
Pështjellimi i zakonshëm që më kaplon tek kaloj mbrëmjeve nën përndezjen e kullës “Skënderbeu wanna be”, ngritur si autoelozh i përjetësuar i vetë pushtetit – më fashitet papritmas sonte tek shkel andejpari. E gjej veten mes një turme të elektrizuar dhe organike, e cila refuzon të shpërndahet edhe pas pothuaj pesë orësh qëndrimi në këmbë, duke brohoritur e protestuar përballë kryeministrisë, tani po përpin sheshet e arteriet e Tiranës si një valë e ngrohtë vere. Jemi në ditën e nëntë të protestës dhe rrugët nuk popullohen me kalimtarë rasti por nga një masë protestuese që po dëshmon me prezencë shumësore refuzimin e një sistemi që i ka bukosur.
Ajo çka po ngjizet në atë shesh ka ripërcaktuar edhe kuptimin e përkatësisë. Është një kolektivitet i ri politik. Të ndihesh se i përket diçkaje të përbashkët, ndërkohë që rrethohesh nga qindramijëra portrete në dukje të panjohura, në buzëqeshje ndaj njëra-tjetrës teksa lexojnë pankartat e u shpjegojnë fëmijëve domethënien e thirrjeve – shenjon një thyerje të madhe ndaj alienimit shoqëror që na është imponuar ndër vite. Këta njerëz po flasin një gjuhë të re komunitare, duke prodhuar një akt radikal dashurie ndaj vendit ose siç është vetëquajtur njëzëri në shesh “Revolucion”.
Thirrjet që jehojnë nuk janë slogane të importuara nga zyrat e partive, porse lindin e udhëtojnë nga thellësitë e padrejtësive shoqërore, politike, ekonomike dhe mjedisore. Këto zëra bartin jehonën e qëndresës së Zall Gjoçajt dhe grahmat e fundit të Valbonës e Rrjollit, fluturimin e shushatur të zogjve të Nartës e Zvërnecit, kilometrat e betonit të aeroportit fantazmë të Kukësit e Vlorës, zaptimin e portit dhe kujtesës historike në Durrës, gjer te mllefi i pashuar mbi rrënojat e Teatrit Kombëtar e shtëpive të “5 Majit”, kuja për ekskavatorët e pandalshëm të Tiranës, a te tkurrja e parcelave të gjelbra të parqeve publike.
Gjithë kjo gjeografi dhimbjeje është kristalizuar gjatë këtyre ditëve proteste që i përngjajnë një feste popullore ku këndohet në kor: “Shqipëri e Re”, “Rama n’burg, Berisha n’burg”, “Opozita jemi ne”, “Revolucion, revolucion”, ”Edi Rama ka mbaru’”, “Anulo projektet”, ”Narta/Shqipëria është e jona”, “Nesër më shumë”, “Rama jepe dorëheqjen!”.
Larg së qeni një turmë e hallakatur mllefi, ky vërshim masiv po shtron një platformë të mirëfilltë të artikuluar nga poshtë-lart. Kjo prani e pakompromis po e zhbën monopolin shterpë se kujt i takon e drejta për opozitë në këtë vend.
Cirk lokal, pazar ndërkombëtar
Përballë kësaj mburoje legjitime qytetare, makineria e pushtetit vihet në lëvizje përmes mekanizmave tashmë të njohur të relativizimit dhe qesharakëzimit të masës, ku kryeministri zvogëlon pjesëmarrjen, duke marrë rolin e një vëzhguesi cinik që kinse përgëzon kreativitetin e pankartave dhe memeve. Por në faqen tjetër prej dallkauku, i del në pah mizogjinia e përqeshjes publike të të rejave që dalin të protestojnë (si rasti i ironizimit me foto nga Parisi i një moderatoreje, duke insinuar se fundi i saj i shkurtër e bën të duket budallaqe dhe se në fakt masa këtë do, madje e do pa fund fare që të shohë pelikanin (!)).
Seksizmi i Ramës nuk qëllon të jetë thjesht një taktikë e dobët për sensacion (lexo këtu: humbje e toruas) por manifestimi i frikës së një pushteti patriarkal përballë faktit se kjo rezistencë mban pikërisht fytyrën e rinisë, grave dhe vajzave – që nuk janë si ato që i ka katapultuar si imazh në kabinetin e vet. Ndërkohë që kryeministri tenton të zhvlerësojë të rejat e sheshit përmes bullizmit kibernetik, ai përpiqet të mbulojë një realitet që i djeg më shumë; janë pikërisht gratë, si Luçiana Koka në mbrojtje të Rrjollit apo Brunela Mërtiri në Pishë-Poro Nartë, ato që u shndërruan në fytyrat dhe aksin qendror të kësaj rezistence nga veriu në jug. Fronte të udhëhequra nga gra e vajza që nuk u trembën as nga policia dhe as nga arroganca e koncesionarëve.
Si kjo dhe të tjera, janë orvatje të dëshpëruara të kryeministrit (ende) aktual, për të qesharakëzuar një popull që ky pushtet për 13-vjet e ka trajtuar si leshko, duke e infantilizuar nëpër mitingje partiake me batuta përçmuese, duke iu përvjedhur me manipulim për politika në dëm të tyre e të mirave publike.
Mirëpo, kjo arrogancë nuk shpërfaqet nga hiçi, por është ushqyer prej një strukture institucionesh të rrënuara. Përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, që deri dje bënte kinse opozitarin, sot nuk arrin të prodhojë asnjë reagim të hajrit për maratonën e protestave dhe situatën me shkeljen e ligjit për zonat e mbrojtura, biodiversitetin dhe popullin protestues, përveç një postimi butak të takimit në Uashington duke mos përmendur asgjë për protestat maratonë a largqoftë ndonjë nga dinastia Trump.
Sakaq, edhe Presidenti i vendit konfirmoi se është gjallë teksa dërgoi urime në Kosovë për zgjedhjet e qershorit 2026, ku vërtetoi mungesën e tij totale në ekuilibrin e Republikës. Edhe masmedia zgjodhi mekjen përballë pushtetit. U desh që parada e numrave në shesh të kthehej në një trend të pashmangshëm dhe që mediat ndërkombëtare të zbarkonin për të dokumentuar atë çka po ndodhte, që aparati ynë mediatik të detyrohej të transmetonte së paku pamje nga sensacioni i protestave. Ndërkohë edhe njëherë thirrjes nga sheshi për bojkot të mediave – këto të fundit po i përgjigjen duke mbledhur polemikë me okë nga allasoj analistësh e gjithfarë jargavitësish të pushtetit.
Por cinizmi i të plotfuqishmëve të politikës nuk zbret nga qielli, kërkon parakushte për t’u zhvilluar, ai folezohet në shpatullat e ngrohta të BE-së. Marrëveshja me Giorgia Melonin dhe të singjashmëve të tjerë, ku projekte të yshtura prej tyre në shkelje të të drejtave të njeriut si kampi i refugjatëve në Gjadër duket se janë shndërruar në valutë këmbimi. Përballë këtij pazarllëku ku ndërkombëtarët blejnë heshtjen me monedhën e “stabilitetit”, na ngelet të pyesim se a është vallë më e lehtë të dorëhiqet Ivanka Trump nga ideja e saj miliardëshe, sesa të jepet dorëheqja e Edi Ramës nga ky pushtet absolut? Çfarë koncesionesh dhe faturash gjeopolitike po luhen realisht nën rrogoz për ta mirëmbajtur këtë korporatë politike që zvarritet me pahir në shtet?
Çfarë vjen pas Ouroborosit?
Mirëpo, kur qytetarët ndalen për të analizuar këtë peizazh të ngarkuar në ngjarje, shpesh përplasen pas një muri të qelqtë: “Ja iku Rama, po pastaj?” Njerëzit duan që të ndodhë diçka, po organizohen për ndryshim, por konstatojnë me një lloj dëshpërimi pragmatik mungesën e një alternative përfaqësuese. Ekziston droja se kujt do t’ia japim besimin pas një qeverie teknike. Ne s’kemi liderë të rinj të sprovuar, partitë e reja janë ende të pakonsoliduara dhe vetë sheshi jehon nga thirrje për t’i mbajtur figurat e vjetra politike larg përfaqësimit të protestës.
Ky hezitim nuk është thjesht një pyetje kalimtare; është një bllokadë mendore e mbjellë me kujdes për 35 vitet e ping-pongut mes Ramës, Berishës dhe Metës.
Është fitorja më e errët e një sistemi që i ngjan Ouroborosit – gjarprit mitologjik që gëlltit bishtin e vet në një cikël të pafund rishpikjeje nga i njëjti brumë. Për më shumë se tri dekada, populli është mësuar me figura të korruptuara që kanë mbrujtur idhujtarinë politike si liderë supremë. Ata na kanë mpirë çdo sens reagimi, na kanë penguar imagjinatën shoqërore dhe kanë asfiksuar dëshirën për sendërtim nga potenciali ynë.
Për ta mirëmbajtur këtë status quo, qeveria Rama përdor si alibi kryesore “zhvillimin” dhe integrimin evropian në 2030-ën. Përmes kësaj mashe politike, pushteti legjitimon misionin e tij të betonizimit, tkurrjes brutale të hapësirave të gjelbra, privatizimit të fshehtë të arsimit e shëndetësisë, dhe shtrirjes së korrupsionit në të atilla përmasa, saqë sot një SPAK është pak. Drejtësia nuk mund të mbetet selektive; SPAK-u duhet të marrë në dorë me urgjencë të gjitha projektet e kaluara nën rrogoz në këto vite, sepse i detyrohet llogaridhënies ndaj këtij populli për vetë arsyen pse u ngrit/iu besua si strukturë.
Deliri e bën pushtetin të besojë se ai është “njëshi”, i pazëvendëshueshmi, pa të cilin nuk ka Evropë dhe emancipim. Ata harrojnë se Evropa kërkon pikërisht atë që po ndodh sot në shesh; demokracinë popullore, mbrojtjen e natyrës dhe përfaqësimin e vërtetë qytetar. Pse ka planifikim urban rigoroz, politika sociale dhe parqe në çdo lagje në Gjermani, Belgjikë, Suedi apo Danimarkë, ndërsa në Shqipëri hapësirat publike po u jepen me llokma përfaqësuesve të lartë e oborrtarëve të tyre nën petkun e investitorëve strategjikë?
Po sikur ta bëjmë vetë?
Kjo na rikthen te bllokada fillestare e diskursit publik. Frika se mos pas rrëzimit, pason humnera është po aq e rreme sa edhe premtimet e atyre që e ushqejnë atë. Përgjigjja që dukej se po piqet përditë në protestë shënon kthesën më të madhe mentale të këtyre viteve: “Aman ik, se do ta zgjidhim vetë!”
E rëndësishme është që kushdo që të vijë nesër – nga qeveria teknike, partitë e reja, a ndonjë parti e riformatuar, apo nga një nismë e re post-revolucion – nuk do ta gjejë fushë me lule. Përkundrazi, ky ushtrim demokratik dhe demonstrim i rezistencës popullore po e mbyll derën e epokës së delegimit blanko të pushtetit. Populli u zgjua dhe më i pjekur, ka mësuar nga përvoja e emigracionit, ka parë kultura të tjera, ka mbledhur ekspertizë dhe, patjetër, ka nxjerrë shënime nga ndëshkimet e historisë së vet, nga ato “transformime” që autokratët ia shitën si zhvillim.
Zhvillimi i vërtetë dhe kurrizi i qëndrueshmërisë së këtij vendi nuk janë qiellgërvishtëset, porse pikërisht këto protesta. Është kushtrimi demokratik i këtyre ditëve maratonë që nuk e ha më karremin e një masakre urbanistike në vitin e 13-të të një mandati patronazhistësh. Shqipëria e së nesërmes po sjell me vete një flotë paqësore njerëzish, të gatshëm e të ditur, për të mbrojtur e siguruar mbarëvajtje e mospërsëritje të historisë që i atomizoi dhe paralizoi deri në këtë pikë vlimi – njëmend gati për t’u zhvilluar bashkërisht.
Gjenerata e refuzimit
Të rinjtë Gen- Z të protestës nuk janë nga ata që rrinë si dekor urbano-plastik për kronikat e thartuara televizive dhe as mish për top për llogari të partive të vjetra. Pjesëmarrja e tyre e palëkundur vjen edhe si praxis i mësimeve të pamaterializuara të Lëvizjes Studentore të vitit 2018, atëherë kur premtimet fasadë për “Paktin me Universitetin” avulluan në një eksod masiv, me tarifa të rritura dhe diploma të zhvlerësuara. Ky është brezi i punëve të pasigurta, i call center-ave, i ekonomisë gig dhe i një tregu abuziv, që i josh të mbijetojnë, por jo të jetojnë me dinjitet.
Atyre nuk u bën më përshtypje retorika kullere (cool) për BE-në e 2030-ës, sepse e dinë mirë që e ardhmja e tyre nuk mund të mbetet peng i një kaste politike, që i trajton si pakonjerëz në të tashmen e tyre, as i nënshtrimit ndaj kollareve që ua kanë shitur qytetin metër për metër. Të zhveshur nga çdo lloj nostalgjie për “liderët historikë” të tranzicionit apo idhujtarinë partiake, këto vajza dhe djem po dëshmojnë një kthjelltësi radikale. Në mënyrën se si organizohen, në pankartat ku ironizojnë mençur makinacionet e dala boje të pushtetit, ata/ato po e refuzojnë hapur gjuhën e dhunës dhe infantilizimin akut.
Sheshi për ta është kthyer në një hapësirë të mirëfilltë pedagogjie politike. Ata nuk po presin t’u delegohet e drejta e fjalës apo t’u lihet një karrige bosh në tryezat e vjetra; por e kanë marrë hapësirën me forcën e pranisë së tyre. Dhe pikërisht ky refuzim total për të luajtur sipas rregullave të vjetra të Ouroborosit, është fitorja më domethënëse e këtij Qershori. Është garancia kryesore se shembja e kësaj ngrehine strukturore nuk do të lërë pas as humnerë dhe as riciklim të fytyrave të djeshme, por themele te reja, organike, llogarikërkuese dhe prandaj ndoshta më në fund… të qëndrueshme.
Meqë “Tirana e re” ngurtësoi e varrosi shumëçka, Shqipëria e Re po lind krizantemat e saj të rezistencës dhe të nesërmen e flamingove në fluturim të lirë.






