Dy udhëtarë, babai dhe djali që kanë ardhur nga Firence rezultuan pozitivë për koronavirus mbrëmjen e së Dielës, njoftoi qeveria. Dy të sëmurët janë në gjendje stabël dhe pa komplikacione.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi të Dielën se dy rastet e para me koronavirus u regjistruan në Shqipëri me origjinë nga Italia.
“Konfirmohen dy raste të importuara me COVID-19 në Shqipëri,” njoftoi Ministria në faqen e saj në Facebook. “Gjendja e dy të prekurve babë e bir që kanë udhëtuar nga Firence në Tiranë është e stabilizuar dhe nuk paraqesin komplikacione,” thuhet në njoftim.
Covid-19 u shfaq në Kinën qendrore në dhjetor 2019 dhe u përhap pjesën më të madhe të botës gjatë dy javëve të fundit. Virusi që shkakton gjendje gripale të rënduar, ka shënuar një normë vdekshmërie shumë herë më të lartë se sa gripi i zakonshëm dhe aftësi për t’u shpërndarë me shpejtësi e pa u dalluar.
Ministria i kërkon të gjithë personave që kanë ardhur në Shqipëri nga zonat e prekura, në veçanti nga Italia e veriut, të vetëizolohen në shtëpi për disa ditë për të shmangur infektimin e të tjerëve si dhe të telefonojnë në numrin 127 në rast se ndjehen të sëmurë.
100,000 të prekur në të gjithë botën
Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri të ditur të dielën se numri i rasteve të konfirmuara të COVID-19 ka kaluar shifrën 100 mijë.
“Ndërsa ne përjetojmë këtë moment të trishtë, Organizata Botërore e Shëndetësisë i rikujton të gjitha vendeve dhe bashkësive se përhapja e virusit mund të ngadalësohet në mënyrë domethënëse ose madje edhe të përmbyse përmes marrjes së masave të forta për kufizim dhe kontroll,” deklaroi OBSH.
Sipas saj, Kina është vendi i parë që ka demonstruar se përhapja e virusit mund të ngadalësohet dhe ndikimi i tij të reduktohet përmes veprimeve universale, të tilla si puna me të gjithë shoqërinë për të identifikuar njerëzit që janë të sëmurë, duke u kujdesur për ta, duke ndjekur kontaktet e tyre, duke përgatitur spitalet dhe qendrat shëndetësore për t’u përballur me fluksin e pacientëve si dhe duke trajnuar punonjësit e shëndetësisë.
Lexo më shumë:
Shqipëria mbyll shkollat dhe pezullon fluturimet drejt Italisë së Veriut