Lajm27 Dec 2017

Çështja “Veliera”, ekspertët shprehen se projekti i ndryshuar nuk cënon gjetjet arkeologjike

Tre ekspertë të thirrur nga Gjykata Administrative kanë vlerësuar se dëmet nga projekti Veliera janë të rikuperueshme dhe se ndryshimet në projekt krijojnë mundësinë e ruajtjes dhe ekspozimit të gjetjeve arkeologjike, duke i dhënë të drejtë Bashkisë së Durrësit. Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë 48 orë për të kundërshtuar këto gjetje, ata këmbëngulin në pavleshmërinë e projektit duke thënë se ai ka prekur në një zonë arekologjike ku nuk lejohet ndërtimi

Autor: Gëzim Kabashi BIRN Durrës
Printo

Ndërtimi i deri tanishëm i projektit Veliera. Foto: Gëzim Kabashi

Ekspertiza arkeologjike e kërkuar nga Gjykata Administrative e Durrësit për të vlerësuar dëmet nga zbatimi i projektit “Veliera” dhe nëse vazhdimi i tij dëmtonte trashëgiminë arkeologjike të zonës, i kanë dhënë të drejtë bashkisë. Ata i kanë cilësuar dëmtimet “të riparueshme” dhe kanë vlerësuar se projekti me ndryshimet e bëra krijonte mundësinë si për “ruajtjen e objekteve arkeologjike” ashtu edhe ekspozimin e një pjese të tyre.

Tre arkeologët ekspertë Skënder Ali, Faik Drini dhe Taulant Rama, që e morrën detyrën dy javë më parë, dorëzuan raportin mëngjesin e 27 dhjetorit, në të njëjtin ditë kur ishte planifikuar edhe seanca gjyqësore për këtë çështje.

Përfaqësuesit e Shoqërisë Civile, të cilët kundërshojnë prej një viti në gjykatë ndërtimin e “Velierës” i quajtën të mangëta përfundimet e arritura nga tre ekspertët. Avokatja Mirela Jorgo, njëkohësisht përfaqësuese e Shoqërisë Civile kërkoi më shumë sqarime mbi shkallën ndërhyrjes së ndërtimit në zonën arkeologjike A.

Për këtë gjykatësi Ergys Gashi, i cili drejtoi seancën që zgjati rreth dy orë,  i dha edhe 48 orë të tjera kohë përfaqësuesve të shoqërisë civile, për të paraqitur kërkesat dhe sugjerimet e tyre. Ai po ashtu shtyu me dy javë të tjera marrjen e vendimit, i cili u la për në datën 9 janar 2018.

Raporti, të cilin BIRN e disponon, duket se i ka ngushtuar hapësirat e kundërshtuesve të projektit që këmbëngulin se ai dëmton trashëgimin kulturore të qytetit dhe se duhet shpallur i pavlefshëm.

Faksimile e dokumentit | Foto nga: BIRN

Pyetjes për dëmin nga zhvillimi i deri tanishëm i projektit eskepertët i janë përgjigjur duke i cilësuar dëmtimet të kufizuara.

“Konstatohen disa dëmtime të kufizuara të strukturës murore të bastioneve osmane nga 5 pilotat, të cilat janë ngulur në pjesë të ndryshme të mureve gjatë punimeve për projektin “Veliera”… Vetëm në rastin e një pilote ka një futje më në brendësi të murit”, thuhet në raport.

Por edhe në këtë rast duke shpjeguar se muret ishin të forta dhe të ndërtuara për të përballuar sulme me artileri nga jashtë, ekspertët thonë se dëmi nga pilotat nuk është i  pakthyeshëm apo pa restaurueshëm nëse merret një vendim për të zhvendosur projektin.

“Këto dëmtime pra nuk e cënojnë në mënyrë të pakthyeshme substancën arkeologjike”, thuhet në ekspertizë.

Në të njëtën frymë raporti megjithëse vlerëson se në zonë gjetjet arkeologjike fillojnë prej shekullit të katërt para erës sonë, thotë se zona ishte jashtë mureve të qytetit të vjetër dhe se ndërtimet në të kanë qenë sporadike dhe kryesisht fortifikime mbrojtëse. Ekspertët thonë gjithashtu se nga gërmimet vetëm pjesa verilindore e sheshit është përdorur për ndërtime të tjera gjatë periudhës romake.

Ekspertët vlerësojnë se të gjitha gjetjet arkeologjike në zonë janë të rëndësishme dhe duheshin ruajtur, por sipas tyre projekti i ndryshuar i “Velierës” nuk i cënon gjetjet madje krijon mundësinë e ekspozimit të gjetjeve të zbuluara dhe si rrjedhojë vizitueshmërinë e tyre dhe po ashtu edhe ruajtjen. “Ai u mundëson specialistëve të fushës që të ruajnë objektet e zbuluara për të siguruar jetëgjatësinë e tyre”, thuhet në raport.  I cili po ashtu vë në dukje se pjesa më e madhe e tyre “do të ruhen duke u mbuluar, çka do të bëjë që të jenë më të sigurta nga dëmtimet njerëzore ose natyrore.”

Avokatja Jorgo i tha BIRN se po punonin për të përgatitur përgjigjet mbi këtë raport brenda 48 orëve siç ishte caktuar nga gjykata. Ajo tha ata nuk do të pranojnë vlerësimin mbi një projekt të ndryshuar të “Velierës” dhe se do të kërkonin nga gjykata të anullonte krejtësisht projektin.

Jorgo thotë se ata kanë kërkuar në gjykatë shpalljen të pavlefshëm të projektit pasi ai ka cënuar zonën arkeologjike A (e rëndësisë së veçantë) dhe se dëmet në këtë zonë janë të pakthyeshme, ndërsa arnimi i projektit do ta përkeqësojë gjendjen.

Punimet në në lulishten para godinave të Drejtorisë së Portit Detar të Durrësit për zbatimin e projektit të shumëdiskutuar “Vela”, me vlerë 6 milion euro, që më pas u njoh me emrin “Veliera”, nisën 12 muaj më parë. Në projekt, bashkë me shëtitoren pedonale, bashkia synonte edhe zgjidhjen e problematikën e qarkullimit të automjeteve në pjesën më të ngarkuar gjatë sezonit turistik.

Shoqëria civile, shumë e ndjeshme që në momentin e parë,  e konsideroi zbulimin gjatë punimevë të mureve fortifikuese mesjetare, si një mundësi për ta bllokuar vazhdimin e punimeve dhe me kallëzimin penal të 2 shkurtit 2017 e paditi Bashkinë e Durrësit për “Ndërtim të paligjshëm”.

Një muaj më vonë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi “sekuestrimin preventiv,…duke mos lejuar vazhdimin e punimeve për pjesën e projektit që shtrihet në zonën A” të rriskut arkeologjik në Durrës. Megjithë ankimimin e Bashkisë së Durrësit, vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë gjeti mbështetjen e Gjykatës së Apelit, i cili e la në fuqi atë.

Ndërkohë prej gati një viti dy procese paralele zhvillohen në gjykata e Durrësit. Një në Gjykatën e Shkallës së Parë ku po shqyrtohet padia për dëme të shkaktuara mbi muret mesjetare dhe zonën arkeologjike, dhe një në Gjykatën Administrative, ku shoqëria civile shpreson të zhbëjë projektin.