Investigim15 Jun 2017

Fushata në Shkodër, vende pune në burgun e Reçit në këmbim të votës

Drejtues lokal të LSI shfaqen në një video promovuese në të cilën flasin për 400 vende pune të sigurta në burgun e Reçit në Shkodër, një financim i BE ende jo funksional, ndërsa dy qytetarë i konfirmuan BIRN se kishin marrë premtimin për vend pune aty në këmbim të votës për këtë forcë. LSI i cilësoi akuzat si “dëshmi fantazmash, që përdoren për qëllime politike”, duke akuzuar PS-në.

Autor: Elvis Nabolli BIRN Durrës
Printo

Ardit Hotaj koordinator i saj për Malësinë e Madhe, pasi shpjegon angazhimin e LSI për vende të reja pune, e ilustron me vendet e lira në burgun e Reçit. Foto: Youtube

Një grua rreth 45 vjeç edukatore me profesion, prej disa vitesh i kishte kthyer dy dhomat e banesës së saj në periferi të qytetit të Shkodrës në kopsht për fëmijë, por ndërsa numri i fëmijëve erdhi duke u rritur deri Majin e 2017- ës, ajo vendosi ta mbyllte kopshtin e vogël. “Më erdhi një telefonatë nga përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe më kërkuan votat e familjes time, në këmbim më premtuan një vend pune si sanitare pranë burgut të Reçit”, i tha BIRN gruaja.

Megjithë ndryshimet në Kodin Penal, në të cilin premtimi për vend pune në këmbim të votës dhe dhënia e votës në këmbim të vendit të punës dënohen me burg, partitë politike dhe kandidatët e tyre vijojnë të përdorin taktika të njëjtë. Në Shkodër BIRN mësoi nga të paktën dy persona se njerëz të LSI u kishin premtuar atyre vend pune në këmbim të votave, në burgun e Reçit, një investim i Bashkimit Europian  i cili ende pritet të hapet.  LSI e mohoi këtë praktikë përmes njërit prej kandidatëve të saj për deputet.  “…këto janë thjesht dëshmi fantazmash, që përdoren për qëllime politike”, i tha BIRN, Dritan Ylli, i dyti në listë për Lëvizjen Socialiste për Integrim në Shkodër.

Ndërkohë më herët gjatë këtij muaji kryesuesi i listave të PS në Shkodër, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, e akuzoi ish-aleatin në qeveri për këtë praktikë në një takim elektoral në Shkodër i “kërcënoi” me burg personat që premtojnë vende pune në burg duke thënë se “atyre që premtojnë vende pune në burg, që minimalisht nuk paskan lexu as kodin penal që ka ndryshu, as kodin zgjedhor që ka ndryshu, u thoni vetëm një gjë: Në punë do futeni në bazë të aftësive, në burg kujdes se mund të futeni ju, sepse po shkelni ligjin”.

I pyetur për këto akuza dhe për dëshmitë Dritan Ylli i mohoi ato. “Të vazhdojnë  t’i përdorin për qëllime politike dhe për mu janë thjesht fantazma që i intereson me i përdor PS- ja, pasi janë tremb shumë nga LSI sidomos pas mitingut në qendër të Shkodrës.”

Por pak ditë pas nisjes së fushatës, më 1 qershor, në një kronikë reklamë për LSI të bërë në një televizion lokal, nga zyrat e kësaj force politike  Ardit Hotaj koordinator i saj për Malësinë e Madhe, pasi shpjegon angazhimin e  LSI për vende të reja pune, e ilustron me vendet e lira në burgun e Reçit.

Hotaj gjatë kronikës reklamuese ku theksohet se “LSI do të thotë punësim, mirëqenie dhe zhvillim” angazhohet të shpjegojë pse për mbi 400 aplikues për vende pune në burgun e Reçit do kenë një vend të sigurt aty. “Investimi shkon diku rreth 15 mln euro, ku aty do të hapen rreth 400 vende të reja të punës, ato pak a shumë janë të ndara ne 342 vende punonjës me uniformë dhe rreth 50 punonjës të administratës”- deklaron Hotaj, ndërsa shton se në faqen zyrtare të drejtorisë së burgjeve “të gjithë mund të konsultojnë shpalljen si dhe procedurat dhe dokumentacionin e nevojshëm që aplikantët kanë dorëzuar për të fituar të drejtën e punësimit”.

Po sipas koordinatorit të LSI- së në Malësi të Madhe i cili nuk ka ndonjë funksion në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve,  “në përfundim të këtyre procedurave ka mbërritur urdhëri 24 Majit në të cilin janë emërimet e rreth 42 fituesve të parë që janë pjesë e administratës. Shumë shpejt do të përfundojnë edhe procedurat për emërimet e pjesës tjetër të punonjësve të këtij institucioni,” thotë Hotaj në kronikë.

Urdhri që shfaqet në kronikë është firmosur nga  ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve i cili u shkarkua nga detyra pak ditë pas marrëveshjes mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së Luzim Basha, e cila parashikonte që disa drejtori ku emërimet ishin bërë nga LSI të kalonin në kontrollin e opozitës.

I pyetur për këtë Dritan Ylli i tha BIRN se vendet e punës nuk ishin premtuar në këmbim të votave. “Nuk është aspak e vërtetë që të jenë premtu vende pune në këmbim të votave për LSI, punësimet janë ba krejtësisht të rregullta dhe gjithë këto procedura sëbashku me fituesit janë shpallë në faqen zyrtare.” deklaron Ylli ndërsa shton se këto lajme kanë një prapavijë politike.

Gruaja që BIRN takoi, në kushte të ruajtjes së anonimatit, thotë se edhe pse ka kryer universitetit dhe është diplomuar si mësuese e “Ciklit të ulët”,  e kishte pasur të pamundur të gjente një vend pune në mësuesi, e për pasojë shikon si të vetmen zgjidhje angazhimin politikë si mundësi për të punuar në shtet.

“Të punosh në shtet është shumë herë më mirë se sa në privat”- shton edukatorja, e cila braktisi profesionin me të cilin jetoi për vite me radhë pasi i duhet të angazhohet në fushatën elektorale të LSI- së.

Ajo nuk është e vetmja që ka marrë këtë ofertë. Një tjetër qytetar që BIRN e kontaktoi tha se kishte marrë telefonatë nga një drejtues lokal i LSI dhe se i ishte premtuar një vend pune në këmbim të disa votave. “Prej vitesh po kërkoj një punë në shtet, kjo oferte më tundoi jo pak, edhe pse me duket e pabesueshme. Pavarësisht të gjithave do ja siguroj votat LSI- së pasi nuk kam çfarë të humb”- tha ai në kushte të ruajtjes së identitetit.

Në Maj të vitit 2013 në Reç të Shkrelit në Malësi të Madhe nisi puna për ndërtimin e burgut të sigurisë së lartë, një investim rreth 15 mln euro nga BE me një sipërfaqe prej 30 000 m2. Afati i përfundimit duhej të ishte Prilli i vitit 2015 dhe ndërtesa do të priste mbi 800 të dënuar e të arrestuar, por ajo ende nuk është vënë në punë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *