Investigim20 Jun 2016

Dështimi i kushtueshëm i Termocentralit të financuar nga Banka Botërore në Vlorë

Nga viti 2004 deri në vitin 2011, Korporata e Elektroenergjitke Shqiptare, KESH, harxhoi 130 milionë dollarë si pjesë e një projekti të financuar nga Banka Botërore për të ndërtuar një termocentral në bregdetin e Vlorës; i cili 5 vjet më vonë vazhdon të mos punojë për shkak të defekteve në projketimin dhe zbatim, ndërkohë që thith miliona të tjera në trajnime dhe konsulenca edhe pse shpresat për ta vënë në punë janë të vakta.

Autor: Blerina Hoxha BIRN Tiranë
Printo

Teromocentrali i Vlorës | Foto nga : KESH

Termocentrali i Vlorës | Foto nga : KESH

Në vitin 2002, Shqipëria u përball me krizën e parë të madhe elektroenergjetike. Si përgjigje ndaj krizës pesë kompani të njohura ndërkombëtare u punësuan nga një projekt i financuar nga një kredi e Bankës Botërore për Shqipërinë për të gjetur një zgjidhje. Zgjidhja që ato propozuan rezultoi në një projekt tjetër të Bankës Botërore, i cili pasi shpenzoi mbi 130 milionë dollarë ndërtoi një termocentral i cili sot rezulton zgjedhja më e gabuar e mundshme.

Projekti i Bankës Botërore, i cili synonte t’i jepte fund krizës së vazhdueshme elektroenegjetike shqiptare, dështoi të japë rezultate duke lënë pas një faturë financiare të kripur dhe në rritje për taksapaguesit shqiptarë.
Projekti që synonte të rriste prodhimin e energjisë elektrike nëpërmjet diversifikimit të burimeve të energjisë, ndërtoi një termocentral me cikël të kombinuar nafte dhe gazi, i cili ka kosto tepër të lartë prodhimi si dhe nuk është vënë dot të punë, pesë vite pasi ndërtimi mbaroi.

Një seri gabimesh në projektim dhe në zbatim- për shkak punës jo cilësore të kompanisë ndërtuese që u përzgjodh me procedurat e Bankës Botërore – sollën një numër problemesh teknike të cilat e kanë mbajtur termocentralin jashtë pune që nga përfundimi i ndërtimit pesë vjet më parë dhe parashikohet se nuk ka mundësi për t’u vënë në punë së paku për edhe pesë vjet të tjera – ndërkohë që taksapaguesit shqiptarë paguajnë kredinë.

Dokumentet e Bankës Botërore të siguruara nga BIRN tregojnë që TEC i Vlorës ka qenë vetëm një nga projektet energjetike të dështuara të institucionit financiar ndërkombëtar në Shqipëri.

Në total nga viti 1995 e deri sot Banka Botërore ka investuar mbi 1.8 miliardë dollarë në në këtë sektor dhe një pjesë e konsiderueshme e projekteve të saj janë shpallur të dështuar nga vetë vlerësimet e Bankës.

E pyetur nga BIRN, Banka Botërore ia faturoi përgjegjësinë e dështimit të projektit të TEC-it të Vlorës Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, KESH.

Ndërsa KESH tha se kishte akoma shpresa për ta rivënë në punë, pasi TEC-i do të rriste sigurinë e furnizimit me energji elektrike të vendit.

“Përpjekjet e vazhdueshme të Koporatës Elektroenergjitike Shqiptare janë tregues i vullnetit për të rivënë në punë TEC-in e Vlorës,” tha KESH nëpërmjet një deklarate të shkruar.

“Kjo do të ishte në funksion të shtimit të kapaciteteve gjeneruese, që do të rrisnin prodhimin e përgjithshëm vendas, duke ndikuar ndjeshëm në sigurinë e furnizimit me energji elektrike si edhe në sigurinë e sistemit elektroenergjetik shqiptar, pasi TEC Vlora është projektuar të shërbejë si një ‘backup energjetik’,” shtoi Korporata.

Termocentrali që nuk punoi kurrë

Fillimisht ideja për të ndërtuar një termocentral me naftë të importuar lindi në vitin 2002 nga një studim i kryer nga një konsorcium me pesë kompani të njohura ndërkombëtare, të cilat u punësuan nga një projekt i Bankës Botërore për të analizuar krizën elektroenergjetike shqiptare të asaj kohe si dhe për të propozuar zgjidhjet e mundshme.

Në atë kohë, ekonomia e Shqipërisë po rritej me 6 deri të 7 për qind në vit, gjë që nënkuptonte se konsumi i energjisë elektrike mund të rritej me deri 6 për qind në vit për të arritur në 10.7 miliardë kWh në vitin 2015.
Studimi i vitit 2002 u bë në një kohë kur Shqipëria po vuante një nga krizat më të rënda elektroenergjetike në histori, krizë e shkaktuar nga rënia e papritur e prodhimit në hidrocentrale dhe mungesës së linjave të transmetimit dhe kostove të larta të importit të energjisë elektrike.

Vendi përballej me dy alternativa për zgjidhjen e krizës së energjisë elektrike: ndërtimin e lidhjeve të interkonjeksionit me vendet fqinje për të importuar rreth 30-40 për qind të energjisë së konsumuar çdo vit ose ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese.

Projekti me titullin premtues “Ristrukturimi dhe Gjenerimi i Prodhimit të Energjisë” nisi përgatitjet në vitin 2003, bazuar në studimet e kryera nga një projekt i mëparshëm i Bankës Botërore, i cili qe mbyllur pa sukses.
Fillimisht, projekti parashikonte ndërtimin e një termocentrali me fuqi të instaluar prej rreth 100 MW, i cili do të shërbente për të mbuluar një pjesë të deficitit të energjisë elektrike të vendit, do të stabilizonte rrjetin, do të rriste eficencën e prodhimit të energjisë në Kaskadën e Drinit dhe cilësinë e furnizimit me energji në zonën turistike të bregdetit të jugut si dhe do të sillte reduktimin e humbjeve në rrjet.

Projekti vlerësohej fillimisht të kushtonte 113 milionë dollarë dhe parashikohej të përfundonte në vitin 2008. Në fakt, projekti kushtoi në total 130 milionë, u mbyll në vitin 2012 ndërsa termocentrali që ndërtoi rezultoi difektoz, me kosto tepër të lartë dhe praktikisht i papërdorshëm.

Në fund, Banka Botërore e shpalli projektin në një vlerësim të vetin me rezultat “relativisht të pakënaqshëm”, ndërsa konsumatorët e energjisë elektrike aktualisht po paguajnë të 130 milionë dollarët e marrë hua për ndërtimin e termocentralit që nuk funksionon.

Ndërkohë, KESH vijon të shpenzojë para për ta mbajtur termocentralin “në konservim” si dhe për të kryer studime shumëmilionëshe në mënyrë që te gjejë një zgjidhje se si do të mund të vihet në punë, ndonëse kostoja tepër e lartë e prodhimit të energjisë me naftë si dhe defekti i pazgjidhur e bëjnë të pamundur vënien e tij në punë.

Ekspertët me të cilët foli BIRN, thanë se termocentrali i Vlorës u mendua si një zgjidhje emergjente për shkak se ndërtimi i një termocentrali të tillë mund të kryhej brenda një viti ndërsa ndërtimi i linjave të interkonjeksionit me vendet fqinje kërkonte shumë më tepër kohë.

Në fakt, termocentrali kërkoi tetë vjet që të ndërtohej, përfshirë gjashtë vite procedura prokurimi të tejzgjatura, ndërsa linja e interkonjeksionit me Malin e Zi, e cila arriti ta çlirojë Shqipërinë nga kufizimet në import, u realizua pothuajse në të njëjtën kohë me termocentralin – gjithashtu pas vonesave të shumta.

Termocentrali i Vlorës u ndërtua me dy blloqe me fuqi të instaluar prej 93 MW, dhe që parashikohej të prodhonte rreth 750 milionë kWh në vit. Kjo është një sasi e barabartë sa një e katërta e deficitit mesatar vjetor të Shqipërisë.
Megjithatë, plani fillestar qe që pas vënies në punë të termocentralit aktual, ai të mund të zgjerohej duke shtuar dy blloqe të tjera dhe duke e rritur fuqinë e instaluar në 291 MW. Nëse do të realizohej, termocentrali do të qe në gjendje të prodhonte 2.2 miliardë kWh në vit, e barabartë me pothuajse të gjithë deficitin aktual të vendit. Por kostoja rezultoi e lartë përtej çdo parashikimi.

Vlerësimi i fizibilitetit të termocentralit u krye në një kohë kur çmimi i naftës bruto qe 22 dollarë për fuçi. Por nga koha kur u krye studimi deri te fillimi i ndërtimit, çmimet e naftës qenë shumëfishuar, duke e bërë projektin pa leverdi nga pikëpamja ekonomike.

Në vitin 2009, Enti Rregullator i Energjisë në Shqipëri kreu një studim për të parë koston e prodhimit të energjisë nga ky termocentral. Sipas llogaritjeve të ERE, termocentrali i ri duhet të konsumojë 136 mijë tonë naftë në vit dhe me çmimin e naftës që në atë kohë qe 86 dollarë për fuçi, kostoja finale rezultonte rreth 19 cent të dollarit për kWh, ose rreth 21 lekë.
Studimi vërente se nëse do të përdorej gaz natyror, gjë që aktualisht është e pamundur, kostoja do të zbriste në 12 cent të dollarit për kWh.
Ky është një çmim shumë i lartë në krahasim me çmimin e importit të energjisë elektrike, i cili, në atë kohë ishte rreth 9 cent të dollarit për kWh. Bazuar në këtë vlerësim, Enti Rregullator i Energjisë i akordoi KESH një çmim prej 21 lekësh për kWh për energjinë e prodhuar nga ky termocentral. Aktualisht, çmimi final i shitjes së energjisë për konsumatorët është gati dy herë më i ulët se kaq.

Çmimi i naftës në vitet 2009 e 2010 qe në mënyrë të pazakontë i lartë dhe aktualisht, një fuçi nafte kushton 50 dhe jo 86 dollarë për fuçi. Sërish, kostoja e prodhimit të energjisë elektrike nga ky termocentral është tepër e lartë dhe logjika ekonomike për vënien e tij në shfrytëzim mungon.

Diferenca shumë e lartë mes çmimit të energjisë së importit dhe kostos së energjisë së termocentralit të Vlorës sipas ekspertëve lidhet me faktin se pjesa dërrmuese e energjisë elektrike që Shqipëria importon, prodhohet në termocentrale qymyri në vendet e tjera të Ballkanit dhe qymyri është një lëndë fosile shumë më e lirë se sa nafta.
Disa ekspertë mendojnë se krahasimi i çmimeve të importit me koston e energjisë së prodhuar në termocentralin e Vlorës, nuk është tërësisht e saktë.

Shqipëria ka pasur edhe më parë termocentrale, si ai i Fierit, ku kostoja qe krahasimisht e lartë, por pasja e një pjese të kapacitetit gjenerues të energjisë elektrike në formën e termocentraleve, dhe nëse këto kapacitete gjenden në jug të vendit, kjo konsiderohet në Shqipëri si një domosdoshmëri për të balancuar rrjetin, për të garantuar furnizim cilësor me energji në zonën jugore të vendit si dhe për të rritur eficencën e përdorimit të ujit në kaskadën e Drinit.

Megjithatë, avantazhet mbeten në kuadrin e hipotezave dhe nuk janë mbështetur në ndonjë studim.
Aktualisht plani i KESH është që ta mbajë termocentralin si “kapacitet rezervë”, koncept që sugjeron se, nëse termocentrali do të jetë në gjendje të vihet në punë pas riparimit të defektit, ai do të përdoret vetëm në një situatë kur Shqipëria nuk do të ketë prodhim vendës dhe as mundësi për të importuar energji. Ky kombinim faktorësh duket shumë i pagjasë për momentin, por në kohën e konceptimit të termocentralit qe një realitet i përditshëm për shkak të linjave të pakta të interkonjeksionit në Ballkan dhe çmimit krahasimisht të lartë të energjisë elektrike në rajon me çmimin e naftës në tregun botëror në atë kohë.

E pyetur nga BIRN, zyra e Bankës Botërore në Tiranë tha që përgjegjësia për zbatimin e projektit qëndronte me KESH.

“Përgjegjësia për zbatimin e projektit, si dhe për dhënien dhe administrimin e kontratave në projekt është e huamarrësit,” tha Banka në një përgjigje me shkrim. “Banka nga ana e sa k është e detyruar të sigurohet që çdo kredi që jep të përdoret për arsyet që është marrë, i përqendrua te ekonomia dhe eficenca dhe pa asnjë konsideratë politike dhe jo ekonomike,” shtoi BB.

Banka sugjeroi gjithashtu leximin e raportit final të vlerësimit të projektit si dhe argumentoi se mbërritja e gazsjellësit TransAdriatik rreth vitit 2019, plot dhjetë vjet pas përfundimit të ndërtimit, mundet të japë shpresë për rivënie në punë të termocentralit.

“Duke pasur parasysh perspektivat e Shqipërisë me përfshirjen në TAP në 2018/19, termocentrali i Vlorës mund të kthehet një prodhues kompetitiv në rajon. Pra, ka një perspektivë të përdorimit të këtij aseti me një vënie në punë të kësaj vepre,” tha Banka Botërore përmes një emaili.

Raporti i vlerësimit të projektit të Bankës Botërore vëren se ndërtimi i termocentralit u konceptua në një kohë kur i gjithë rajoni i Ballkanit po përjetonte mungesë në furnizimin me energji elektrike ndërsa rritja e pritshme e konsumit si pasojë e zhvillimit ekonomik të rajonit, pritej të shtonte vështirësitë në sigurimin e importeve si dhe të rriste çmimet e importit. Këto supozime rezultuan gjithsesi të gabuara. Pasi shënoi kulmin në nivelin 9 cent për kWh në vitin 2007, çmimi i importit të energjisë elektrike ra në më pak se 4 cent për kWh aktualisht.

Gabim në operim apo gabim projektim?

Problemi me kostot është vetëm një pjesë e telashit. Aktualisht, termocentrali i Vlorës konsiderohet “në konservim” që nga viti 2011, kur tubi i marrjes së ujit në det pësoi një defekt. Termocentrali është dizenjuar që të ftohet duke marrë ujë në det në një distancë prej rreth 600 metrash nga bregu.

KESH gjendet aktualisht në procedura ligjore kundër kompanisë ndërtuese duke pretenduar se defekti është pasojë e një konceptimi inxhinjerik të gabuar, gjë që e ka nxjerrë impiantin 130 milionë dollarësh efektivisht jashtë funksioni.
Sipas KESH defekti i parë ndodhi më ndodhi më 13 tetor 2009, pas një stuhie në gjirin e Vlorës.

“Defekti shkaktoi hapjen e tubit në një distancë rreth 270 metra nga bregu i detit dhe mbushjen e tij me rërë. Ky defekt u riparua nga kompania kontraktore TCM. dhe punimet përfunduan në korrik të vitit 2011”, thotë KESH.
Por pak muaj më vonë, një defekt tjetër ndodhi. Sipas KESH, më 7 janar 2012, sistemi i ftohjes ndaloi papritmas së funksionuari.

Një mosmarrëveshje lindi mbi shkakun e defektit. Sipas KESH, defekti duhej të riparohej nga kompania Tecnimont, e cila pati fituar tenderin dhe ndërtuar termocentralin. Por kompania refuzoi të kryejë riparimin.
Sipas KESH, ajo deklaroi se defekti është shkaktuar nga një gabim në operimin e impiantit. KESH reagoi duke bllokuar një garanci prej 5 për qind. Kompania iu përgjigj duke iu drejtuar gjykatës së arbitrazhit. Në fund, gjykata e arbitrazhit i dha TCM të drejtë dhe e shpalli KESH-in fajtor. KESH thotë se ka në plan të hapë një procedurë të dytë arbitrazhi kundër kompanisë.

Që nga ajo kohë, deri tani, KESH thotë se ka bërë disa përpjekje për të gjetur një kompani tjetër që duhet ta riparojë defektin, por pa sukses. Tenderi i kryer për këtë qëllim ka dështuar. KESH thotë se kuadri aktual ligjor e detyron të zbatojë procedurat e prokurimit publik, të cilat rezultojnë tepër të ngurta për të zgjidhur një problem të tillë teknik. Në fund, termocentrali mbetet pa punë, pa logjikë ekonomike dhe pa perspektivë për t’u vënë në punë së paku edhe për shumë vite.

“Në vitin 2012 kontraktori Tecnimonti-i, pasi dështoi në vënien në punë të impiantit të ftohjes së TEC Vlora, u tërhoq nga punimet duke e braktisur veprën,” tha KESH për BIRN.

“Gjatë kësaj periudhe KESH sh.a. është angazhuar dhe ka bërë të gjitha përpjekjet e mundshme administrative për të gjetur zgjidhjet e nevojshme tekniko-ligjore në zbatim të kushteve të kontratës ECP të nënshkruar me kontraktorin sipas rregullave dhe procedurave të Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera financiare,” shtoi Korporata.
Konceptim i gabuar në tenderim

Ekspertë të KESH pretendojnë se tenderi për përzgjedhjen e kompanisë që kreu ndërtimin e termocentralit, i kryer sipas procedurave të Bankës Botërore, bazohej në koncepte të gabuara, të cilat nxorën fituese kompani italiane Tecnimonti, e cila, përveçse shtyu afatin e përfundimit të punimeve me mbi një vit, u detyrua të ndërtojë dy herë tubin e marrjes së ujit në det dhe në fund, iku ndërsa tubi vijon të jetë i prishur.

Sipas raportit të Bankës Botërore për projektin procesi i prokurimit qe i vështirë dhe i tejzgjatur si pasojë e mosmarrëveshjes mes Bankës [Botërore] dhe KESH në lidhje me vlerësimin e ofertave.

“Një nga pjesëmarrësit në tender kishte ofertë më të lartë, por KESH dëshironte t’ia jepte atij kontratën,” shkruhet në dokument.

Pjesëmarrësi i parapëlqyer i KESH ishte gjigandi gjerman SIEMENS. Oferta e saj konsistonte në ndërtimin e një termocentrali me fuqi të instaluar më të lartë e me kosto për njësi më të ulët, dhe çmimi i ofruar për punimet qe 131.1 milionë euro. Kjo ishte një ofertë 40 milionë euro më e lartë se sa oferta fituese, por sipas ekspertëve, teknologjia e Siemens nuk lë hapësirë për dyshime ndërsa konkurrenti fitues, ndonëse ofroi një çmim shumë më të ulët, ndërtoi një termocentral që nuk punon.

Në raportin e saj mbi projektin Banka Botërore thotë se argumenti i KESH bazohej në faktin se [oferta e Siemens] kishte normë më të mirë nxehjeje, e cila do ta përmirësonte ofertën në rast se vlerësimi i ofertave do të bëhej duke përdorur çmimet aktuale të naftës dhe jo çmimet e naftës të përdorura në dokumentet e tenderimit, pasi çmimi i naftës qe dyfishuar ndërkohë.

“Gjithsesi, kriteret e prokurimit të bankës triumfuan dhe kontrata iu dha ofertuesit me çmimin më të lirë,” shkruhet në raport.

Po i njëjti dokument jep një listë të gjatë me probleme të hasura me kompaninë që fitoi tenderin.

“Ndërtimi pritej të zgjaste dy vjet (plani qe që prodhimi të fillonte në maj 2009) por menjëherë u shoqërua me vonesa të shkaktuara nga performanca e kontraktorit”, shkruhet në raportin e BB.

Sipas Bankës testimi i TEC-it pritej të kryhej në maj 2009, por filloi pesë muaj më vonë. Në tetor 2009, testimet u pezulluan kur një problem u dallua me sistemin e marrjes së ujit në det. Në qershor 2010, projekti sakaq qe një vit përtej afatit por nuk qe gjetur ende një zgjidhje. Në janar 2011, u vendos që sistemi i marrjes së ujit nga deti të rindërtohej, gjë që u përfundua në korrik 2011. Testimi nisi në tetor 2011, por u pezullua për mungesë nafte.

Pavarësisht kësaj, Certifikata e Pranimit të Operimit u lëshua më 28 tetor 2011. Testime të mëtejshme u kryen në dhjetor 20111, por në 7 janar 2012, termocentrali u bllokua nga një defekt i ri.

Për vonesat Banka Botërore parapëlqen ta ndajë fajin mes KESH dhe kontraktorit, kompanisë Tecnimont, duke argumentuar inxhinierët e Korporatës nuk kishin eksperiencë dhe dizenjo difektoze fillestare nuk qe bazuar në studimin e detit pranë termocentralit por qe bazuar në kushtet e detit në vende të ngjashme. Sa për kontraktorin, ajo shprehet se nuk gjeti zgjidhjen e duhur.

Kostoja e ndërtimit të termocentralit, kostoja e trajnimit të stafit si dhe kostoja e pagave e të interesave të kredive bëjnë që kompania Termocentrali Vlore Sh.A, të ketë një bilanc me borxhe prej 14 miliardë lekësh në fund të vitit 2014. (100 milionë euro).

Nga viti 2012 deri në fund të vitit 2015, TEC Vlorë Sh.a ka shpenzuar 753 milionë lekë (5.4 milionë euro) si kosto për ta mbajtur termocentralin në konservim. Rreth 60 të punësuar e mbajnë atë në gadishmëri në pritje të një zgjidhjeje që nuk dihet se nga do të vijë.

KESH ka shlyer për llogari të TEC këstet e kredive të marra për ndërtimin. Afro gjysma e kredisë është shlyer sakaq, ndërsa gjysma tjetër pritet të shlyhet gjatë viteve të ardhshme. Me një kosto totale të kredive prej rreth 15 milionë eurosh në vit, termocentrali i Vlorës përbën sakaq rreth 15 për qind të të gjithë kostos së furnizimit publik me shumicë të energjisë elektrike në Shqipëri, ndërkohë që nuk realizon asnjë kilovat prodhim.

Dhe ndërsa faji për projektin e dështuar nga të gjitha drejtimet ndahet mes dizenjuesit, ndërtuesit, KESH dhe procedurave të tenderimit të Bankës Botërore, koston për këtë faj e paguajnë çdo ditë shqiptarët.

Listë e gjatë projektesh të dështuara

Projekti i TEC-it të Vlorës nuk është i vetmi projekt energjetik i dështuar nga Banka Botërore në Shqipëri.
Banka u angazhua si udhëheqëse në zbatimin e projekteve të bashkëfinancuara nga donatorë të tjerë përmes granteve apo kredive për sektorin elektroenergjetik në Shqipëri që nga viti 1995. Në total, gjashtë projekte me vlerë të përgjithshme prej 473 milionë dollarë, kanë përfunduar pjesërisht me rezultate “të pakënaqshme” apo “relativisht të pakënaqshme”.

Dhe ndërsa dështimet vinin njëra pas tjetrës, projektet e Bankës Botërore që shënjestruan zgjidhjen e problemeve të sektorit të energjisë elektrike erdhën në rritje.

Projekti i parë daton në vitin 1995 dhe kishte vlerë 7.5 milionë dollarë. Synimi i projektit ishte blerja e matësave të energjisë elektrike për të reduktuar konsumin e pamatur dhe vjedhjet. Humbjet në rrjet të energjisë elektrike në fillim të projektit qenë 43 për qind dhe projekti synonte t’i ulte. Por kur projekti u mbyll më 1998, humbjet arritën në 57 për qind. Dështimi në këtë rast nuk qe i projektit por i Shqipërisë. Trazirat e vitit 1997 e kthyen Shqipërinë efektivisht në shtet të dështuar.

Në vitin 1996, Banka Botërore me bashkëdonatorë të tjerë u angazhuan në një projekt tjetër të quajtur Projekti i Rrjetit të Transmetimit dhe Shpërndarjes së Energjisë, i cili parashikonte shpenzimin e 117 milionë dollarëve me synimin e reduktimit të humbjeve, si fizike ashtu edhe të vjedhjeve, si dhe të përmirësonte menaxhimin e Korporatës Elektroenergjetike, të krijonte autoritet mbikëqyrës dhe ta përgatiste kompaninë për privatizim.

Projekti mbeti fillimisht i bllokuar për shkak të trazirave të vitit 1996 dhe më pas për shkak se KESH u shpall nga grupi i Bankës Botërore një kompani jo e besueshme për t’u kredituar për shkak të paaftësisë së saj për menaxhim efikas dhe për mbledhje të faturave të energjisë së shitur. Kur projekti u mbyll në vitin 2002, ai u shpall nga Banka Botërore sërish si një projekt me rezultat të pakënaqshëm, por shqiptarëve u mbetën në dorë 117 milionë dollarë kredi për t’u shlyer.

Një projekt tjetër prej 35 milionë dollarësh, që synonte gjithashtu reduktimin e humbjeve, u zbatua nga viti 2002 deri në vitin 2006. Projekti u vlerësua si “Relativisht i Kënaqshëm” në rezultate, pavarësisht se humbjet në vitin 2006 qenë sërish 41 për qind dhe qenë rritur për tre vjet me radhë.

Projekti më i madh është ai që po zbatohet aktualisht me një kredi prej mbi 200 milionë dollarësh, i cili sërish synon të përmirësojë menaxhimin e sektorit dhe të ulë humbjet teknike dhe joteknike në rrjet, dhe vetëm koha do ta tregojë në qoftëse ai do te jetë i suksesshëm ose do të ndjekë fatin e paraardhësve të tij duke i lënë shqiptarëve kosto shtesë.