Lajm1 Nov 2019

Gati projektligje të reja për “paketën antishpifje”

Kuvendi i Shqipërisë mësohet se ka marrë drafte të reja të projektligjeve kontroverse për median online, u bë e ditur në një konferencë në Tiranë, ndërsa BE dhe OSBE përsëritën kritikat për draftet ekzistuese.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Forumi i Medias i organizuar nga OSBE. Foto kortezi: OSBE

Kuvendi i Shqipërisë ka marrë javën e kaluar dy projektligje të reja për të ashtuquajturën “paketë antishpifje” por përmbajtja e tyre pritet të publikohet javën e ardhshme, deklaroi deputetja socialiste Milva Ekonomi në një konferencë për median të zhvilluar në Tiranë të premten.

Ekonomi tha se projektligjet e reja janë produkt i konsultimit me OSBE-në, por nuk iu përgjigj pyetjeve se kush është propozuesi i këtyre projektligjeve të reja ndërsa shtoi se projektligjet ekzistuese të propozuara nga Këshilli i Ministrave mbeten në shqyrtim në parlament.

Mësohet se pas kritikave mbi projektligjet ekzistuese që u dorëzuan në kuvend korrikun e kaluar, një proces bashkëpunimi është zhvilluar mes qeverisë dhe zyrës së OSBE-së për lirinë e medias, por forma dhe përmbajtja e këtij procesi bashkëpunimi është mbajtur privat.

Organizatat shqiptare dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë kërkuar prej kohësh që qeveria të tërheqë projektligjet, duke i konsideruar ato nisma censure për median online. Qeveria e kryeministrit Edi Rama deri më sot nuk i ka tërhequr projektligjet.

OSBE zhvilloi të premten Forumin e Pestë për Zhvillimin e Medias, i cili nisi me një protestë të disa banorëve të Unazës së Re kundër ambasadorit të OSBE në Tiranë Bernd Borchardt. Disa gra hynë në sallën ku pritej të niste forumi në hotelin Mak Albania në Tiranë duke mbajtur pankarta ku shkruhej “Mr. Middlefinger” dhe “non-grata”. Protestueset iu referuan një veprimi të pahijshëm të Borchard, u kap në fotografi duke i treguar gishtin e mesit disa protestuesve të Unazës dy javë më parë. Ai kërkoi ndjesë për veprimin më pas.

Dhe ndërsa forumi i OSBE kishte për temë kryesore Zhvillimin e Medias, diskutimet këtë herë u përqendruan më shumë se nisma kontroverse e qeverisë për krijimin e një sistemi cenzurimi administrativ të medias online si dhe rolit që luajnë organizmat ndërkombëtare të mbrojtjen e lirisë së medias.

Për ambasadorin e BE-së Luigi Soreca, nuk ka mëdyshje se nismat e qeverisë përbëjnë shqetësim për lirinë e medias. Në fjalën përshëndetëse, Soreca mbështeti në mënyrë të pazakontë organizatat vendëse dhe ndërkombëtare, të cilat i kanë kërkuar qeverisë tërheqjen e menjëhershme  të këtyre ligjeve si antidemokratike.

“Komisioni Europian ndan shqetësimet e organizatave të tjera ndërkombëtare, në lidhje me mungesën e qartësisë ligjore dhe zgjerimit të hapësirës dhe kompetencave të Autoritetit të Medias Audiovizuale për të përfshirë rregullimin e medias online. Ne mendojmë se kjo mund të sjellë efekte negative në lirinë e medias,” tha Soreca. [Link]

Ai përsëriti se zgjidhja e mbështetur nga BE për çështje të dizinformimit është ajo e vetërregullimit të medias, një sistem në të cilin media angazhohet të respektojë disa standarde etike pa pasur mekanizma ndëshkuese nga ana e shtetit.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama propozoi dhjetorin e kaluar ndryshime në dy projektligje, atë të medias audiovizuale, e cila rregullon televizionet, dhe ligjin për komunikimet elektronike e postare, të cilat synojnë atë që kryeministri e quan “disiplinim” të medias online. Projektligjet, të cilat janë kritikuar ashpër nga organizatat shqiptare dhe ndërkombëtare të lirisë së shprehjes, parashikojnë kontroll administrativ të medias online dhe vendosjen e gjobave të rënda prej mijëra eurosh për një gamë të gjerë “shkeljesh”, ku përfshihet cënimi i dinjitetit apo privatësisë së një personi.

Pasi qeveria dërgoi në parlament dy projektligjet në fjalë në korrik 2019, parlamenti nuk ka filluar shqyrtimin e tyre pavarësisht se në së paku dy raste i ka futur dhe nxjerrë nga axhenda e punimeve.

Adis Mustedanagic, një zyrtar i zyrës së OSBE-së për Lirinë e Medias, theksoi të premten se projektligjet e reja “kanë reflektuar disa vërejtje por kanë ende për të reflektuar”, ndërsa përsëriti qëndrimin e zyrës së tij se asnjë institucion administrativ nuk mund të shqyrtojë çështje të shpifjes apo fyerjes dhe se këto çështje duhet të shqyrtohen vetëm nëpër gjykata. Zyra e OSBE-së për Lirinë e Medias mësohet se ka konsultuar qeverinë në këtë çështje gjatë muajve të fundit, por se çfarë çështjesh janë konsultuar, kjo është mbajtur deri tani sekret nga zyra e OSBE dhe nga qeveria.

“Zyra jonë vlerëson bashkëpunimin konstruktiv me autoritetet shqiptare dhe ne e dimë se disa ndryshime janë bërë dhe se drafti u përmirësua. Gjithsesi ne presim që ndryshime të tjera të bëhen dhe të përmirësohen,” tha Mustedanagic.

“AMA dhe asnjë organ tjetër rregullues nuk duhet të jenë në gjendje të merren me çështje të shpifjes, e cila duhet të mbetet nën autoritetin e gjykatave,” shtoi ai. “Është thelbësore të nënvijëzojmë se bllokimi i përkohshëm [i faqeve të internetit] mund të bëhet vetëm për çështje të luftës kundër pedofilisë, terrorizmit apo sigurisë kombëtare dhe se këto masa duhet të jenë proporcionale,” shtoi ai.