Gjykata e Apelit në Shkodër la të lirë 6 nga të arrestuarit për dhënie fajdesh dhe pastrim parash, ndërsa 6 të tjerë u mbajtën në burg, përfshi edhe ish-kancelarin e Gjykatës Shkodër. Në një seancë paralele gjykata vendosi masë sigurie “detyrim paraqitje” edhe për ish-prefektin denoncues Paulin Radovani.
Gjykata e Apelit në Shkodër liroi 6 nga 12 të ndaluarit e operacionit ‘Maranaj’, të akuzuar për një skemë fajdesh e pastrimit të parave në Shkodër, të dencuar nga ish-prefekti Paulin Radovani. ‘Arrest me burg’ u vendos Artan Draganin ish-kancelar i Gjykatë së Shkodrës dhe Ilir Sokolin, ish-drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Po ashtu masë sigurie me burg u la në fuqi edhe për Berhan Alijan, Edi Memçajn, Pashko Vuksanelajn. Ndaj të arrestuarit Lulzim Sylja u vendos masë sigurie ‘burg me afat 60 ditor’.
Ndërkohë u lanë të lirë me masë sigurimi ‘detyrim paraqitje’ Naim Ahmeti, Adri Bala, Eduart Fusha, Vinko Nikprelaj, Elidon Qerimaj dhe Marjan Bregu. Në një seancë paralele gjykata vendosi masë sigurie “detyrim paraqitje” edhe për ish-prefektin Radovani, të cilin personat e arrestuar e akuzojnë se vetë apo përmes djemve u ka marrë qindra mijëra euro borxhe.
Të 12 të arrestuarit gjatë një seance vlerësimi mase sigurie që zgjati dy ditë, pretenduan se ishin të pafajshëm dhe se kishin dhënë borxhe me kërkesë të vetë Radovanit apo djemve të tij që i kishin miq.
Personat e arrestuar dhe 4 të tjerë të shpallur në kërkim akuzohen jepnin para me fajde dhe më pas përdornin kërcënimet për të marrë pas paratë dhe interesat e lartë. Ata janë denoncuar nga ish-prefekti Paulin Radovani, që sipas një sërë përgjimesh të publikuara në media kishte rregjistruar të akuzuarit. Një pjesë e këtyre personave u kishin dhënë para borxhë djemve të ish-prefektit për të luajtur kumar, ndërsa i kërkonin ato pas me interesa të larta.
Policia njoftoi se aksioni për arrestimin më 14 mars të të akuzuarve u ndërmor pas disa muaj hetimesh, ndërsa veç arrestimit njoftoiedhe sekuestrimin e 238 mijë Eurove, 272 mijë dollarëve, 414 mijë lekëve, 20 automejteve, 1 revolveri, 1 armë gjahu pa leje, 5 kompjutera dhe 50 celularë. Po ashtu u sekuestruan edhe një numër dokumentesh përfshi kontrata, akte dhe deklarta noteriale, për pasuri e transaksione financiare të dyshuara.
Ndërkohë të dyshuarit pretenduan se nuk kishin dhënë para me fajde, por i kishin dhënë borxh Radovanit dhe djemve të tij me premtimin se do i merrnin këto para pas. Një pjesë pretenduan se në këmbim të parave kishin blerë prona të familjes Radovani. Një prej tyre i tha gjykatës se kishte marrë kredi për të dhënë borxh dhe për të blerë një pronë në Velipojë.
Avokati i Artan Draganit ish-kancelar i gjykatës së Shkodrës, pranoi se klienti i tij duke patur lidhje miqësore me djemtë e ish-prefektit u ka dhënë një shumë parash për t’i ndihmuar në situatën e vështirë ekonomike, por jo me fajde siç pretendohet. Ilir Sokoli, i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Shkodër, pretendoi përmes avokatit se ka qenë mik shumë i ngushtë me dy djemtë e Radovanit të cilëve u kishte dhënë 25 mijë euro borxh për të paguar rrogat e punëtorëve të fabrikës.
Sokoli mohoi që paratë të ishin dhënë me fajde dhe të kishte kërcënuar Radovanin, ai tha se ky i fundit i kishte kërkuar të futej ndërmjetës. Versione të ngjashme historie përmendën edhe të akuzuarit e tjerë. Një prej tyre pretendoi se Radovani ia kishte marrë paratë borxh duke e siguruar se do t’ia kthente pasi priste një kontratë me qeverinë për 1.5 milion euro.
Avokati mbrojtës i Marjan Bregut akuzoi ish-prefektin për krijimin e një skeme piramidale. “Marjan Bregu, mësues në shkollën e mesme “Jordan Misja”, peshëngritës i Vllaznisë i ka patur shokë djemtë e ish-prefektit”, tha avokati mbrojtës., “Dhe sot është i arrestuar dhe ata që e kanë mashtruar janë të lirë”.
Aksioni kundër fajdeve u konsiderua si një sukses i policisë lokale, e cila është gjendur para një situatë të vështirë me rendin në Shkodër pas një serie krimesh të dyshuara si përplasje mes bandave lokale, por që ende nuk janë zbardhur.
Kryeministri Edi Rama përshendeti aksionin pak minuta pasi ai u njoftua nga policia, duke shkruar në profilin e tij në Tëitter se tani “Shkodra është më e qetë e më e sigurt se asnjëherë dhe Policia e Shtetit çdo ditë më efikase”. Pak javë pas këtij operacioni të policisë dy vëllezër u vranë në qytet në atë që dyshohet si një seri hakmarrjeje mes dy grupeve rivale që ka shkaktuar 8 viktima.