Aktivistët bëjnë thirrje për investime publike për të përmirësuar kushtet e jetesës të 8 familjeve rome dhe egjiptiane të strehuara në ish godinën e Kinoteatrit të qytetit jugor.
“Hajde këtu shiko si bie shiu nga soleta. Nuk e izoloj dot nga lart dhe hyn komplet brenda dhe i gjithë uji mbushet këtu,” ankohet Hysniu, kreu i një familje prej 10 anëtarësh, e cili jeton në ndërtesën e amortizuar tw ish Kinoteatrit në qytetin e Sarandës.
Hysniu shprehet se ka kërkuar ndihmë në bashki, por kjo e fundit ka bërë një vesh shurdh, duke sugjeruar që familjet që jetojnë në varfëri ta meremetojnë më mjetet e tyre ndërtesën e shkatërruar.
“Nga bashkia nuk na është dhënë asnjë përgjigje, nuk na presin fare, nuk na respektojnë e as nuk na ndihmojnë, asbolutisht jo,” tha 55 vjeçari.“Është [viti] 2018 dhe ne jetojmë në kohën e Babaqemos,” u ankua ai.
Ngjashëm me Hysniun, rreth 8 familje rome dhe egjiptiane me afërsisht 60 pjesëtarë janë strehuar prej gati 30 vitesh nga autoritet vendore në ish godinën e rrënuar të Kinoteatrit, në zonën e Kanalit të Çukës – i ndërtuar në vitin 1958 për të devijuar në det derdhjen e lumit Bistrica.
“Kam mbi 30 vjet që jetoj këtu. Jemi keq por s’kemi ku vemi, na pikon por ujërat me legena i nxjerrim, nuk kemi çfarë bëjmë,” shprehet Dallandyshe Shaqiri, një tjetër banore e Kinotatrit.
“Unë jetoj vetë i pestë, burrin nuk e kam në shtëpi, e kam në burg. Jemi ankuar te bashkia, por na kanë thënë rregullojeni vetë, ndërkohë që ne s’kemi të hamë bukë, mbledhim kanaçe,” shtoi ajo.
Më 19 prill një grup aktivistësh rom dhe egjiptian nga Tirana vizituan qytetin e Sarandës për të parë nga afër kushtet në të cilat familjet rome jetojnë në ish godinën e Kinoteatrit dhe për t’i kërkuar bashkisë së qytetit bregdetar që të ndërhynte për ta rikonstruktuar ndërtesën ku familjet strehohen.
Sipas një udhëzimi të ministrisë së Financave të publikuar në prill, njësitë e qeverisjes vendore mund të aplikojnë për të përfituar nga një fond prej 250 milion lekë për strehimin, i cili mund të përdoret për të realizuar projekte që përmirësojnë kushtet e komuniteteve të varfra dhe pa përkrahje.
Godina e ish Kinoteatrit është në pronësi të bashkisë Sarandë, por ky institucion nuk ka akoma gati një projekt inxhinierik dhe fonde për të rikonstruktuar ndërtesën e amortizuar.
Ministria e Financave i tha BIRN se udhëzimi për fondin e strehimit për komunitetet pa përkrahje i ishte shpërndarë të gjithë njësive të qeverisjes vendore dhe afati fundor për të aplikuar është data 31 maj.