Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi dërgimin e kërkesës për tarifa më të larta të ujit për kompaninë e ujësjellësit të Tiranës, por vendimi final për rritjen ose mosrritjen e tyre duhet të merret nga një institucion tjetër, Enti Rregullator i Ujit, i cili, supozohet se duhet të funksionojë si një mbikëqyrës i pavarur dhe mbrojtës i interesit të konsumatorëve.
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi me 31 vota pro kërkesën e UKT për rritjen në mënyrë dramatike të tarifave të furnizimit me ujë të pijshëm të konsumatorëve në kryeqytet, por ky vendim i këshillit është vetëm një opinion që duhet të jepet para se UKT të dërgojë dosjen me kërkesën për tarifat e reja te Enti Rregullator i Ujit, institucioni që ka autoritetin për të miratuar ose jo këto tarifa.
Këshilli Bashkiak e miratoi kërkesën e UKT, një korporatë nën pronësi publike, falë votave të këshilltarëve të partisë socialiste si dhe disa këshilltarëve të tjerë të partive të vogla, përfshirë votat e Genta Mezini dhe Agim Kraja, të zgjedhur në vitin 2015 nga lista shumëemërore e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Partia Demokratike në opozitë e bojkotoi mbledhjen e Këshillit Bashkiak me shpresë se në këtë mënyrë, numri i pjesëmarrësve do të binte nën kuorimin e nevojshëm për të marrë vendim. Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi fillimisht votën me kushte, pastaj vendosi të qëndrojë në mbledhje por nuk e votoi propozimin, ndërsa të enjten deklaroi se kishte vendosur të përjashtonte dy këshilltarët e vet Mezini dhe Kraja me argumentin se kishin votuar kundër vullnetit të grupit të këshilltarëve. Në një deklaratë për mediat, këshilltarja e LSI Eriona Bixha shkoi më tutje duke akuzuar Mezinin dhe Krajën se kishin votuar individualisht “të shtyrë nga interesa korruptive”.
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka 61 anëtarë, nga të cilët, 25 i përkasin Partisë Socialiste, 17 Partisë Demokratike, 13 Partisë LSI 4 PDIU si dhe nga 1 anëtar kanë PR dhe FRD. Anëtarët e Këshilleve Bashkiake në Shqipëri zgjidhen me lista të mbyllura shumëemërore të partive politike dhe në përgjithësi, kanë pak ose aspak lidhje me elektoratin.
Por pavarësisht miratimit në Këshill Bashkiak, tarifat e ujit do të duhet të shqyrtohen dhe miratohen gjetkë para se të jenë të vlefshme.
ERRU, një institucion pak i njohur, i themeluar në vitin 1996, ka për funksion të gjykojë në mënyrë të pavarur mbi kërkesën dhe ta miratojë atë nëse e sheh të arsyeshme ose ta miratojë të ndryshuar ose ta rrëzojë atë. Njësoj si Enti Rregullator i Energjisë, ERRU për nga natyra duhet të funksionojë si një institucion i pavarur, i cili ka për detyrë të mbrojë konsumatorët nga monopoli natyror i furnizimit me ujë dhe kanalizime duke mos lejuar abuzimet me këtë pozicion nga ndërmarrjet përkatëse. Por ndryshe nga ERE, anëtarët e bordit të së cilit zgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë, anëtarët e Entit Rregullator të Ujit emërohen dhe shkarkohen nga Këshilli i Ministrave. Aktualisht të katër anëtarët e ERRU janë emëruar nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.
Procedura dhe shqyrtimi i kostove
Sipas Metodologjisë së Miratimit të Tarifave, Erru duhet të shqyrtojë kërkesën e UKT bazuar në parimin e eficencës së menaxhimit, nevojës për mbulimin e kostove të furnizimit me ujë por njëkohësisht, edhe problemeve shoqërore dhe aftësisë paguese të konsumatorëve. Metodologjia, e miratuar në dhjetor 2015, neni 2 pika tre, shkruan se aplikimi për ndryshimin e tarifave për vitin pasues, duhet të paraqitet pranë ERRU “brenda gjashtëmujorit të parë të vitit aktual”. Kjo do të thotë se UKT e ka humbur sakaq afatin për këtë vit pasi duhej ta kishte dorëzuar dosjen para 30 qershorit të këtij viti. Nuk është e sigurt nëse kjo shkelje afati do të penalizojë UKT, por rregullorja në nenin në fjalë thotë qartë: “Çdo propozim i paraqitur pasi ka kaluar afati duhet të riparaqitet në vitin e ardhshëm me shifra të përditësuara”.
Procedura e shqyrtimit të kërkesës së UKT për ndryshimin e tarifave kërkon që UKT të paraqesë një listë me kostot përkatëse dhe ERRU duhet t’i shqyrtojë këto kosto për të gjykuar nëse janë ose jo të pranueshme. Aktualisht ka disa elementë në Planin e Biznesit të UKT, të cilat mund të konsiderohen si kosto të papranueshme: e para është kërkesa për të shpenzuar “167 lekë në vit për lidhje” për “Marrëdhënie me Publikun”. [Link plani i biznesit faqe Sipas planit të biznesit, administratorët e UKT e shohin të arsyeshme që ta katërfishojnë këtë fond duke filluar nga viti i ardhshëm sepse “synon të mbështesë dhe promovojë shërbimet e UK Tiranë te publiku dhe të prezantojë objektivat dhe synimet kryesore të Shoqërisë”. Ky shpenzim me vlerë 40 milionë lekë në vit ose mbi 200 milionë për periudhën pesëvjeçare dukshëm pritet të shërbejë për të reklamuar punën e ujësjellësit, një shpenzim që nuk është i nevojshëm për shkak se ujësjellësi është monopol dhe si i tillë, nuk ka nevojë për reklamë.
UKT i mbulon sakaq kostot
Ujësjellës-Kanalizime Tiranë pretendon se i nevojitet të rrisë me 40-70 për qind tarifat e furnizimit me ujë duke filluar nga viti 2018, me synim që të mbulojë kostot e investimeve të reja, të planifikuara në masën 173 milionë euro, por sipas paramentrave të Entit Rregullator të Ujit, të publikuara në raportin e vet të performancës, UKT është një nga shtatë ujësjellësat në Shqipëri që sakaq mbulon totale, ku përfshihen kostot e operimit, kostot e amortizimit të investimeve dhe kostot e kredive në masën 138%. [Link: Raporti ERRU f 33.]
Është e paqartë nëse ERRU do t’i pranojë si të justifikuara kërkesat për 173 milionë euro investime shtesë si dhe gjithashtu është e paqartë modeli me të cilin UKT ka në plan t’i amortizojë këto investime.
Në sektorin e ujësjellësave dhe kanalizimeve, qytetarëve nuk u kërkohet të paguajnë të gjithë koston e investimeve, por vetëm koston e amortizimit në kohë të këtyre investimeve. Sipas bilancit të UKT, asetet e ujësjellësit kanë jetëgjatësi që varion nga 30 në 70 vjet, ndërkohë që UKT kërkon mbi 70 milionë euro të ardhura shtesë përgjatë pesë viteve të ardhshme.