Lajm23 Mar 2018

Gjyqtari Fatos Lulo shkarkohet nga detyra për pasuri të pajustifikuar

Në një seancë të shkurtër të premten, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të ndërpresë karrierën e gjyqtarit Fatos Lulo, për shkak se disponon pasuri pa burime justifikuese. 

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Foto: Besar Likmeta/BIRN

Anëtari  i Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo ishte i pari që iu nënshtrua procesit të vetingut dhe gjithashtu i pari që humbi vendin e punës për shkak se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në përfundimin se pasuria e tij prej qindramijëra eurosh nuk mund të justifikohet me burime të ligjshme.

Lulo, 57 vjeç, ka një karrierë të gjatë si jurist, avokat dhe gjyqtar dhe një pasuri prej 92 milionë lekësh, nga të cilat 75 milionë i ka deklaruar se i ka bërë para periudhës kur filloi të punojë si gjykatës.

Pas dhënies së vendimit, avokati i Lulos, Ardian Visha, e konsideroi vendimin të padrejtë dhe lajmëroi se ai do të apelohet.

“Për standardin që përdori Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, është një stekë shumë e ulët poshtë së cilës zor se mund ta kalojë njeri procesin e vetingut,” tha Visha pas vendimit të KPK-së.

Lulo është diplomuar si jurist në Universitetin e Tiranës në fund të viteve 1980 dhe gjatë regjimit komunist ka shërbyer si jurist në Zyrën e Kryeministrit, Adil Çarçani, dhe në Ministrinë e Punës. Nga viti 1994 deri ne vitin 1999, i ushtroi detyrën e tij si avokat në Tiranë, me kursimet e së cilës ka justifikuar një pjesë të aseteve në deklarimin fillestar pranë ILDKPKI në vitin 2004. Sipas biografisë së tij, më 1999 emigroi në Kanada ku punoi si jurist në zyrën e Emigracionit të Kanadasë para se të kthehej në Tiranë më 2002 si avokat. Më 2003 u zgjodh komisionet në Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit. Ai vijoi karrierën si avokat deri më 2005 kur u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë. Nga viti 2013 e mbrapa ai emërua anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

NJë investigim i BIRN në vitin 2012, ngriti dyshime mbi dhurata e mëdha në ‘cash’ të marra nga gjyqtari, të cilat konsiderohen një flamur i kuq në praktikat ndërkombëtare të transparencës financiare të zyrtarëve publike. Në atë kohë ILDKPKI i tha BIRN se kishte filluar një hetim administrativ ndaj gjyqtarit, por ky hetim administrativ duket se nuk prodhoi rezultate.

Vendimi i shkarkimit të Lulos do të shpallet nga komisioni i vetingut brenda 30 ditësh, ndërsa Lulo ka afat 15 ditë për t’u ankimuar në Kolegjin e Posacëm të Apelimit, pas datës së njoftimit të vendimit.

Procesi i vetingut do të analizojë pasurinë, lidhjet e mundshme me krimin dhe aftësitë profesionale të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve.