
Mozaikët në rrugët e Durrësit kanë nisur të shtohen. Por ato nuk i përkasin zbulimeve akeologjike të hershme në nëntokën muzeale të qytetit.
Artistët e rinj kanë shfrytëzuar mungesën e kujdesit të deritanishëm për zbulimin dhe konservimin e mozaikëve mesjetarë dhe antikë dhe kanë instaluar veprat e tyre me temë në trashëgiminë kulturore të Durrësit.
Mozaiku më i fundit me sipërfaqe 2 metër katrorë është punuar nga restauratori Ivo Moja dhe tashmë zbukuron një fasadë pallati në sheshin “Azem Hajdari”.
Vepra e punuar me rreth 2000 tesera shumëngjyrëshe evokon një moment nga produktet dhe dëfrimet e banorëve që në fillimet e erës së re, por mbi të gjithë i bën jehonë rrushit baliska, një varietet në bujqësinë ilire, i njohur dhe i vlerësuar edhe në vendet e tjera të Mesdheut.
Mozaiku i javës së kaluar ka disa elementë që të kujtojnë një vepër të shekullit të 6-të, mozaikun e Bazilikës në Arapaj, një nga monumentet më të rëndësishëm të zbuluar shumë pranë qytetit.
Mozaiku i vendosur tashmë në fasadën e pallatit duket se heq gjithashtu një paralele me mozaikun mural të kapelës në amfiteatrin antik, i vetmi mozaik vertikal në vendin tonë.
Megjithëse me vështirësi, mozaikët e vendosur në qytet përpiqen të sjellin në vemendje veprat e shumta që dëshmojnë për jetën e qytetit në shekuj dhe që vazhdojnë të qëndrojnë nëntokë, të tillë si mozaiku me rozetë që qëndron prej 20 vitesh në themelet e një pallati në lagjen nr.5 apo mozaiku i Orfeut, i zbuluar rastësisht në dyshemenë e kuzhinës së një shtëpie.
Gjithashtu, projekti i miratuar para dy vitesh nga Këshilli kombëtar i Arkeologjisë, që synon të transferojë në muzeun e saporestauruar mozaikun që ndodhet në themelet e një pallati në lagjen 11, vazhdon të qëndrojë në sirtarë.
Një grup mozaikësh të zbuluar pranë pallatit të Sportit dhe një tjetër në lulishten e Mauzoleut të Dëshmorëve janë tregues të pasurisë artistike në qytetin antik. Ndërsa monumenti më i hershëm vazhdon të jetë “Bukuroshja e Durrësit”, mozaiku që pasi zbukuroi hyrjen e sektorit të antikitetit në Muzeun Historik të Tiranës u rikthye në muzeun kombëtar Arkeologjik të qytetit ku u zbulua.
Vite më parë, skulptori Qazim Kërtusha ka preferuar që të vendosë imitimin e mozaikut me kalë deti në minisheshin “Kolonat”.
Duke shkelur mbi të, gurët bardhë e zi u kujtojnë durrsakëve se mozaiku i vërtetë ndodhet në një thellësi prej 3 metrash, në një nga kryqëzimet e lagjes nr. 6.
Megjithatë, jo të gjithë mozaikët e autorëve bashkohorë kanë pasur të njëjtin fat. Shatërvani me mozaikë pranë stacionit hekurudhor të qytetit u shkatërrua në vitin 2010, për t’i hapur vendin një projekti mediokër.
Arkeologu i mirënjohur, Vangjel Toçi e zbuloi mozaikun e Hipokamit në vitin 1947, por që prej afro 80 vjetësh ai vazhdon të jetë nëntokë dhe askush nuk ka menduar t’ua bëjë të njohur origjinalin.
Pikërisht në këtë periudhë Toçi identifikon mozaikun që menjëherë mori në botën shkencore evropiane emrin “Bukuroshja e Durrësit”.
Një tjetër mozaik, me sipërfaqe 18 metër katrorë është vepër e dy artistëve të ndjerë, Gavril Priftuli dhe Nikolet Vasia, e bashkë me ta edhe tekniku Fred Shuke. Mozaiku me gurë lumi shumëngjyrësh i ka kaluar 50 vjet nga realizimi dhe titullohet “Festa e Çlirimit”.
Vepra e vendosur në hyrje të mauzoleut të dëshmorëve të Durrësit është ruajtur mirë, pasojë e punës profesionale të artistëve dhe tashmë ka fituar qytetarinë.
Tradita e mozaikëve në Durrës është gati 2.400 vjeçare, aq sa një nga rrugët pranë qendrës është quajtur “Rruga e Mozaikëve”. Por fati i këtyre monumenteve mbetet i paqartë, njëlloj si zbulimet e mozaikëve në sheshin ku ndodhej shkolla “Gjergj Kastrioti”.
Por siç thotë një arkeolog i njohur, qyteti që dikur e ndërtonte imazhin e vet mbi gurë shumëngjyrësh, sot rrezikon të projektohet përmes formave të reja, të cilat nuk e bartin dot peshën e historisë.






