Pas pesë ditësh kërkime nga AKSEM dhe kolegët e galerisë minatori Muharrem Plaku u gjet i pajetë mesnatën e të dielës. Plaku ishte bllokuar në galerinë e kromit pas shembjes së një masivi gurësh.
Minatori Muharrem Plaku u nxorr i pajetë mesnatën e të dielës prej galerisë së kromit në të cilën ishte bllokuar që nga 15 shtatori.
Plaku, 60 vjeç, i cili punonte si teknik në galerinë e kompanisë “Kaduretex Sh.p.k”, mbeti i bllokuar pas shembjes së një masivi gurësh mesditën e të mërkurës më 15 shtator. Dhjetra kolegë dhe punonjës të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera hoqën tonelata me gurë deri të dielën në mesnatë kur Plaku u gjet i pajetë në galeri.
Detaje të aksionit dhe gjetjes së minatorit nuk janë bërë me dije. Ndërkohë policia ka njoftuar se pas marrjes në pyetje të disa persona përgjegjës për galerinë ku ndodhi aksidenti vendosi ndalimin dhe proicedimin e 2 prej tyre.
“Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, u bë ndalimi i shtetasit V. L., 61 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë Drejtues teknik) si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin S. H., 54 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë Teknik miniere), për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë””, njoftoi policia.
Miniera e Bulqizës mbetet një nga vendet më të rrezikshme të punës në Shqipëri. Plaku është viktima e tretë në galeritë e kromit që nga janari i këtij viti. Dhjetëra të tjerë janë plagosur në galeri që nga fillimi i vitit. Ndërkohë vitin që shkoi 5 minatorë humbën jetën në 28 aksidente.