pafajshëm për akuzën e kërcënimit të rektorit të Universitetit të Tiranës.