Investigim12 Aug 2021

“Duhet të jetë ndonjë gabim”: Hakmarrja globale e Turqisë nuk duket se ka fund

Turqia është ende në kërkim të turqve jashtë vendit të akuzuar për lidhje me organizatorin e dyshuar të grushtit të shtetit në 2016. Fushata e saj e kanosjes, ngacmimit, ekstradimit dhe rrëmbimit është zgjeruar për këdo që konsiderohet armik i qeverisë në Ankara.

Autor: Erkan Pehlivan, Zubeyir Koculu, Jodi Hilton BIRN
Printo

Reyhan Inandi duke protestuar para ndërtesës së qeverisë së Kirgistanit në Bishkek më 5 korrik 2021, me një pankartë ku shkruhet “Ku është Orhan Inandi?” Foto kortzei e Reyhan Inandit.

Reyhan Inandi nuk e priste kurrë që burri i saj, Orhani, nuk do të kthehej kur ajo u përshëndet me të më 31 maj në shtëpinë e tyre në Bishkek, kryeqyteti i Kirgistanit.

Inandi është themeluesi dhe presidenti i Sapat Schools, një rrjet organesh arsimore të lidhura me Fethullah Gulen, një klerik turk që jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara dhe i akuzuar nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan për organizimin e një grushti shteti të dështuar kundër tij në 2016.

Pas përpjekjes për grusht shteti, Inandi u vendos në një listë prej 25 personash që Turqia donte që Kirgizistani t’i ekstradonte. Kur burri i saj nuk u kthye në shtëpi, Reyhan dhe djali i tyre filluan ta kërkojnë atë.

“I telefonova disa herë në mbrëmje, por telefoni i tij ishte i paarritshëm”, tha ajo. “Më në fund, djali im arriti të lokalizonte iPhone-in e tij. E gjetëm makinën e tij të parkuar me një gomë të rënë, rreth orës 03:20 të mëngjesit. Dyert ishin të hapura. Brenda kishte xhaketën, syzet dhe dy celularët.”

Vendndodhja e Inandit mbeti një mister deri më 5 korrik, kur Erdogan njoftoi se ai ishte sjellë në Turqi “përmes punës së mirëfilltë dhe të durueshme të Shërbimit Informativ Turk MIT”.

Në një fotografi të publikuar nga autoritetet, 53-vjeçari Inandi dukej i dërrmuar. Sytë i kishte me rrathë të zinj dhe ishte i parruar. Familjarët e tij vunë re se ai kishte rënë ndjeshëm në peshë. Ai e mbështeste dorën e tij të djathtë, e cila ishte dukshëm e ënjtur.

“Siç e dimë të gjithë shumë mirë nga rastet e mëparshme, agjentët e inteligjencës turke sajojnë krime dhe më pas i detyrojnë njerëzit t’i pranojnë ato nën tortura”, tha Reyhan, ndërsa përpiqej të shpjegonte lëndimin e tij.

Dhjetëra mijëra njerëz u arrestuan brenda Turqisë pas grushtit të shtetit të dështuar dhe rreth 150,000 nëpunës civilë, personel ushtarak dhe të tjerë u shkarkuan ose u pezulluan.

Por është ndjekja e bashkëpunëtorëve të dyshuar të Gulenit përtej kufijve të Turqisë ajo që ka pasur një efekt veçanërisht tronditës mbi turqit që jetojnë jashtë vendit, duke tronditur besimin në shtetet që ata filluan t’i quanin atdhe.

Diplomatët turq, organizatat pranë Ankarasë dhe përkrahësit e Erdoganit kanë luajtur një rol të rëndësishëm, sipas viktimave dhe vëzhguesve, dhe fushata është zgjeruar për të synuar kurdët dhe të majtët gjithashtu.

“Unë e dua Kirgistanin dhe popullin e tij. Nuk pendohem për 26 vitet e mia këtu”, tha Reyhan. “Por nuk dua të qëndroj në një vend ku burri im mbeti zemërthyer.”

“Me dhunë nëpër makina”

Më shumë se 250 njerëz vdiqën në përpjekjen për grusht shteti në korrik 2016, nisur pas viteve të sundimit gjithnjë e më autokratik nën sundimin e Erdoganit.

Që atëherë, më shumë se 130 individë janë kthyer me forcë në Turqi nga 31 vende të ndryshme, sipas autoriteteve turke. Disa kanë mbërritur përmes kërkesave të aprovuara për ekstradim, të tjerë me anë të kapjes dhe praktikës së marrjes në pyetje në Turqi.

Rastet e spikatura përfshijnë shtatë mësues turq në Moldavi dhe gjashtë në Kosovë në 2018. Në maj të këtij viti, Selahaddin Gulen, nipi i Gulenit, u kap në Kenia në një operacion të MIT dhe u shfaq dy javë më vonë në paraburgim në Turqi. Një gjykatë keniane kishte bllokuar më parë dëbimin e tij dhe Human Rights Watch i ka bërë thirrje Kenias të hetojë bashkëpunimin e pretenduar të zyrtarëve kenianë.

Shumë qytetarë të tjerë turq, përfshirë mësues dhe drejtorë shkollash në të gjithë botën, jetojnë me frikën se mos kapen.

Guleni ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në grushtin e shtetit. Ndjekësit e tij thonë se ata promovojnë paqen, dashurinë dhe edukimin përmes një rrjeti global shkollash, përfshirë në Ballkan. Megjithatë, lëvizja e Gulenit, e cila dikur ishte aleate me Partinë Drejtësi dhe Zhvillim të Erdoganit, u bë një forcë e fuqishme në politikën dhe tregtinë turke, e akuzuar nga kritikët e saj për “infiltrim” dhe ushtrim ndikimi mbi organet shtetërore.

Autoritetet turke thonë se mbështetësit e Gulenit janë terroristë dhe po i gjykojnë si të tillë.

Freedom House në SHBA tha në një raport këtë vit se kishte pasur 58 ndalime nga 17 vende, përfshirë rastet në të cilat “njerëzit u futën nëpër makina në mes të rrugës dhe më pas u rishfaqën në Turqi pa asnjë procedurë”.

Shumica, tha ajo, u zhvilluan me një nivel bashkëpunimi nga vendi pritës ose nëpërmjet korruptimit të zyrtarëve lokalë. Mund të ketë raste të tjera që ende nuk dihen publikisht.

Pesë vjet pas grushtit të dështuar të shtetit, Turqia thotë se ka ndjekur penalisht më shumë se 622,000 njerëz nën akuzat për terrorizëm të lidhur me Gulenin. Zyrtarisht, pak më shumë se 24,400 nga ai numër janë pas hekurave. Organizatat për të drejtat e njeriut thonë se gjykimet kanë pasur mangësi të mëdha, dënime të pabazuara nën prova të dyshimta.

Familje që largohen

Serpil Ates duke festuar festën kurde të Nevruzit në Holandë me miq dhe mbështetës kurdë, 20 mars 2018. Foto kortezi e Serpil Ates.

Sipas avokatit turk të Inandi, Halil Ibrahim Yilmaz, Inandi i tha atij se u kap nga tre burra nga Kirgistani, të cilët i lidhën sytë, e futën me forcë në një makinë dhe ecën për 5-6 orë para se ai t’i dorëzohej spiunëve turq në një vend të panjohur.

“I para sytë e lidhur pa ndërprerë për 25 ditë”, citoi Yilmaz të ketë thënë Inandi.

Autoritetet e Kirgistanit mohuan çdo përfshirje. “Ishte një habi e madhe edhe për ne”, tha Nazgul Kydyralieva, sekretare për shtyp e Komitetit të Sigurisë Kombëtare. “Për këtë po kryhet një hetim.”

Inandi kishte jetuar në Kirgistan, me gruan dhe katër fëmijët e tij, që nga viti 1995. Përveçse ishte shtetas turk, ai mbante edhe shtetësinë kirgistane dhe ishte një figurë e shquar si themelues dhe drejtor i një rrjeti arsimor që përfshinte 16 shkolla të mesme, nëntë shkolla fillore, katër shkolla ndërkombëtare dhe një universitet. Shkollat ​​ndihmuan në mbushjen e një boshllëku arsimor pas rënies së Bashkimit Sovjetik tre dekada më parë.

Turqia kishte kërkuar ekstradimin e tij në vitin 2019, por, sipas ministrisë së jashtme të Kirgistanit, kërkesa u refuzua.

Në ditët pas zhdukjes së tij, Reyhan dhe qindra mbështetës të shqetësuar protestuan para ambasadës turke dhe ndërtesës së qeverisë në Bishkek, duke i kërkuar autoriteteve të Kirgistanit që ta gjejnë atë. Ish-nxënësit e tij postuan video në Twitter duke kërkuar lirimin e tij.

Human Rights Watch paralajmëroi në një deklaratë se nëse kthehet në Turqi, “Inandi mund të rrezikojë të keqtrajtohet ose torturohet dhe do të përballet me paraburgim arbitrar dhe një gjykim të padrejtë.”

Zhdukja e Inandit ishte një thirrje zgjimi për disa të tjerë. Sevket, një koleg në Sapat i cili foli me kusht që mbiemri i tij të mos publikohet, u larguar drejt SHBA-së, duke e ditur se edhe ai ishte në listën e 25 arsimtarëve me bazë në Kirgistan, që kërkohen nga Turqia. Ai aktualisht po aplikon për azil ndërsa gruaja dhe tre fëmijët e tij në Kirgistan presin të bashkohen me të.

Sevket tha se ai njeh katër familje të tjera që u larguan drejt Perëndimit, dy në Kanada dhe dy në Suedi. Të tjerë që u nisën për në Uzbekistanin fqinj janë kthyer në Kirgistan pasi u paralajmëruan se nuk ishin më të sigurt në Uzbekistan.

Politikanët kurdë të shënjestruar në BE

Orhan Inandi pozon mes dy flamujve turq më 5 korrik 2021, pasi u soll në Turqi nga Kirgistani. Foto: Anadolu Agency

Sipas raportit të Freedom House, Ankaraja kohët e fundit ka filluar të aplikojë “të njëjtat taktika” për kurdët dhe të majtët jashtë vendit, përfshirë qytetarë evropianë me origjinë turke dhe shtetas me dy shtetësi.

Në Holandë, Serpil Ates, një politikane holandeze nga partia e majtë e gjelbër GroenLinks dhe anëtare e këshillit të qytetit të Hagës, tha se edhe ajo kishte qenë nën shënjestër sepse kishte folur në mbrojtje të grupeve të shtypura në Turqi.

Ates është një qytetare holandeze me origjinë kurde-alevi, dy grupe që janë përballur me shtypje të sponsorizuara nga shteti në Turqi për dekada të tëra. Babai i saj u largua nga Turqia në vitet 1970, si dhjetëra mijëra kurdë të tjerë që përpiqeshin të shpëtonin nga një goditje ushtarake kundër kurdëve në juglindje të Turqisë.

Kërcënimet filluan në vitin 2018, tha Ates, kur ajo iu bashkua këshillit të qytetit në kryeqytetin holandez.

“Ata donin të më kanosnin dhe të më heshtnin si një ë grua e hapur kurde-alevi”, tha ajo.

Pastaj në vitin 2019, sipas Ates, policia turke i tha tetos së saj 70-vjeçare në provincën lindore-qendrore Tunceli se mbesa e saj kishte hapur telashe dhe ishte nën hetim.

Ndërsa tregon historinë siç ia kishte treguar nëna e saj, Ates citoi se policia kishte thënë: “Ajo nuk duhet të shkruajë më kundër Turqisë. I thoni asaj se do të ketë shumë probleme, nëse vjen në Turqi.”

Ates nuk u tremb dhe iu bashkua një marshimi në Holandë atë vit dhe duke mbajtur një fjalim në mbështetje të kurdëve në veri të Sirisë, që forcat turke kishin pushtuar. Një faqe në internet që i shërben komunitetit turk në Holandë, e etiketoi Ates si një anëtare “terroriste” e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, e cila ka zhvilluar një kryengritje prej dekadash në Turqinë juglindore.

“Mora mijëra kërcënime dhe u sulmova me gjuhë urrejtjeje në internet pas botimit të atij artikulli”, tha ajo, dhe përshkroi një mesazh privat që kërcënonte se do t’i digjte shtëpinë dhe do të lëndonte nënën e saj.

Megjithatë, Ates tha se ajo beson se kërcënimet nuk ishin vepër e individëve të palidhur, por një fushatë e koordinuar nga misionet diplomatike turke.

“Unë dyshoj se ky është një kërcënim sistematik i organizuar nga grupet pro-Erdogan në Holandë të përfshira në qeverinë turke, duke qenë se ata përdorën kërcënimet për të bërë fushatë kundër meje gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021”, tha Ates, duke vënë në dukje se votuesve u ishte bërë thirrje të mos votonin për të, por në favor të Partisë DENK, të themeluar nga dy deputetë holandezë turq dhe e cila shihet gjerësisht si e afërt me Erdoganin.

Ambasada turke në Hagë nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Shkurtin e kaluar, Ates paraqiti një ankesë tek Team Bedreigde Politici, pjesë e policisë holandeze e ngarkuar me hetimin e kërcënimeve kundër politikanëve, por Ates thotë se deri më tani, nuk është nisur asnjë hetim zyrtar. Lilianne Blankëaard-Rombouts, Zyrtare Komunale e Hagës dhe e cila mori ankesën, tha se ajo nuk mund të jepte asnjë informacion mbi rastin, “për të mbrojtur privatësinë dhe sigurinë e zonjës Ates”.

Ates mendoi gjithashtu mundësinë për të hequr dorë nga nënshtetësia e saj turke, por druhet se çfarë mund t’i ndodhë, nëse ajo shkon në ambasadën turke në Hagë. “Nuk e di se çfarë do të më ndodhte, nëse shkoj atje”, tha Ates.

Ates ka arsye për të qenë e kujdesshme.

Në fund të vitit të kaluar, një burrë që tha se quhej Feyyaz Ozturk hyri në një stacion policie në kryeqytetin austriak, Vjenë, dhe tha se ishte një agjent i inteligjencës turke i urdhëruar nga MIT për të vrarë politikanin kurdo-austriak Berivan Aslan, gjë të cilën ai tha se nuk donte ta bënte.

Pretendimi risolli në kujtesë vrasjen e tre aktivistëve kurdë në Paris në vitin 2013, për të cilën hetuesit francezë arritën në përfundimin se ishte orkestruar nga MIT.

“Ne kemi parë shumë politikanë kurdë të sulmohen, por BE-ja nuk ka ndërmarrë kurrë hapa seriozë”, tha Ates.

Të etiketuar si “tradhtarë”

Katër ditë pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti, familjarë duke pritur lajme për të afërmit e tyre të arrestuar jashtë Pallatit të Drejtësisë në Stamboll, 20 korrik 2016. Foto: Jodi Hilton.

Autoritetet turke janë veçanërisht aktive në Gjermani, vend ku ka mërguar një numër i madh turqish.

Atje, DITIB, krahu i huaj i Diyanet, drejtoria e çështjeve fetare e financuar nga shteti në Turqi, mbikëqyr xhamitë, imamët dhe edukimin fetar islam. Gazetarët gjermanë ekspozuan një operacion në të cilin DITIB u jepte informacione autoriteteve turke për disidentët turq. Në vitin 2017, autoritetet gjermane filluan hetimin për 19 imamë që dyshohet se kanë punuar së bashku me diplomatë turq për të spiunuar disidentët.

DITIB këmbënguli se këto ishin raste të izoluara që nuk do të përsëriteshin, por kritikët thonë se policia sekrete turke mbetet aktive.

“Policia dhe oficerët e Verfassungsschutz (inteligjenca federale) vazhdojnë të vizitojnë njerëzit me origjinë turke dhe azilkërkuesit dhe t’i paralajmërojnë se ata i përkasin një grupi njerëzish në rrezik dhe se mund të jenë nën shënjestër nga MIT turk”, tha Dündar Kelloglu, një avokat dhe anëtar bordi i Këshillit të Refugjatëve të Saksonisë së Poshtme. “Vetëm disa muaj më parë, një qytetar gjerman u vizitua nga autoritetet e sigurisë dhe u paralajmërua se edhe ai i përkiste një grupi njerëzish në rrezik.”

Sipas një raporti të vitit të kaluar nga agjencia gjermane e inteligjencës, “Ka interes të konsiderueshëm në sqarimin e lidhjeve dhe individëve që dyshohet se janë kundër qeverisë turke”.

Përveç DITIB, qeveria turke mbështetet gjithashtu te MUSIAD, një shoqatë biznesi, dhe grupi i lobimit i AKP-së, UID, për informacione mbi turqit në Gjermani, sipas raporteve në mediat gjermane. As MUSIAD as UID nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

“Imamët në xhamitë e DITIB-it janë zyrtarë të shtetit turk”, tha politologu Savas Genc, ​​ish-profesor në Universitetin Fatih në Stamboll.

Si nëpunës civil, tha ai, ata u përgjigjen atasheve fetarë dhe arsimorë në misionet diplomatike përkatëse turke.

Ky mision gjithashtu dihet se refuzon shërbimet konsullore për njerëzit që konsiderohen se kanë lidhje me organizatat kurde ose lëvizjen Gulen, duke cituar procedurat në vazhdim në Turqi në lidhje me vepra të dyshuara terroriste.

Baza të tilla më pas përdoren për të anuluar ose konfiskuar pasaportat, siç ishte rasti me familjen e gazetarit turk Engin Sag. Sag ishte drejtor informacioni në televizionin S-Haber në Turqi dhe u largua pas përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit për të shmangur persekutimin. Në qershor të këtij viti, Sag shkoi me vajzën e tij në ambasadën turke në Gjermani për të zgjatur afatin e pasaportës së saj turke. Atje, vajza e Sag u informua se pasaportat e prindërve të saj nuk ishin më të vlefshme.

Pa pasaporta të vlefshme turke, autoritetet gjermane nuk mund të zgjasin vizën gjermane të Sag dhe gruas së tij.

“Prandaj rrezikojmë të dëbohemi ose duhet të aplikojmë për azil”, tha Sag. “Ky është një rreth vicioz me të cilin përballen mijëra njerëz nga Turqia.”

Torturohet në Turqi

Mbështetës të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u mblodhën në Stamboll më 19 korrik 2016 në mbështetje të presidentit të tyre dhe partisë së tij AK në ditët pas grushtit të dështuar të shtetit. Foto: Anadolu Agency.

Për Ibrahim Kahraman, një vizitë e zakonshme në familjen e tij në Turqi i kushtoi atij tetë muaj nga jeta e tij.

Kahramani, një kurd, u largua nga Turqia juglindore me familjen e tij në 1992 në moshën 13-vjeçare.

“Mbaj mend që ushtarët po sulmonin qytetet, përfshirë timin. I nxirrnin njerëzit nga shtëpitë e tyre në agim, me armë, dhe i detyronin ata të mblidheshin në sheshin e qytetit. Kishte shtypje dhe keqtrajtim të vazhdueshëm”, kujtoi ai.

Në Gjermani, Kahramani u aktivizua në një organizatë kulturore kurde. Në vitin 2016, kur kushëriri i tij vdiq në Turqi, ai u kthye për të vizituar të afërmit që jetonin në provincën Urfa. Ai u arrestua në Turqi më 12 dhjetor 2016.

“Më akuzuan se mbështes një organizate terroriste. U arrestova së bashku me qindra njerëz si pjesë e një goditjeje masive”, tha ai. “U thashë: ‘Duhet të jetë një gabim. Unë nuk jetoj në Turqi, por në Evropë.”

Kahramani tregoi se i lidhën sytë dhe u mbajt në një qendër sportive për dy javë së bashku me 230 të tjerë. Ai përshkroi se u dërgua në një stacion policie në mesnatë gjatë javës së tij të dytë të paraburgimit, ku policia e akuzoi atë si një operativ i PKK-së në Evropë.

“Policia më torturoi derisa humba ndjenjat”, tha Kahraman. Ai tha se e zhveshën lakuriq dhe katër oficerë iu ulën sipër dhe e godisnin vazhdimisht në stomak gjatë marrjes në pyetje. Një oficer tjetër ia përplasi kokën në dysheme. “Njëri prej tyre më tërhiqte edhe organin seksual”, tha ai. “Kjo vazhdoi me orë të tëra.”

Ai humbi ndjenjat pasi e goditën në kokë me një objekt. “Kur erdha në vete, isha në një qeli. Nuk më çuan në spital, pavarësisht faktit se mezi merrja frymë.”

Kahraman mohoi të ishte anëtar i PKK-së, por policia këmbënguli, duke cituar “pamje” ku ai shfaqet teksa viziton qendrën kulturore Medya në Lohne, në Gjermaninë veriperëndimore, një qendër kurde e regjistruar ligjërisht. Qendrat kulturore kurde janë të njohura për promovimin e muzikës, gjuhës dhe traditave kurde, por autoritetet turke shpesh i shënjestrojnë vende të tilla, duke pretenduar se ato janë fronte të PKK -së. PKK-ja është në listën amerikane të Organizatave të Huaja Terroriste, por shumë kurdë dhe mbështetës të tyre e konsiderojnë atë një lëvizje të armatosur legjitime që i përgjigjet shtypjes shtetërore.

Hetuesit e akuzuan Kahramanin se dërgonte armë në një bazë të PKK-së në Kurdistanin Jugor, gjë që ai gjithashtu e mohoi. “Ata donin që unë të pranoja akuzat dhe të filloja të punoja për ta si spiun në Gjermani”, pretendoi ai.

Kahraman përfundimisht u dërgua para një gjykatësi dhe u akuzua si anëtar i një organizate terroriste. Ai u lirua, në pritje të gjykimit, por iu ndalua të largohej nga vendi, pasaporta e tij iu sekuestrua.

Kahraman u përpoq, por nuk arriti të shkonte dot në Greqi, para se të hipte në një kamion për në Qipro. Atje ai shkoi në konsullatën gjermane, duke përshkruar burgosjen dhe torturat e tij, por citoi se zyrtarët e konsullatës i thanë: “Kjo është një çështje e brendshme turke. Kthehuni në vendin tuaj, zgjidhni problemet tuaja, merrni pasaportën dhe pastaj do të mund të udhëtoni.”

I dëshpëruar për t’u kthyer tek gruaja dhe katër fëmijët e tij, ai më në fund arriti në Gjermani ilegalisht, tetë muaj pas arrestimit të tij në Turqi. Aktualisht, tani ai është pa shtetësi.

Kahramani tha se nuk kishte më besim tek autoritetet turke apo gjermane. “Tani jam në një situatë të pashpresë”, tha ai. “E kam humbur besimin. I kam të gjitha rrugët e bllokuara.”

Ky artikull u realizua me mbështetjen e www.journalismfund.edu