Lajm6 Sep 2021

Gjykata i hap dritën jeshile koncesionit të shtrenjtë të rrugës Thumanë-Kashar

Në prag të pushimeve verore, Gjykata Administrative e Apelit ka shfuqizuar urdhrin e anulimit të projektit koncesionar të fituar nga kompania Gener 2 si dhe ka detyruar Ministrinë e Infrastrukturës që t’ia përcjellë atë për miratim Këshillit të Ministrave.

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Foto: LSA

Gjykata Administrative e Apelit i ka hapur dritën jeshile projektit të debatueshëm koncesionar të rrugës Thumanë-Kashar me një kosto të parashikuar ndërtimi prej 245 milionë eurosh, i anuluar nga qeveria “Rama” në janar të vitit 2019.

Në prag të pushimeve verore më 29 korrik, trupa gjyqësore e drejtuar nga Rilinda Selimi dhe me anëtare Altina Nasufin dhe Blerona Hasën vendosi që të pranojnë padinë e ngritur nga kompanitë Gener 2 dhe G2 Infra kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës.

Sipas dispozitivit të publikuar në faqen zyrtare të gjykatës, Apeli Administrativ ka vendosur që të shfuqizojë urdhrin e datës 25 janar 2019 të Ministrisë së Infrastrukturës “Për ndërprerjen e dhënies së koncesionit”. Trupa gjykuese ka vendosur gjithashtu t’a detyrojë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës që t’ia përcjellë për miratim Këshillit të Ministrave draft-kontratën koncesionare për projektin Thumanë- Fushë Krujë –Vorë –Kashar. [Lexo dispozitivin e vendimit]

Projekti i partneritetit publik privat për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Thumanë- Kashar ishte pjesë e programit infrastrukturor “1 miliardë euro” të shpallur gjatë mandatit të dytë që qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Ai u fitua nga kompania “Gener 2” e biznesmenit Bashkim Ulaj, e cila mori paraprakisht një bonus nga qeveria për propozimin e saj të pakërkuar. Pas shpalljes fituese, Gener 2 themeloi kompaninë bijë G2 Infra për zbatimin e koncesionit.

Me një gjatësi prej 21 kilometrash, rruga Thumanë- Kashar u tenderua me fond limit prej 245.7 milionë eurosh dhe konsiderohej si një ndër koncesionet më të shtrenjta të infrastrukturës. Megjithatë, në një raport të Ministrisë së Financave për Parlamentin parashikohej se kostot koncesionare mund të shkonin deri në 54.4 miliardë lekësh (435 milionë eurosh).

Pas përfundimit të tenderit, qeveria dhe Gener 2 hynë në një fazë negociatash, të cilat duhej të çonin në kontratën finale. Por një skandal shpërtheu dhe negociatat nuk u përmbyllën.

Në dhjetor 2018, qeveria u vu në siklet kur u zbulua se një kompani fantazmë me emrin DH Albania rezultoi fituese e dy tenderëve me vlerë 30 milionë euro në Shqipëri, pasi kishte përdorur më parë dokumente të falsifikuara.

Dokumente të zbuluara më parë nga BIRN sugjerojnë se ka disa lidhje mes personave të kompanisë DH Albania dhe kompanisë Gener 2, e cila ishte fituesja e tenderit të koncesionit Thumanë – Kashar.

Urdhri për ndërprerjen e koncesionit të rrugës Thumanë-Kashar ishte një ndër vendimet e para të ministres Belinda Balluku, pas marrjes së detyrës nga paraardhësi i saj Damian Gjiknuri.

Balluku deklaroi asokohe se fondi i koncesionit do të shkonte në dobi të së ashtuquajturit ‘pakti për universitetin”.

Projekti i autostradës Thumanë-Fushë Krujë – Kashar