Fake News, dizinformim, troll. Vitet e fundit bota ka krijuar një larmishmëri termash të cilat rrjedhin nga fenomeni i ri i dizinformimit online. Këtu po japim disa prej këtyre termave si dhe disa shpjegime të shkurtra për to.
Qytetarët janë mësuar tashmë me termat “Fake News” dhe dizinformim, të cilat po përdoren gjerësisht jo vetëm për të përshkruar një fenomen të caktuar, por shpesh saktësisht për të dizinformuar lexuesit. Termi “Fake Neës” po përdoret po aq shumë sa për të përshkruar një fenomen të caktuar sa edhe për të sharë një raportim kritik. Ky është termi që po pëlqehet gjithnjë e më shumë nga autokratët nga të katër anët e botës për të sulmuar dhe burgosur kritikët e vet. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, një organizatë ndërkombëtare me bazë në Nju Jork, 30 gazetarë në të gjithë botën janë në burg për akuzën e publikimit të “lajmeve të pavërteta”.
Një listë me këto terma si dhe shpjegimet e tyre mund të ndihmojnë për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë si dhe për t'u informuar mbi teknikat kryesore të përdorura nga grupime të ndryshme për çorientimin tuaj.
Automatizim – Teknikë në internet për të kopjuar dhe botuar informacione të caktuara, ose për të shpërndarë një mesazh në një numër medias sociale. Automatizimi ofrohet si mundësi nga shumë media sociale si shërbim për klientët e vet, qofshin këto individë apo kompani. Fjala vjen, Twitter të lejon që të postosh automatikisht sa herë që ti poston në Facebook, por mjete më të avancuara, të cilat janë dizajnuar për industrinë e reklamave dhe lehtësimin e menaxherëve të reklamave që të shpërndajnë mesazhe në median sociale, krijojnë mundësi shumë më të larmishme se sa kjo. HootSuite, p.sh., të mundëson që përkundrejt një pagese prej 30 USD në muaj, të postosh njëkohësisht në një numër të madh platformash të medias sociale dhe në llogari të ndryshme, duke i kursyer kohë menaxherëve të marketingut. Platforma të tilla, përveçse ndihmojnë menaxherët e marketingut, janë gjithashtu një mënyrë që një njeri të shfaqet njëkohësisht në shumë rrjete sociale dhe në llogari të ndryshme. Sot automatizimi ndihmon jo vetëm menaxherët e marketingut, por edhe aktivistët apo politikanët që e përdorin atë jo vetëm për të shpërndarë më me lehtësi mesazhin e vet, por edhe për të manipuluar opinionin publik për t'u dukur sikur ka shumë njerëz që po diskutojnë mbi një temë të caktuar, ndërkohë që mund të jetë vetëm një person me shumë llogari dhe me një platformë menaxhimi. Përveç kësaj, këto platforma lehtësojnë manipulimin e mesazheve të medias tradicionale. Për shembull, ato mundësojnë që një redaktor të caktojë një titull për faqen e vet të internetit dhe një titull të ndryshëm posaçërisht për Facebook. Në një periudhë kohe, programe të tilla të mundësonin të manipuloje lajmet e medias tradicionale dhe t'i nxirrje në Facebook si reklama të këtyre mediave. Në një rast ekstrem, politikania Grida Duma u vu nën një fushatë baltosjeje.
BOT – Shkurt për robot, ky është një program kompjuterik që përdoret për të dhënë përgjigje kundrejt një situate të caktuar. Ndryshe nga automatizimi, ku një njeri programon shpërndarjen e një mesazhi në faqe të ndryshme apo llogari në median sociale, boti është në gjendje që të shkojë më tutje. Fjala vjen, një llogari Twitter e kontrolluar nga një bot mund të programohet që të retweet një postim ku përmendet emri i udhëheqësi politik. Duke qenë se botet mund të krijohen me mijëra, ato janë në gjendje të sugjerojnë se një postim i caktuar i, fjala vjen, një politikani, është ajo për çfarë mijëra përdorues Twitteri po flasin.
Botet kanë përdorime normale në shumë platforma, për shembull, në faqet e internetit të tregtisë elektronike. Kur ti e viziton një faqe, një kuadrat ju fton për të komunikuar me shitësit. Kuadrati në fakt është prodhimi i një roboti, i cili është në gjendje të japë përgjigje elementare, fjala vjen, në këtë orë nuk kemi operator në punë, ju lutem na kontaktoni me email në:[email protected]. Por të njëjtët robotë mund të programohen për të prodhuar komente false. Fjala vjen, një robot mund të programohet që të bëjë sa herë që shfaqet emri i një politikani, një koment të llojit, ky politikan është hajdut. Në situata të caktuara, aktivitetet e boteve mund të asgjësojnë një hapësirë online duke e ndotur atë me ripostime të pavlera. Në këto kushte, mediat online përpiqen të kufizojnë aktivitetin e boteve për shkak se i dëmton ato ekonomikisht. Shih më shumë: Cyber Bot
Cikli i trafikimit të dizinformimit. Organizuesit e fushatave të dizinformimit përpiqen që të qarkullojnë lajme të vërteta apo të pavërteta duke i hedhur ato në platforma të ndryshme dhe në faqe të ndryshme interneti, me supozimin që kur njerëzit e shohin një informacion në vende të ndryshme, ata priren ta besojnë atë, ose së paku të reagojmë ndaj saj. Kështu, një informacion i postuar në një faqe Facebook-u gjen rrugën për t'u shpërndarë në profile të ndryshme apo grupe, e më pas në rrjete të tjera sociale para se të prezantohet në median e ashtuquajtur konvencionale ose kryesore si një fakt. Ndërsa termi Fake News është përdorur vazhdimisht në diskursin publik që nga viti 2017, ekspertët e komunikimit pëlqejnë përdorimin e termit Dizinformim, për shkakun e thjeshtë se shumica e lajmeve të tilla nuk janë domosdoshmërish të pavërteta. Më me shumë gjasa ato janë gjysmë të vërteta, ose fakte të vërteta të nxjerra jashtë konteksti. Në një situatë të tillë, njerëzit e kanë të vështirë të gjejnë burimin origjinal të informacionit. Për shembull, në vitin 2018, një person anonim telefonoi aktorin kosovar Enver Petrovci për ta pyetur nëse ai mendonte nëse Shqipërisë i nevojitej një teatër i ri kombëtar. Petrovci i tha “për mua është budallallëk mos me u ndërtu një teatër i ri”. Deklarata, tërësisht e vërtetë, u shpërnda jashtë kontekstit nga një numër mediash pranë qeverisë si mbështetje e Petrovkit për koncesionin e kryeministrit Edi Rama për Teatrin Kombëtar. Pavarësisht se Petrovci protestoi duke dhënë disa deklarata, shumica dërrmuese e mediave që postuan lajmin në formatin copy/paste nuk e tërhoqën atë si të pavërtetë, përfshirë Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Botsat janë bërë aq shqetësim, sa në një rezolutë, Parlamenti Europian rekomandoi që të shikohet mundësia që të hartohen ligje imponuese për median sociale për etiketimin e llogarive të menaxhuara nga një bot. Me një fjalë, qytetarët duhet të shohin një shenjë dalluese nëse një mesazh i hedhur në rrjet i përket një njeriu apo një roboti kompjuterik. Në një rast flagrant dizinformimi, deputetët e partisë socialiste duket se e keqpërkthyen këtë rezolutë në shqip duke zëvendësuar fjalën bot me fjalën përmbajtje.
Cyber Bot. Botët janë një teknologji që edhe pëlqehet, edhe nuk pëlqehet nga mediat sociale. Disa nga këto media si Twitter kanë zhvilluar teknika për të dalluar dhe bllokuar llogari të tilla për shkak se u prishin biznesin. Për këtë arsye, disa menaxherë kanë arritur të krijojnë një farëlloj kombinimi të llogarive të boteve me ndërhyrjen e njeriut për të krijuar një hibrid.
Diversion. Është një term ushtarak që përdoret për të çorientuar kundërshtarin, fjala vjen, duke goditur në njërin krah për ta gjetur të papërgatitur në krahun tjetër. Por e njëjta teknikë është përdorur nga politikanët për të hequr vëmendjen nga një telash, fjala vjen, duke bombarduar opinionin publik me një “skandal seksual” si tërheqje vëmendjeje nga një skandal me korrupsion. Sot termi i parapëlqyer për këtë praktikë është dizinformimi, por dizinformimi është shumë më i gjerë, i larmishëm në teknika dhe sistematik.
Fermë trollsash. Trollët në mitologjinë nordike janë njerëzit e shpellave, që jetojnë të izoluar dhe janë primitivë. Te libri Harry Potter dhe Guri Filozofal, trolli është gjigandi i trashë me të cilin përballen tre heronjtë e librit në vitin e tyre të parë në shkollën e magjisë. Huazuar nga kjo, trolli në internet (shiko) është është një njeri i trashë që shkatërron mundësinë për bisedë normale mbi çështje të rëndësishme. Përgjatë dekadës së parë të Facebook, nëpër vendet e varfra, disa kompani zbuluan një mundësi për të bërë para. Ata vunë një ushtri me njerëz të keqpaguar që të krijonin llogari të njëpasnjëshme në Facebook dhe i ofronin faqeve të ndryshme mundësinë për të blerë një numër të caktuar likesh. Quhen fermë trollsash edhe për faktin se persona që mund të nxjerrin një jetesë minimale duke krijuar llogari e duke bërë like, nuk janë e nevojshme të kenë ndonjë inteligjencë mbi elementaren. Kompani, njerëz të famshëm apo politikanë pranuan të paguanin, fjala vjen, 1000 dollarë për të marrë like në faqet e tyre nga 5 mijë llogari. Ky manipulim i vockël ka përparuar që nga ajo kohë. Fermat janë zhvilluar në fakt në kazerma, ku ushtri më të specializuara trollsash shërbejnë për fushata të gjera dhe sistematike dizinformimi online, duke sulmuar një qeveri, një grup shoqëror, një ide, apo duke shpërndarë informacione të gënjeshtërta ose gjysmë të gënjeshtërta.
Gjysmë e vërtetë. Shumica dërrmuese e informacioneve të shpërndara në internet me qëllim dizinformimin e popullsisë nuk janë tërësisht gënjeshtra, megjithëse ka plot të tilla. Dizinformuesit përdorin gjysmë të vërtetat për të pasur efekt më të madh në publikun e gjerë. Për shembull, përgjatë shumë viteve, në Shqipëri sugjerohej se një media e ndarë përgjysmë ose pothuajse përgjysmë, njëra në mbështetje të qeverisë dhe tjetra në mbështetje të opozitës, ofron të dyja anët e medaljes, vetëm se i ofron në dy gjysma të vërtetash. Fatos Lubonja argumentoi në shumë raste se askush nuk duhet të gënjejë veten me supozimin që duke ndjekur dy palë lajme apo duke lexuar dy gjysma të vërtetash do të arrijë te e vërteta. Problemi më i madh me gjysmë të vërtetat është se ato përdoren nga propaganduesit dhe përbëhen nga fjali të thjeshta, të shkurtra e elementare. E vërteta është dukshëm krejt e kundërta. Ajo nuk është e thjeshtë, as e shkurtër.
Rreng – Përkthyer nga anglishtja hoax është më së shumti një është një hile mashtruese e nisur nga një individ për qëllime dëfrimi apo dizinformimi për qarkullim në formë thashethemi online ose offline. Fjala vjen, në kulmin e ndalimqarkullimit të pandemisë në mars 2020, në celularët e shqiptarëve përmes rrjetit WhatsApp mbërriti mesazhi: mbyllni dritaret sepse do të bëhet dizinfektim me helikopter. Mesazhi dukshëm shkaktoi shqetësim të njeriut për të afërmit e tij, gjë që nxit qarkullimin e tij. Ndërsa një mesazh i tillë ka gjasa është nisur thjeshtë për humor, në raste të tjera mesazhe të tilla janë në gjendje të shkaktojnë panik mes popullsisë. Akoma më keq, një panik i shkaktuar nga mesazhe të tilla mund të shërbejë për qeveritë si justifikim për të diskretituar çfarëdolloj komunikimi të pavarur prej saj, apo për të justifikuar politika represive kundër fjalës së lirë. Ilaçi i rënë dakord në botën demokratike ndaj një fenomeni të tillë është ndryshimi i kurrikullave shkollore për të aftësuar njerëzit në të menduar kritik, në identifikim faktesh dhe në rritjen e “alfabetizmit mediatik”, pra në njohuritë e popullsisë së gjerë mbi mënyrën se si funksionon media dhe informimi, se si mund të dallohen faktet nga opinionet dhe se si mund të identifikohen informacionet me burim apo cilësia e burimeve.
Vijon…
Ky shkrim është pjesë e një serie më të gjatë të shpjegimit të termave të dizinformimit dhe propagandës. Na vizitoni sërish pas disa ditësh për të lexuar materjale të reja.
Ju mund të lexoni gjithashtu: