Reportazh17 Mar 2020

COVID-19 e zhvendos ‘online’ jetën akademike dhe sociale të nxënësve dhe studentëve

Mbyllja e shkollave dhe universiteteve e ka transferuar jetën e gjimnazistëve dhe studentëve nga klasat dhe aulat akademike në platformat e mësimit në distancë në televizion dhe internet; megjithatë, pas një jave të izoluar brenda katër mureve malli për lirinë dhe miqtë nuk ka vonuar të shfaqet.

Autor: Nensi Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Një nxënëse duke bërë detyrat në shtëpi dhe duke ndjekur mësimet nëpërmjet aparatit celular | Foto : Ministra e Arsimit, Sportit dhe Rinisë

Jeta e 18-vjeçares Enejda Osmanaj – maturante në një nga gjimnazet e kryeqytetit, ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore gjatë javës së fundit, pas përhapjes në vend të pandemisë së koronavirusit të ri COVID-19.

“Në fakt para pak javësh jeta akademike që përbëhej nga gjimnazi, kurset, e aplikimet po bëhej mjaft stresuese dhe e tepërt,” shprehet 18-vjeçarja, që si shumica e qytetarëve të vendit është mbyllur në shtëpi për të shmangur infektimin dhe transmetimin e koronavirusit.

“Ndërsa tani ka kaluar pothuajse një javë nga ‘izolimi’ dhe jeta në shtëpi është bërë tepër e mërzitshme,” u ankua Osmanaj, duke theksuar se ditët e para të karantinimit i mori me sportivitet por aktivitetet që mund të bëhen brenda në shtëpi mund t’i numërosh me gishtat e njërës dorë.

Ngjashëm me Eneidën qindra mijëra nxënës dhe studentë të regjistruar në të tre nivelet e arsimit në Shqipëri janë izoluar pas mbylljes së shkollave dhe universiteteve si pjesë e masave drastike të distancimit social të marra nga qeveria për të vënë nën kontroll përhapjen e koronavirusit.

Edhe pse shkollat janë mbyllur, për të mos e ndërprerë procesin mësimor Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka organizuar mësimdhënien në distancë nëpërmjet televizionit publik dhe një platforme akademike online.

Për studentët e universiteteve që janë në sezon përgatitjesh për provimet leksionet nuk janë zhvendosur akoma online, megjithatë, një pjesë që strehoheshin në konvikte janë larguar drejt familjeve të tyre në rrethet e ndryshme të Shqipërisë.

Përveç mësimeve dhe leksioneve jeta në izolim e imponuar nga koronavirusi gjithashtu është zhvendosur online, por nuk mungojnë dhe leximi i librave dhe filmat.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli me 11 mars shpërthimin e koronavirusit si pandemi, shkalla më e lartë e alarmit mjekësor në botë. Sipas OBSH-së koronavirusi i ri Covid-19 është përhapur në 143 vende dhe ka infektuar më shumë se 167 mijë persona. Deri të hënën në Shqipëri janë konfirmuar 51 raste të infektuar me COVID-19 dhe një grua 73-vjeçare ka humbur jetën për shkak të komplikacioneve që vijnë si pasojë e sëmundjes.

Për të shmangur përhapjen eksponenciale të koronavirusit në popullatë, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një seri masash drastike të distancimit social, përfshirë mbylljen e kufijve, pezullimin e fluturimeve ajrore, mbylljen e bareve dhe restorante, ndalimin e qarkullimit të automjeteve që nuk janë pjesë e shërbimeve primare, mbylljen e transportit publik si dhe shkollave dhe universiteteve në të gjithë vendin.

Sipas të dhënave me të fundit të Institutit Kombëtar të Statistikave, në vitin 2018-2019 në sistemin arsimor shqiptar ishin të regjistruar 423 mijë nxënës dhe 139 mijë studentë. Studentë e sistemit parauniversitar tashmë po i marrin mësimet në distancë nëpërmjet RTSH-së dhe platformës Akademi.al dhe Ministria e Arsimit është shprehur entuziaste për efikasitetin e sistemit. Në një deklaratë në Facebook në shtunën ministrja Besa Shahini deklaroi se nga stafi arsimor po bëhej një punë e jashtëzakonshme në mënyrë që nxënësit mos të mbesin mbrapa me mësime.

“Më kanë ardhur mijëra foto dhe video të punës ditore të mësuesve me nxënësit e tyre në rrjetet sociale. Ndërsa ka me mijëra e qindra mijëra mesazhe e shkëmbime të detyrave të shtëpisë, mes nxënësve (apo prindërve të tyre) dhe mësuesve çdo ditë,” shkruante Shahini në Facebook. “E gjithë kjo punë monumentale po bëhet që nxënësit të mos mbesin prapa me mësime,” shtoi ajo.

Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Besa Shahini, duke folur në një konference shtypi ku njoftoi se mësimi do të pezullohet për 2 javë në të gjitha shkollat dhe universitetet e vendit, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit COVID-19 | Foto : LSA

Entuziazmi i Shahinit nuk ndahet nga të gjithë. Sipas nxënësve, të cilët shpesh herë janë më të akulturuar me teknologjinë e informacionit se arsimtarët e tyre, zhvillimi i proceseve mësimore online është një sfidë më vete për sistemin arsimor shqiptar, pasi në të kaluarën diçka e tillë nuk është aplikuar masivisht.

“Deri tani mësimi nuk ka qenë edhe aq efektiv për shkak se jo të gjithë nxënësit marrin pjesë gjatë këtyre seancave, por edhe për shkak se në vendin tonë mësimi online nuk është zhvilluar kaq në masë më përpara,” tha Enedjda Osmanaj, e cila në pak muaj duhet të japë provimet e maturës.  “Gjithashtu sepse shumë mësues nuk janë mësuar të përdorin aplikacionet e teknologjive të fundit që po përdoren për mësimdhënien virtuale,” shtoi ajo.

Osmanaj nënvizoi se izolimi nuk është vetëm një sfidë akademike por edhe sociale dhe fizike – për shkak të lëvizjes së kufizuar.

“Ditët mundohem t’i kaloj me pozitivitet duke u kujdesur për t’u ushqyer shëndetshëm,” tha ajo.

“Mundohem gjithashtu mos të lë pas dore praktikën e gjuhës gjermane si edhe përsëritjet për maturën, por të them të drejtën celulari dhe lojërat elektronike marrin pjesën më të madhe të kohës”, shtoi 18-vjeçarja.

Gëzim Hilën, një student i degës së gazetarisë në Universitetin e Tiranës, masat drastike të distancimit social të ndërmarra nga qeveria e kanë kthyer në vendlindje.

“Nuk prita deri sa të formalizohej edhe lajmi i mbylljes së konvikteve, por u largova për në shtëpinë time në Kukës, sapo recepsioni paralajmëroi masa shtrënguese për izolimin e konvikteve,” tha Hila.

Megjithatë, në rrethin e Kukësit – ku sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Shëndetit Publik deri tani nuk janë konfirmuar raste me koronavirusin e ri COVID-19, Hila tha se shumë syresh fatkeqësisht nuk e ndjejnë urgjencën për t’u vetëizoluar.

“Këtu në Kukës nuk ka asnjë rast të konfirmuar akoma dhe situata është më e qetë, nuk ka aq shumë panik sa në Tiranë,” shpjegoi ai.

Si student që vinte nga Tirana, i cili ka pasur kontakte me shumë njerëz, Hila thotë se u mundua të ruajë veten dhe të tjerët dhe të marrë masat e duhura.

“Shkova në qendër shëndetësore të kërkoj maska, por infermierja në fshatin ku jetoj në Kukës e neglizhoi totalisht kërkesën time,” tregoi ai. ‘Problem i madh, e çfarë pastaj se je student nga Tirana më tha ajo,” shtoi Hila, pa e fshehur indinjatën.

Sipas Gëzimit në Kukës nuk e kanë marrë me seriozitetin e duhur pandeminë dhe një pjesë e qytetarëve nuk pi i respekton masat e distancimit social,

“Më 14 mars, pra për Ditën e Verës, këtu shumë lokale ishin hapur dhe po festonin, duke thyer kështu rregullat për izolimin e popullsisë në këto kohë të vështira,” tha ai, duke shtuar se vetë “mundohem mos të dal jashtë por të lexoj Niçen.”

“Shoh që këtu një pjesë e madhe nuk janë ndërgjegjësuar akoma,” nënvizoi studenti i gazetarisë

Shkolla të mbyllura me urdhër të Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, | Foto : LSA

Ndryshe nga Hila, i cili duket se ka gjetur ngushëllim në këtë kohë distancimi social në veprat me frymë ekzistencialiste të filozofit gjerman të shekullit të XIX – i njohur për afirmimin e individit mbi shoqërinë dhe religjionin; Parisi, një student në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë shprehet se është shoqëria dhe kontakti më ajrin e pastër që po i mungon më shumë.

“Mundohem të dal pasdite për të marrë pak ajër të pastër e të vij në vete, pasi gjithë kohën e kaloj brenda duke luajtur online me shokët ose duke parë filma me familjen”, tha ai, duke theksuar se është e vështirë mungesa e lirisë në kushte e vetëizolimit.

Shqetësimin e Parisit e ndan dhe Enejda Osmanaj, por megjithatë maturantja nga Tirana është optimiste që flama e koronavirusit që ka tronditur vendin do të kalojë dhe ditë më të mira do të vijnë.

“Jam e sigurt që kjo situatë do kalojë më së miri dhe së shpejti do i rikthehemi jetëve tona normale,” përfundoi ajo.