Lajm2 Dec 2020

Gjykata e Tiranës pushon çështjen penale ndaj Valdrin Pjetrit

Gjyqtari Artan Gjermeni pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vulosi pushimin e hetimeve ndaj ish-kandidatit për kryebashkiak të Shkodrës, Valdrin Pjetri, duke argumentuar se mosdeklarimi i një dënimi në Itali nuk përbënte vepër penale.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Kryeministri Edi Rama dhe ish-kandidati për kryetar bashkie, Valdrin Pjetri, gjatë një mingu elektoral | Foto nga : Facebook

Gjykata e Tiranës i dha të drejtë ish-kandidatit të Partisë Socialiste për kryetar në Bashkinë e Shkodrës, Valdrin Pjetri për mosdeklarimin e një dënimi të drejtësisë italiane në formularin e dekriminalizimit dhe vendosi pushimin e hetimeve.

Vendimi u shpall të mërkurën nga gjyqtari Artan Gjermeni, pas shqyrtimit në seancë paraprake të kërkesës së Prokurorisë për pushimin e çështjes penale ndaj Pjetrit.

“U pranua kërkesa për pushimin e çështjes penale e paraqitur nga prokurori”, i tha BIRN koordinatorja për të drejtën e informimit, Alba Nikolla.

Më 17 dhjetor 2019, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi nisjen e procedimit penal ndaj Valdrin Pjetrit, për mosdeklarim në formularin e ligjit për dekriminalizimin të dënimit në Itali për “mbajtje të lëndës narkotike”.

Seanca e së mërkurës u zhvillua pas shtyrjes së dy seancave të mëparshme, ku gjyqtare e çështjes fillimisht ishte caktuar Oltjana Goxha. Ajo u dorëhoq nga shqyrtimi i kërkesës së prokurorisë dhe u zëvendësua nga gjyqtari Artan Gjermeni.

“Gjyqtare Oltjana Goxha ka dhënë dorëheqjen nga gjykimi i çështjes, kërkesë kjo e pranuar nga zv/kryetari dhe për këtë arsye është rihedhur në short. Dorëheqja është kryer se ka njohje me personin në hetim,” sqaroi koordinatorja Nikolla.

Prokurori Ervin Karanxha e bazoi kërkesën për pushimin e çështjes në vendimin që Gjykata e Firences ka dhënë ndaj Valdrin Pjetrit në vitin 2003, kur e dënoi me 18 muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë për mbajtje lëndësh narkotike.

Në kërkesën për pushim të prokurorisë thuhet se Gjykata e Firences kishte vendosur pezullimin e dënimit dhe mospërmendjen e tij në të ardhmen.

“Vetë vendimi i dënimit të tij në pjesën e dispozitivit deklaronte që ky vendim nuk duhej të përmendej në të ardhmen ose të bëhej publik,” citohet në kërkesën për pushimin e çështjes.

Më tej, prokuroria argumenton se duke qenë se vepra penale ka ndodhur në shtetin fqinj, në rastin konkret zbatohet ligji penal italian dhe jo ai shqiptar duke konkluduar se Pjetri nuk i ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

I pyetur nga BIRN pas përfundimit të seancës paraprake, prokurori Ervin Karanxha u shpreh se e gjithë çështja merret në tërësi. “Është zbatuar vendimi i gjykatës italiane, që nga momenti i fillimit të procedimit, deri tek vendimi. Procedimi dhe ndalimi janë pjesë e procedimit penal ku gjykata ka dalë me një vendim të formës së prerë dhe nuk mund të merren të shkëputura,” tha  Karanxha.

Valdrin Pjetri u zgjodh kryetar i Bashkisë së Shkodrës si kandidat i vetëm në vitin 2019, por u tërhoq dhe nuk e mori detyrën pas denoncimeve publike nga Partia Demokratike, se ishte dënuar në Itali për çështje të lidhura me drogën.

Pjetri nuk preferoi të komentonte mbylljen e hetimeve në një komunikim me BIRN.

“Kam një vit e gjysmë që jap llogari para prokurorisë/gjykatës. Aty në arsyetim/dokumentacion dhe tashmë në vendim gjykate thuhet qartë çdo gjë,” tha Pjetri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *