
Dy skena më sillen ndërmend nga eksperienca me ishuj! Shumë copëza të tjera vijnë nga fantazia, nga letërsia apo kinematografia. Të parat janë histori dridhëruese që të bëjnë të ndalosh. Të dytat janë histori me Robinson Kruzo dhe me Papillon, me Kryengritjen Bounty, me Lagunë blu dhe me sagat e eksplorimit të Groelandës. Në veçanti më sillet ndërmend një tregim, titullin dhe autorin e së cilit e kam harruar dhe nuk e kam gjetur më, për një familje që shkoi të nisë një jetë nga e para në ishullin e Tasmanisë, literalisht dhe praktikisht diku nga fundi i botës.
Këto janë të gjitha histori të njohura.
Eksperienca drithëruese me ishuj i përket vitit 2015, dhe ka të bëjë me vizitën në ishullin e Sazanit. Në pontilin e vogël u përshëndetëm me Auron Taren, (në atë kohë zyrtari që promovonte dhe që, në një masë të konsiderueshme, besoj se bëri të mundur hapjen e ishullit ushtarak për vizitorët, sot një nga protestuesit në mbrojtje të Nartës). Më tutje nis rrugëtimi zbulues që, shumë vite më vonë, supozohet se magjepsi edhe Ivanka Trump. Por për mua, vizita ishte një kthim pas në histori, dhe episodi drithërues ndodhi kur hyra në një nga apartamentet e pallateve dy apo tre katëshe në fshatin tashmë të braktisur të ushtarakëve. Në halenë e apartamentit dallova atë që kishte mbetur nga një furnelë me vajguri.
Protestuesit që këto ditë kanë mbushur sheshin janë shqiptarët e lindur më së shumti në vitet 2000 e pak, por për mua, që kur ra komunizmi isha 12 vjeç, ajo furnelë vajguri ndezi disa kujtime të çuditshme. Protestuesit sot mundet ta kenë mësuar nga gjyshërit historinë e furnelës së vajgurit në hale, por ka gjasa që jo. Njeriu për nga natyra përpiqet t’u tregojë nipërve e mbesave atë që është e bukur, por jo një histori me hale.
Historia është kjo: Përgjatë dekadave të komunizmit, shumica e familjeve shqiptare përdornin vajin e gurit si lëndë djegëse për gatim. Është një nënprodukt i naftës që vjen erë shumë të keqe. Furnela e vajgurit nuk mund të mbahej në kuzhinë, sepse të mbyste, ndërsa regjimi komunist nuk kishte ndonjë koncept të shëndoshë për përmirësimin e kushteve të jetesës, fjala vjen, prodhimi i sobave me vajguri, të cilat mundej të pajiseshin me tub gazrash për të nxjerrë jashtë aromat e pakëndshme dhe për të shfrytëzuar brenda energjinë e kësaj lënde fosile, si për gatim ashtu edhe për ngrohje. Kështu që, kur familjes i duhej të gatuante, ajo kujdesej të shpëlante halenë aq mirë sa duhej (dhe kini parasysh që sifoni që mundëson mbajtjen e erës së keqe poshtë një shtrese uji në banjot e kohës sonë ishte një shpikje pak e përhapur nëpër Shqipëri në atë kohë), dhe ndizte furnelën, ku erërat e ndryshme përzjeheshin në mënyrë shumë perverse.
Përpos këtyre detajeve që janë me kuptim për një shqiptar që e di se çfarë ka ndodhur gjatë kohës së komunizmit, vizita në ishullin e Sazanit është një eksperiencë shumë e këndshme. Plazhi nuk është i jashtëzakonshëm, por një shëtitje deri në majë të ishullit dhe eksplorimi i mbetjeve të infrastrukturës ushtarake përbëjnë një eksperiencë të mirë për këdo. Gjërat e këndshme mbarojnë gjithsesi këtu. Pas një apo dy vizitave në ishull, objektet për t’u eksploruar dhe për t’u çuditur mbarojnë. Magjepsja zvenitet. Ideja e rikthimit ngatërrohet me faktin që ishulli është në një distancë të konsiderueshme nga Vlora, rreth 25 kilometra. Udhëtimi me varkat e vogla vjen me një dozë përzjerjesh në stomak, të cilat je i gatshëm t’i durosh për një herë, por nuk pret me padurim të përsëriten.
Eksperienca e dytë drithëruese me ishull i përket ishullit të mrekullueshëm të Hidrës në Greqi. Është një nga të paktët ishuj ku nuk lejohet përdorimi i çfarëdolloj mjeti motorrik. Është ndërtuar nga një komunitet arvanitasish, disa prej të cilëve u bënë heronj të Revolucionit Grek për pavarësi. Gjithçka shkoi mirë në vizitën tonë njëditore në këtë ishull me përjashtim të një defekti elektrik që ndërpreu furnizimin për disa orë dhe na shtyu të shqyrtojmë disi më imtësisht jetesën në ishull. Pashë një pishë që ishte përkulur dhe ishte bërë thuajse njësh me tokën, tregues i erës së fuqishme që fryn rëndom në ishull gjatë muajve të dimrit. Dhe pashë një grua e cila, kur erdhi anija e furnizimeve, rrëmbeu dy koli me ujë njësoj si një shqiptar do të kishte rrëmbyer katër bukë gjatë krizës së “Gjashtë ditëve bukë” në kohën e ish-kryeministrit Ylli Bufi. Nëse qëllon që banon në majë të kodrës, do të duhet ta ngjisësh i ngarkuar me peshën e kolive të ujit. Alternativa është të marrësh me qira një gomar, nëse e gjen të lirë.
Fillova të gërmoj në internet për të mësuar se si, burimet e ujit që kanë qenë dikur në ishullin e Hidrës nuk ekzistojnë më, supozohet për shkak të ndryshimeve tektonike. Furnizimi me ujë bëhet me një anije cisternë që organizohet në bashkëpunim mes shtetit dhe kishës. Se si çmimet në ishull janë ku e ku më të shtrenjta se sa në tokë për shkak të kostos shtesë të transportit si dhe për shkak të faktit të thjeshtë se për një komunitet të vogël, numri i dyqaneve që ofrojnë ushqime e të domosdoshme të tjera është detyrimisht i vogël. Konkurrenca është e kufizuar. Jetesa është e kushtueshme. Dhe Hidra është vetëm dy kilometra larg tokës dhe gjendet në një det që përshkrohet nga qindra linja tragetesh.
Pastaj hapa më gjerë hartën dhe pashë numrin e pafundëm të ishujve që ekzistojnë, në Greqi, në Kroaci dhe gjithkund nëpër botë. Mësova historinë se si Hidra ishte ndërtuar si shtëpia e pronarëve të fuqishëm të flotës tregtare dhe se si, për një periudhë të caktuar, mbytja e anijeve kishte shkaktuar zi buke që kishte vrarë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë. Dhe se si, gjithnjë e më shumë ishuj nëpër botë janë duke u braktisur.
Ideja e Robinson Kruzosë është e bukur për t’u përjetuar në libra. Në jetën reale, situata është paksa ndryshe. Robinsonkruzotë e sotëm, jo vetëm në ishujt e vegjël, por edhe në ishujt e mëdhenj, luten nga qeveritë, të cilët, marrin paratë e taksapaguesve dhe ua subvencionojnë jetesën e vështirë që kanë në ishull, një vend që bart një dozë magjepsjeje për pushime, por jo për të qenë punëtor.
Ishulli i Sazanit bart të njëjtën magjepsje si çdo ishull tjetër, pavarësisht se nuk është zbuluar nga Ivanka Trump. Hera e parë që kam lexuar për të ka qenë në një tregim të kohës së komunizmit, në të cilin rrëfehej se si një grup partizanësh u nis me një varkë të vogël nga Vlora menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe pas një lundrimi jo të lehtë zbarkoi në ishull për të vendosur flamurin dhe për të shpallur pretendimin territorial shqiptar në të. Më vonë zbulova se si në fakt Sazani ka qenë copa e fundit e territorit që i është shtuar shtetit shqiptar. Sepse gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë, ishulli në teori ishte pjesë e Shteteve të Bashkuara të Jonit dhe më pas, e shtetit grek. Por duke qenë shumë larg çdo gjëje greke, ishulli ishte thjeshtë i pabanuar. Mësova se si Italia e pushtoi gjatë Luftës së Parë Botërore dhe e mbajti, bashkë me ishujt Dodekanese në Egje, deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Se si italianët përdorën këtë ishull për të kontrolluar ngushticën e Otrantos gjatë Luftës së Parë dhe për t’i mohuar, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar e Francën, akses në detin Mesdhe Austro-Hungarisë. Dhe se si sot ishulli nuk ka kuptim si objekt ushtarak sepse detet kontrollohen me avionë, raketa dhe dronë, gjë që e bën të panevojshme të shpenzosh para për të mbajtur baza të tilla.
Ajo që tregimi i kohës së komunizmit me varkën me partizanë nuk tregon dhe që e morëm vesh së fundmi, është se ushtria italiane, para se ta braktiste ishullin, hoqi qafe municionet e stërmëdha të magazinuara në të duke i hedhur në det, ku vijojnë të jenë. Dhe se si përgjatë dekadave të izolimit komunist, ushtria shqiptare derdhi gjithashtu municione të mëdha në tokë e në det, duke e bërë ishullin një vend të rrezikshëm.
Qeveria e Edi Ramës i bëri gati letrat për t’ia kaluar ishullin investitorëve, por vetë Rama dhe mediat pranë tij këmbëngulin se ideja e ndërtimit të hoteleve në ishull është braktisur tashmë. Sipas Albanian Post, ndryshimet gjeopolitike në Lindje të Mesme kanë shkaktuar tërheqjen e investitorëve nga Sazani, ndërsa Rama vetë jep si argument se ai nuk është tradhtar pikërisht faktin që ishulli nuk është shitur, së paku jo deri tani. Edhe Blendi Fevziu këmbëngulte se projekti në ishull “nuk bëhet”, por pa dhënë shpjegime si e pse.
Gjasat janë që ideja e vilave në ishull është braktisur për arsye praktike. Sazani është shumë larg tokës, nuk ka energji elektrike dhe as furnizim me ujë. Të ndërtosh 25 kilometra linjë ujësjellësi apo të shtrosh një kabull për furnizim me energji për vilat e disa pasunarëve është një kosto krejt e paarsyeshme, përpos vështirësive të tjera: Nevojës për të vendosur linjë transporti të rregullt për skllevërit që do të lajnë haletë e për furnizim me ushqime.
Kjo është ajo që merret me mend lehtë, por vini re shkallën e magjepsjes me idenë e ishullit që vijon të dominojë median ndërkombëtare dhe vetë fjalët e Ivanka Trump. Media i referohet më së shumti projektit si një i tillë që përfshin “ishullin dhe bregdetin përballë”. Në fakt shënjestra është vetëm bregdeti përballë.
Sazani është ishulli i vetëm i Shqipërisë. Për turistin shqiptar, veçanërisht për brezin e protestuesve sot, një vizitë në ishull është shumë e këshillueshme. Jo për të zbuluar një tokë pa pronar dhe të pabanuar, por për të reflektuar për vendimmarrjet politike të papërgjegjshme, të mbështetura në llogari për pushtetin dhe jo për të mirën e shoqërisë.
Shqipëria nuk ka vuajtur nga budallallëku i popullit, siç thotë Edi Rama në argumentin e vet kundër protestuesve. Ka vuajtur nga pushteti i pakufizuar nga kushtetuta, ligjet e opinioni publik. Pushteti u çoi jetën dëm shqiptarëve duke i mbajtur, mes të tjerash, si ushtarë në pritje të një armiku imagjinar në Sazan apo kudo nëpër llogore në Shqipëri.
Armiku i Shqipërisë është pushteti, që për llogaritë e veta, tani dëshiron të shkatërrojë zonat e mbrojtura ndërsa tenton të të shesë, njësoj si regjimi komunist, armiq, të cilët, (vijojnë të jenë kapitalistë,) nuk e duan zhvillimin e Shqipërisë.
Sazani është një ishull që duhet të kalojë sa më parë në pronësi të Bashkisë Vlorë. Forcat ushtarake do të duhet të vijojnë të bashkëpunojnë edhe për shumë dekada me autoritetet civile për të pastruar tokën dhe detin nga mbeturinat fizike të propagandës me armiq imagjinarë, ndërsa Bashkia e Vlorës duhet gjithashtu të nisë menjëherë planet për shkuljen e betoneve të derdhura gjatë javëve të fundit në zonën e mbrojtur Pishë-Poro, Nartë Zvërnec.
Dhe në vend që të merret me armiq imagjinarë, ne të gjithë duhet të pyesim veten: Pse Vlora nuk ka ujë? Pse rrugët e Shqipërisë janë gjithë gropa? Pushteti i pakufizuar sjell vendimmarrje absurde. Bunkerë dhe armatime përballë armiqve imagjinarë në kohën e Komunizmit, shpërdorime të fondeve publike në shërbim të pushtetit dhe jo të komunitet në shkallë të paimagjinueshme në kohën tonë.
Sa i përket ishullit, ai vijon të mbetet një vegim, shumë magjepsës dhe aspak praktik për të jetuar.







