Blog15 Oct 2019

Dizinformim në emër të dizinformimit

Partia Socialiste e lidh shqetësimin botëror mbi luftën hibride, dizinformimin dhe ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike me një të ashtuquajtur "paketë antishpifje" duke injoruar kritikat tashmë të njohura ndaj kësaj pakete nga ambasadori i BE-së në Tiranë, nga OSBE si dhe nga organizatat kryesore shqiptare dhe ndërkombëtare të medias dhe të drejtave të njeriut.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

[Foto Kortezi: PlusLexia.]

Ngatërrimi i të dhënave pa lidhje me njëra-tjetrën me synimin e krijimit të insinuatave të paqena, duke shfrytëzuar asimetrinë e përhapjes së informacionit (d.m.th., pasja e një autoparlanti të madh përkundrejt autoparlantit të vogël të të vërtetës) janë elementët bazë që përdoren në një fushatë dizinformimi. Dhe nëse dëshiron të kuptosh më mirë se si funksionon kjo, mjafton të vizitosh faqen zyrtare të kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla në facebook, për të parë një status me foto me shenjë rrugore paralajmëruese me nënshkrimin “Fake News”. [link statusi i Ballës]

Sipas Ballës, “Bashkimi Europian po ndërmerr veprime kundër ndërhyrjes së huaj në fushatat elektorale dhe kundër lajmeve të rreme” dhe se parlamenti i Shqipërisë duhet të bëjë të njëjtën gjë.

Deri këtu gjithçka është e vërtetë në pjesën e parë dhe hipotetike në pjesën e dytë. Po, Parlamenti Europian ka miratuar një rezolutë [link rezoluta] në të cilën, mes të tjerash, ngre shqetësimin për luftën hibride që besohet se kryhet nga shtete autokratike si Rusia në dëm të demokracive perëndimore përmes fushatave të dizinformimit, apo rrezikun e financimeve të huaja për partitë e ekstremit të djathtë në Europë.

Por Balla nuk mjaftohet me kaq dhe aludon, në mënyrë të pavërtetë se dy propozime të qeverisë së kryeministrit Edi Rama për ndryshime ligjore të prezantuara nga qeveria si “paketa antishpifje”, janë “e njëjta gjë” me atë që sugjeron BE.

“Zgjidhja e ofruar në Paketën Antishpifje është e njëjtë me çfarë sugjeron BE “një përmirësim të Task-Force të BE-së StratCom në një strukturë të përhershme me një financim dukshëm më të mirë,” sugjeron Balla, pasi parashtron se si paketa antishpifje autorizon Autoritetin e Medias Audiovizive të “të monitorojë tashmë edhe fushën e veprimit të të gjitha llojeve të mediave elektronike, duke përfshirë edhe publikimet online.”

Vetëm se ndryshe nga sa pretendon z. Balla, faktet flasin për një përqasje krejtësisht të ndryshme në BE nga ajo e qeverisë shqiptare dhe e të ashtuquajturës “paketë antishpifje”. Në BE, siç rikujtoi edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca [link deklarata] kërkohet vetërregullimi i medias dhe jo rregullimi përmes AMA.

“Kur vjen puna te trajtimi i dizinformimit, ndonëse ne ndajmë me autoritetet shqiptare shqetësimet në lidhje me dizinformimin, komisioni rekomandon përqasje që janë më pak të ashpra, bazuar në një përqasje vetë-rregulluese,” deklaroi Soreca afro një muaj para se Balla të ngatërronte BE-në me paketën anti-shpifje.

Për ata që kuptojnë sadopak nga ligji dhe e drejta kushtetuese, këto dy përqasje, ajo e qeverisë me “monitorim nga AMA” dhe ajo e BE-së me vetërregullim, janë ekzaktësisht dy gjëra të kundërta. Kjo nuk e ndalon z. Balla të shpallë në Facebook-un e tij se paketa anti-shpifje “është e njëjtë me çfarë sugjeron BE”.

Në një stil tipik dizinformues, Balla vijon më tutje duke ngatërruar rezolutën e BE-së me luftën me kundërshtarët e vet politikë, me transmetimet në Russia Today duke shkruar deri pranë aludimit të ndonjë komploti botëror, me skandalin Biniatta Trade e me informacione të tjera pa lidhje duke krijuar një mundësi të artë për çdo student komunikimi të analizojë një status dizinformues me të gjithë elementët përbërës: renditje faktesh të palidhura me njëra-tjetrën, krijimi i insinuatave në mendjet e lexuesve naivë, bombardimi i publikut me alarme të pambështetura në fakte apo kryerja e krahasimeve të paqena, të tilla si lufta hibride në Europë dhe paketa antishpifje në Shqipëri. Vetëm në një pikë në statusin e tij z. Balla ka të drejtë: “çdokush duhet të marrë përgjegjësi për për fabrikimin apo shpërndarjen e lajmit të rremë.” Z. Balla gjithashtu. Përgjegjësia, si në rastin e praktikave më të mira europiane, nuk është përballë një institucioni administrativ si AMA, por është përgjegjësi para opinionit publik.